Nga Rexhep Shahu
Gjithë jetën Qazim Bllaca e shokët e tij të idealit e veprimit politik u etiketuan e dënuan si kolaboracionistë. Të ndalemi pak me qetësi e pa inate te ky etiketim. Qazimi e nacionalistët shqiptarë që bënë e drejtuan shtetin kombëtar shqiptar 1941-1945, atë që quajmë shteti fashist shqiptar që bëjmë sikur na vjen turp ta përmendim, e deshën Kosovën pa serbë, punuan e sakrifikuan për këtë gjë, ëndërr e çdo shqiptari. Shteti fashist shqiptar pa Gjermaninë e Italinë nuk do të ekzistonte siç shteti komunist shqiptar që ekzistoi e jetoi me ndihmë e mbështetje totale nga Bashkimin sovjetik, Kina, Amerika…etj
Kosova pa serbë dy herë pati rast e mundësi të jetë në jetën e saj në kohë moderne historike, më saktë në shekullin e 20 e 21. Në fillim të shekullit të 20 Austro-Hungaria e pastroi Kosovën prej serbëve. Ne e harrojmë me dashje se ndoshta nuk e duam as e kemi dashtë Kosovën pa serbë. Por realiteti historik ky është. Në prill 1941 për herë të dytë Gjermania, tashmë jo perandoria gjermanike Austro- Hungareze dashamire ekstreme e shqiptarëve, që krijoi, formoi dhe vuri në lëvizje kombin shqiptar, por Gjermania e dëboi Serbinë prej Kosove, e bashkoi kombin shqiptar, ngarkoi Italinë të kujdesej për kombin shqiptar nën mbikqyrjen gjermane. Shqiptarët që bashkëpunuan me gjermanët për ta bërë Kosovën pa serbë e për ta bërë shtetin solid shqiptar, ne i kemi quajtë kolaboracionistë, armiq, tradhëtarë, etj.
Po ata ishin armiq të Serbisë, por ishin edhe armiq të Kosovës e të Shqipërisë. Pse ishin armiq të shqiptarëve këtë nuk arrij ta kuptoj kurrë. Pse Qazim Bllaca me shokët e tij që drejtuan e qerverisën Shqipërinë e bashkuar të quhen kolaboracionistë e armiqë të Shqipërisë e të Kosovës këtë nuk e kuptova as e kuptoj dot kurrë. Armiq e kolaboracionistë të Serbisë a Rusisë mund të jenë, por si ka mundësi të jenë armiq të Kosovës e Shqipërisë pse bashkëpunuan me gjermanët që dëbuan Serbinë prej Kosove.
Kosova për herë të tretë pa serbë u bë në vitin 1999 kur Amerika me Naton e dëbuan Serbinë prej Kosove. Shumë shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë bashkëpunuan me armiqtë amerikanë të serbëve për ta çliruar Kosovën prej serbëve, për ta dëbuar Serbinë prej Kosove. Pse nuk i quan askush kolaboracionistë a tradhëtarë shqiptarët e Kosovës a të Shqipërisë që bashkëpunuan e bashkëpunojnë me amerikanët e europianët e Natos për ta çliruar Kosovën prej serbëve, për ta dëbuar Serbinë prej Kosove.
Qazim Bllaca me shokë që bashkëpunuan me perandorinë gjermane për ta dëbuar Serbinë prej Kosove u quajtën kolaboracionistë, tradhëtarë, armiq etj, etj., dhe u dënuan me pushkatime si Patër Anton Arapi e Lef Nosi e burgime të rënda si Qazim Bllaca me 31 vjet burg pse bashkëpunuan me gjermanët që dëbuan Serbinë prej Kosove e bënë shtetin kombëtar shqiptar që jetoi nga 1941 deri me 10 korrik 1945, ditë kur kundërshtarët e Qazim Bllacës, partizanët e Kosovës që arrestuan Qazim Bllacën dhe e dënuan, vendosën në Prizren ta shkëpusin Kosovën prej Shqipërisë e ta bashkojnë me Serbinë në federatën jugosllave.
Qazim Bllaca që bashkëpunoi me gjermanët që çliruan Kosovën prej serbëve shpallet tradhëtar, ministër fashist, kolaboracionist, ndërsa ata që vendosin ta kthejnë Serbinë në Kosovë e Kosovën nën Serbi, nuk shpallen as tradhëtarë as kolaboracionistë, por u mbahet shurra në grusht e u èohen lule në vorre.
Po tani që Amerika e dëboi Serbinë prej Kosove si po ndjehen ata shqiptarë që vendosën dhe e rikthyen Kosovën nën Serbi me 10 korrik 1045, a kanë nxehtë a ethe në vorre, a mos po djersiten në vorre. Pse askush nuk po i quan armiq e tradhëtarë të Kosovës, kolaboracionistë, spiunë serbë, bashkëpunëtorë të Serbisë.
Gjithë ai gjak e ajo luftë në dekada që bënë shqiptarët kundër Serbisë shkoi dëm sepse vetë partizanët e Kosovës vendosën ta zhbëjnë shtetin kombëtar shqiptar, ta shkëpusin Kosovën prej Shqipërisë e ta bashkojnë me Sebinë nën Jugosllavi. E pastaj duan edhe të shitën si patriotë shqiptarë, kur në fakt me vendimin e 10 korrikut 1945 ata i shërbyen Serbisë.
Nuk ka pësuar më shumë krime, dëbime e genocid Kosova pas 1944 se sa pati pësuar para 1945 kur partizanët e Kosovës e shkëputën Kosovën prej Shqipërisë, e prishën shtetin kombëtar shqiptar dhe e bashkuan Kosovën me Serbinë. Partizanët e Kosovës që e shkëputën Kosovën prej Shqipërisë me 10 korrik 1945, kanë ëndërruar të jenë shefa të Kosovës, të emëruar të Serbisë në Kosovë, të jenë të parët e katundit dhe për pushtetin e tyre përsonal e prishën sëhtetin kombëtar shqiptar që funksionoi 5 vjet dhe pati krijuar fizionominë e tij. Por partizanët e Kosovës nuk e besuan se mund të jenë drejtues në këtë shtet siç ishin drejtues Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Qazim Bllaca etj. Partizanët e Kosovës e ndjenë inferioritetin e vogëlsinë e tyre dhe vendosën ta shkëpusin Kosovën prej Shqipërisë e ta bashkonin me Serbinë nën Jugosllavi. Qazim Bllaca me shokë ishin tjetër prerje, ishin tjetër dimension. Ata nuk e mendonin veten të emëroheshin nga Beogradi qoftë dhe guvernatorë në Kosovë.
Përfytyroni sikur sot kuvendi i Kosovës dhe ish luftëtarët e UÇK të vendosin bashkimin e Kosovës me Serbinë, çfarë do të ndodhte në Kosovë. Çfarë do të bënte Amerika. Sot Amerika është e fortë, por atëhere Gjermania humbi luftën.
Edhe pse humbi luftën e mund të shuhet nga faqja e dheut, Gjermania i bëri shërbimin më të madh kombit shqiptar, Kosovës, e bashkoi kombin, bëri shtetin kombëtar shqiptar, jehonat e të cilit nuk shuhen kurrë.
Shqiptarët gjithmonë kanë patur një perandori mbi krye, i kanë shërbye një perandorie, kanë qenë nëpunës, ushtarë, bodigardë, killera, pashallarë, guvernatorë a argatë të një perandorie në kohë të ndryshme. Ka pasë hije, po them, me i shërbye perandorisë romake, perandorisë turke, ka hije me i shërbye perandorisë Austro-Hungareze që na krijoi e ndërtoi kombin, asaj gjermane, ruse, kineze, ka hije sot me i shërbye perandorisë amerikane, e lufta ndër shqiptarë sot bëhet kush me i hy në xhep e në gji perandorisë amerikane, por ka qenë e është turp e faqja e zezë me i shërbye Serbisë siç i kanë shërbye për turpin e tyre partizanët e komunistët shqiptarë të Shqipërisë e të Kosovës.
Pse nuk etiketohen sot kolaboracionistë e tradhëtarë ata që bashkëpunojnë me Amerikën, me Gjermaninë, Francën, Italinë, Anglinë etj…
Pse nuk etiketohen tradhëtarë, kolaboracionistë apo bashkëpunëtorë të Serbisë siç në fakt ishin ata drejtues të Kosovës, ata partizanë e komunistë të Shqipërisë e të Kosovës, ata zyrtarë, nëpunës e pushtetarë që i deshi, përkrahu, dekoroi e gradoi Serbia e Jugosllavia që nga Lufta e dytë botërore e deri kur Amerika e dëboi Serbinë prej Kosove në qershor 1999…
Jugosllavia u dha titullin Hero Kombëtar tre personave shqiptarë: Enver Hoxhës, Vojo Kushit (pas vdekjes), dhe Reshit Çollakut (pas vdekjes. Dhe dekoroi me dekorata të tjera 581 persona emrat e të cilëve vijojnë më poshtë, kryesisht drejtues të formacioneve partizane. Serbia e Jugosllavia nuk i ka njohur të gjithë por ajo ka dekoruar emrat që ia ka dërguar Enver Hoxha me të tijtë. Motivacioni i vërtetë ishte kontributi i tyre në luftën civile shqiptare; thënë ndryshe: i dekoroi për vrasjen e vëllezërve të tyre, shkruan studjuesi Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë.
Pse nuk i quan askush kolaboracionistë bashkëpunëtorë të armikut serb këta 581 partizanë të Shqipërisë që i dekoroi Serbia që është armiku më i egër e për kohën më të gjatë i shqiptarëve, armiku që i ka bërë dëme si askush kombit shqiptar, armiku që ka vrarë shqiptarë si askush dhe që u ka marrë troje shqiptarëve si askush.
Listat e mëposhtme me emrat e partizanëve e të drejtuesve komunistë të Shqipërisë të dekoruar nga Jugosllavia janë marrë nga Çelo Hoxha në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH), F. 489, V. 1947, D. 204. ku mund të shihen 581 emrat e partizanëve të dekoruar nga Jugosllavia e cila nuk i ka dekorue për shërbimet që ia kanë bërë Shqipërisë, por i ka dekoruar për shërbimin që ia kanë bërë Jugosllavisë.
Edhe këta njerëz të dekoruar nga Jugosllavia krijuan frymën antishqiptare, antikombëtare, anti Kosovë, kundër Qazim Bllacës e gjithë shqiptarëve të Kosovës që nuk e donin Serbinë e jetën nën Serbi e Jugosllavi. Kështu me të tilla veprime Serbia dinte të përçante shqiptarët, dinte të gjente e të frymëzontë veset e të kqiat njerzore të shqiptarëve.
Këto njërëz ishin armata me të cilët Miladini, Dushan Mugosha me të tjerë mbollën sa mundën Serbinë ndër shqiptarë, gjetën e përgatiten sherbëtorët e UDB të cilët si tërskoti rritën kudo. Dikur e dënuan me 31 vite burg e internim Qazim Bllacën, por gjithmonë mbajtën ndezur dhe i fryjnë flakës së zbehtë të përçarjes, mos dashjes e urrejtjes së ndërsjelltë mes shqiptarëve e krahinave shqiptare.
Partizanët shqiptarë të Kosovës duket u joshën më shumë nga Beogradi se sa nga Tirana, u është dukë më i fuqishëm Beogradi se Tirana dhe vendosën ta ndanin Kosovën prej Shqipërisë, ta prishnin shtetin kombëtar shqiptar që dha prova të funksionimit 5 vjet dhe ulën kokat në grazhdin e Beogradit. Nuk po them se bënë tradhëti kombëtare, por u bënë bashkëpunëtorë të serbëve, pranuan të drejtohen e të qeverisen prej serbëve, pranuan të bëhen argatë të serbëve me drejtue shqiptarët e Kosovës.
Nuk besoj se ka gisht pas të cilit mund të fshihen partizanët e Kosovës që shkëputën Kosovën prej Shqipërisë, nuk besoj se mund të ketë gur a piedestal mbi të cilin të ngrhet busti i ndonjërit prej drejtuesve të partizanëve të Kosovës që si nëpunës e bashkëpunëtorë të Serbisë drejtuan jetën në Kosovë pas luftës së dytë botërore.
Ka një ngutje të ethshme si dhe herë tjera për ta rehabilituar e për ta bërë patriot Enver Hoxhën në Kosovë. Këtë mision të vjetër e merr si gjithmonë përsipër sigurimi i dikurshëm i shtetit në Shqipëri, UDB jugosllave dhe spiunët e bashkëpunëtorët e tyre, djemtë, nipat a mbesat e spiunëve të UDB e të sigurimit të Shqipërisë. Po, munden ta bëjnë patriot jugosllav Enverin se edhe pasi u prish me Jugosllavinë e me Titon, Enveri nuk i anulloi asnjëherë dekoratat e nderet që ua kishte dhënë përsonalisht serbëve e jugosllavëve në stinën e dashurisë me to.
Enver Hoxha nuk reagoi asgjë kur partizanët e Kosovës bashkë me partizanët lokalë serbë të Kosovës, në praninë e me mbështetjen e dy divizioneve partizane të Shqipërisë që ishin në Kosovë ato ditë për të luftuar kundër gjermanëve dhe kundër kosovarëve që ishin kundër serbëve, nuk reagoi asgjë kur partizanët e Kosovës e shkëputën Kosovën prej Shqipërisë dhe e bashkuan me Serbinë nën Jugosllavi.
Enver Hoxha një krijesë politike e jugosllavëve, një robot jugosllav, nuk mund të kishte reagim pro shqiptar e pro Shqipërisë. Ai ishte i pickuar me kohë prej jugosllavëve që në Korçë prej konsullit jugosllav Stanoje Simiç që u bë ministër i jashtëm i Jugosllavisë e deri tek Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha e serbë të tjerë që e vunë Enverin si vegël të tyre në drejtimin e partisë komuniste dhe të luftësë partizane ku ata ishin shefat dhe Enveri shërbëtori i tyre i bindur. Enver Hoxha askujt nuk i ka shërbyer më gjatë e më me besnikëri se sa serbëve e jugosllavëve, askush nuk ka patur pushtet e ndikim te Enver Hoxha sa serbët e jugosllavët, pasi ata e kishin lidhë e mbështjellë që në rini me shumë e shumë fije të dukshme e të padukshme. Që në embrion levizja komuniste e Shqipërisë është krijesë serbe jugosllave dhe ata nuk kanë heqë kurrë dorë nga diktimi i komunistëve e të konvertuarve të tyre në Shqipëri. Që në në shtator 1941, njëri nga komunistët e parë në Shqipëri, Koço Tashko, propozoi në Pejë te Komiteti Qarkor për Kosovën e Metohinë të Partisë Komuniste Jugosllave, ndihmën e tyre për bashkimin e grupeve komuniste në Shqipëri. Partia Komuniste Jugosllave, i rekomandoi apo diktoi Koço Tashkos njeriun e saj në Shqipëri që ishte Miladin Popoviqi që italianët e kishin internuar në Peqin të Shqipërisë. Që nga ky moment jugosllavët nuk e lëshuan më nga dora Shqipërinë, krijuan e ndërtuan njerzit e tyre që do ta drejtonin Shqipërinë.
Kujtoj letrat e ambasadorit serb Zhijovin Ballukgjiç si përgjues serb i Ismail Qemalit, letra që ia dërgonte kryeministrit të tij serb Pashiq e ku i thonte me mburrje se kishte arritë që krerët pasanikë shqiptarë që kishin qenë të lidhur me Turqinë e që kishin punuar për Turqinë, tash e mbrapa 1912, do të bashkëpunonin me Jugosllavinë. Pas këtij ambasadori serb përgjues e gjurmues i Ismail Qemalit, vijnë këto emra të rëndësishëm arkitektë e konstruktorë të diktimit serb e jugosllav në Shqipëri si konsulli jugosllav në Vlorë në vitin 1932, që donte të forconte, frymëzonte e zgjeronte xhepat sllavë atje dhe ta dobësonte faktorin shqiptar në rajonin e Vlorës, konsulli jugosllav në Korçë, Stanoje Simiç në vitet 30 të shekullit 20, Miladin Popoviç që pas gjithë të ligave që u bëri shqiptarëvev patrioti shqiptar Haki Taha e vrau në bashkëpunim edhe me Qazim Vulen që do të bëhej mik në internim në Shtyllas të Fierit me Qazim Bllacën, që tentuan të arratisen nëpër det për në Itali; Dushan Mugosha i Nerodimes së Ferizait që dinte shqip dhe që e zgjodhi bashkëpunëtor të tijin në Shqipëri Miladini; Bllazho Jovanoviç si i dërguar i Partisë Komuniste Jugosllave në Konferencën e Labinotit; Zvetovar Vukmanoviç Tempo; Velimir Stojniç dhe Savo Zllatiç.
Enver Hoxha me nënshtrimin e tij total para jugosllavëve bëri që Shqipëria të trajtohej gati si republikë e Jugosllavisë dhe në Shqipëri u bë çfarë donte Jugosllavia. Asnjëherë më pa dinjitet nuk është treguar Shqipëria se sa para Jugosllavisë sepse nuk kishte dinjitet, liri e pavarësi Enveri para jugosllavëve, pavarësisht përrallave të tij në fjalime e në gazetat e Tiranës.
Është neveritëse kur kohë pas kohe spiuna të sigurimit e mbetje të UDB sajojnë e hedhin në qarkullim letra të vjetra të paqena të Enverit gjoja drejtuar Stalinit për me mbrojtë Kosovën. Edhe pasi u prish me Jugosllavinë Enveri kurrë nuk e deshi as e mbrojti Kosovën sepse ia masakroi bijtë e saj si Qazim Bllacën dhe është e neveritshme kur qarkullojnë letra e fjalime të Enverit dërguar Stalinit për Kosovën, për të cilën Stalini u kishte thënë jugosllavëve “gëlltiteni”.
Ndodh fatkeqësisht sot në Shqipëri e në Kosovë të çelë lule enverizmi e komunizmi me përkrahje e mbështetje të heshtur e heshtje të zëshme qeveritare. Është e frikshme që shtypi në Shqipëri në emër të lirisë e demokraci bën pornobyroizëm, na e shfaq përditë në faqe të parë diktatorin Enver Hoxha. Shihni gazetën e lumtur Panorama që na e shet pëerditë në faqe të parë Enver Hoxhën duke buzëqeshur. Shihni portalin patriot të Radio Kosovës me portretet e Enver Hoxhës. Çekia e ndaloi me ligj propagandën komuniste. Po Shqipëria e Kosova duket me ligj do ta kthejnë sistemin komunist dhe do ta klonojnë Enverin e ta vendosin në zyrat qëndrore në Tiranë e Prishtinë me leje, frymëzim e bekim të Beogradit.
Krahas 581 emrave të shqiptarëve të dashur për jugosllavët të cilët i dekoroi Jugosllavia, dekoruan edhe Enver Hoxhën në vizitën e parë në Jugosllavi nga 23 qershor – 2 korrik 1946 me dekoratën Hero i Popujve Jugosllavë.
Gjatë kësaj vizite Enver Hoxha nuk shkeli as në Kosovë e askund në trojet shqiptare në Jugosllavi
Jo vetëm Jugosllavia dekoroi 581 shqiptarë të Shqipërisë të cilët me sa duket e besohet i kishin shërbyer në një mënyrë a një tjetër, Jugosllavisë, qoftë edhe me deklarata dashurie… edhe Shqipëria nuk mbeti prapa. Edhe Shqipëria dekoroi shumë serbë e jugosllavë dhe pagëzoi udhë e sheshe të saj me emra serbësh e jugosllavësh… Dekorime që edhe sot në vitin 2025 janë në fuqi se nuk ka dekrete për shfuqizimin e tyre nga shteti shqiptar.
Pas listës së jugosllavëve me 581 emra, vijon vendimi Nr. 117, datë 5 shtator1945 i Shqipërisë për dekorimin e jugosllavëve.
Ato që mungojnë në këtë paraqitje janë lista e shqiptarëve të Kosovës që votuan me 10 korrik 1945 për shkëputjen e Kosovës prej Shqipërisë e bashkimin e saj me Serbinë nën Jugosllavi dhe lista e rrugëve, shesheve, objekteve e institucioneve të Shqipërisë të pagëzuar me emra serbësh si Rankoviqi me shokë.