Korbat janë zogj jashtëzakonisht inteligjentë. Ata mund të imitojnë të folurën e njeriut, të mbajnë mend fytyrat dhe madje të mbajnë mëri ndaj atyre që u kanë bërë keq. Në kultura të ndryshme, ata kanë qenë simbol i mençurisë dhe profecisë, por më shpesh lidhen me pikëllimin dhe vdekjen. Por pse?
Në disa mitologji të botës, korbi lidhet me vdekjen. A do të thotë kjo se këta zogj sjellin vërtet fat të keq, apo se legjendat për ta përmbajnë një të vërtetë? Si ka mundësi që kaq shumë qytetërime të ndryshme të kenë krijuar besime të ngjashme për korbin? Në të vërtetë, kjo ka shumë të bëjë me burimin kryesor të ushqimit të tij.
Zogjtë që ushqehen me kafshë të ngordhura
Korbat, së bashku me sorrat, galat dhe laraskat, ushqehen me kafshë të ngordhura. Ata janë pastrues të natyrës dhe hanë mishin e kalbur të trupave të vdekur. Sot, ushqimin e gjejnë shpesh te kafshët e vrara në rrugë dhe kafshë të tjera të ngordhura, por në të kaluarën, ata zbuluan se fushat e betejës ofronin ushqim me bollëk.
Gjatë luftërave, shpesh kishte aq shumë të vdekur sa nuk ishte e mundur të varroseshin të gjithë. Njerëzit e lashtë i shihnin korbat që fluturonin mes trupave të të vrarëve në pothuajse çdo fushë beteje dhe kjo lidhje u rrënjos në ndërgjegjen kolektive. Më pas, besëtytnitë u përhapën dhe njerëzit nisën t’i shihnin korbat si paralajmërues të vdekjes, në vend që t’i konsideronin si pastrues që shfaqeshin pas saj.
Korbat në mitologji dhe fe
Korbat shfaqen në mitet e lashta dhe tekstet fetare si simbole të fatit dhe vdekjes. Në disa kultura, ata shërbejnë si lajmëtarë mes botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve. Madje, mund të luajnë rolin e korrësve të vdekjes, duke mbledhur shpirtrat dhe duke i çuar në botën e nëndheshme.
Sipas mitologjisë suedeze, korbat janë shpirtrat e viktimave të vrasjeve që nuk janë varrosur siç duhet. Ndërsa, sipas traditës gjermanike, ata janë shpirtrat e të mallkuarve.
Në mitologjinë nordike, Odini, perëndia e luftës dhe vdekjes, kishte dy korba, Huginnin (mendimi) dhe Muninnin (kujtesa), të cilët shërbenin si sytë dhe veshët e tij në betejë. Popujt nordikë besonin se, nëse një korb shfaqej në fushën e betejës, kjo do të thoshte se Odini po i vëzhgonte.
Në traditën kelte, korbat lidheshin gjithashtu me Morriganën, perëndeshën e vdekjes, luftës dhe fatit.
Edhe Bibla dhe Kurani përmendin korbat në rrëfime që lidhen me vdekjen. Në tregimin biblik të Përmbytjes, Noe lëshon fillimisht një korb për të parë nëse ujërat e mbulonin ende tokën. Korbi nuk kthehet më, me sa duket sepse kishte gjetur ushqim mes viktimave të përmbytjes, të cilët konsideroheshin të ligj.
Ndërsa në Kuran, një korb i mëson Kainit se si të varrosë trupin e vëllait të tij të vrarë.
“Korbi” i Edgar Allan Poe-së
Megjithëse korbat ishin lidhur me vdekjen prej shekujsh, vetëm pasi shkrimtari Edgar Allan Poe e bëri zogun të famshëm në poezinë e tij gotike, ai u shndërrua edhe në simbol të tmerrit dhe mjerimit.
Poe botoi poezinë “Korbi” në janar të vitit 1845. Ajo rrëfen historinë e trishtë të një burri të përndjekur nga humbja e gruas së tij të dashur dhe që po fillon të humbasë mendjen.
Ai dëshiron të dijë nëse do ta shohë ndonjëherë sërish të dashurën e tij dhe nëse dhimbja e humbjes do të marrë ndonjëherë fund. Por korbi e zhyt në dëshpërim kur përsërit fjalën: “Kurrë më!”
Korbat nuk ishin më thjesht paralajmërues të vdekjes, por u bënë pjesë e pandashme e zhanrit të horrorit.
Më vonë, Alfred Hitchcock e shfrytëzoi këtë lidhje në filmin e tij horror të vitit 1963, “Zogjtë”. Nëse nuk i druheshit korbave dhe lidhjes së tyre me vdekjen më parë, pas atij filmi me siguri do të fillonit t’i shihnit me më shumë kujdes.
Dhe ndoshta është mirë të vazhdoni të tregoni kujdes ndaj korbave, ose të paktën të mbani mend t’i trajtoni me mirësi. Përndryshe, ata mund të bashkohen për t’ju shkaktuar vuajtje, si hakmarrje.







