Ballina Kulturë “Vjedhja e shekullit”/ Grabitja spektakolare e bizhuterive të Napoleonit në muzeun e...

“Vjedhja e shekullit”/ Grabitja spektakolare e bizhuterive të Napoleonit në muzeun e Luvrit, regjisorët bëjnë gati filmin

25
0

Vjedhja spektakolare e bizhuterive historike të Napoleon Bonaparte nga Muzeu i Luvrit do të shndërrohet në një film hollivudian, i cili pritet të sjellë në ekran një nga grabitjet më të bujshme të viteve të fundit.

Sipas mediave franceze, projekti do të drejtohet nga Romain Gavras dhe do të bazohet në librin investigativ “Main basse sur le Louvre”, që publikohet më 27 maj.

Libri, i shkruar nga gazetarët Jean-Michel Décugis, Jérémie Pham-Lê dhe Nicolas-Charles Torrent, rikthen detajet e grabitjes së ndodhur më 19 tetor 2025, ku katër persona arritën të hynin në Galerinë Apollo të muzeut dhe të vidhnin nëntë bizhuteri historike me vlerë rreth 88 milionë euro.

Sipas hetimeve, operacioni zgjati më pak se shtatë minuta dhe u krye mes vizitorëve të shumtë pa ngritur dyshime. Megjithëse autoritetet realizuan disa arrestime, bizhuteritë e vjedhura nuk janë gjetur ende.

Filmi pritet të dalë në kinema gjatë vitit 2028, ndërsa emrat e aktorëve dhe titulli zyrtar nuk janë bërë ende publikë. Për skenarin, Gavras do të bashkëpunojë me Simon Winter dhe Mourad Winter.

Pas grabitjes, autoritetet franceze zbuluan probleme serioze në sistemin e sigurisë së muzeut, çka çoi edhe në dorëheqjen e drejtoreshës së Luvrit, Laurence des Cars.

Ndërkohë, Emmanuel Macron njoftoi një plan modernizimi prej rreth 800 milionë eurosh për muzeun, ku një pjesë e konsiderueshme e investimeve do të shkojë për forcimin e sistemeve të sigurisë në kuadër të projektit “Luvri – Rilindja e Re”.