Një akt i rëndë vandalizmi është regjistruar në qytetin e Prizrenit, ku shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është dëmtuar nga persona ende të paidentifikuar. Përkrenarja dhe shpata e heroit kombëtar janë lyer me ngjyrë ari, duke shkaktuar indinjatë të gjerë në publik.
Gjersa rasti po hetohet nga policia, ky akt ka ngjallur reagime të ashpra në publik.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri ka aktin e fundit vandal ndaj shtatores së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit në Prizren, e ka cilësuar si një precedent të rrezikshëm kundër historisë kombëtare dhe një sinjal alarmi për institucionet e Kosovës.
“Akti i fundit vandal ndaj shtatores së kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, në kryeqytetin kulturor e historik të shqiptarëve, në Prizren, përbën një precedent të rrezikshëm kundër historisë sonë kombëtare. Përballë kësaj tendence, e cila ka për qëllim edhe shpërfaqjen e një neo-otomanizmi në Prizren, institucionet e shtetit duhet më në fund të ndalojnë së luajturi rolin e të shurdhërit dhe të verbërit, para se këto akte të shndërrohen në një fenomen të rrezikshëm antikombëtar”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.
Haziri e ka lidhur këtë veprim vandal me ndikimet politike e fetare të TIKA-s turke, duke përmendur raste konkrete si vendosja e një imami turk në xhaminë e Sinan Pashës në Prizren dhe në një tjetër xhami të rinovuar në Prishtinë.
Sipas tij, këto veprime kanë për qëllim përhapjen e një fryme që nuk respekton traditën, kulturën dhe historinë shqiptare.
“Ky akt vjen edhe si rezultat i lëvizjeve politike që fshihen pas petkut kulturor e fetar, të financuara drejtpërdrejt nga TIKA turke. Shembull i kësaj është vendosja e një imami turk në xhaminë e Sinan Pashës, që ka për qëllim ngritjen e trashëgimisë pushtuese e fetare turke në këtë qytet – një frymë që nuk e duron traditën, kulturën dhe historinë shqiptare, pra as shtatoren e kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit në Prizren.
Mjerisht, kjo frymë përkrahet edhe nga Bashkësia Islame, jo vetëm në Prizren, por edhe nga qendra e saj në Prishtinë, siç është BIK-u. Po ashtu, edhe në një xhami që është rinovuar nga TIKA në Prishtinë, është emëruar një imam nga Turqia. Nëse institucionet e Kosovës nuk e ndalin këtë politikë dhe këtë frymë, atëherë, në një të ardhme jo fort të largët, mund të ballafaqohemi me probleme të ngjashme me ato që kemi me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë”, ka potencuar ai.
Në fund, ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të veprojnë urgjentisht për mbrojtjen e simboleve kombëtare dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.
“Së fundmi, institucionet e Kosovës e kanë për obligim që të mbrojnë me ligj simbolet kombëtare dhe historike, por edhe të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore e historike, në mënyrë që të mos lejohet abuzimi i tyre për qëllime politike.
Është momenti i fundit që shteti të veprojë, dhe akti i fundit vandal në Prizren ndaj shtatores së kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, duhet të jetë alarm për veprim të shpejtë, që aktorët e këtij akti të shëmtuar të dalin para drejtësisë”, ka përfunduar Haziri.