Ballina Dossier Zgjedhjet e para, kërkesat e SHBA-ve për Shqipërinë më 1945! Pse e...

Zgjedhjet e para, kërkesat e SHBA-ve për Shqipërinë më 1945! Pse e çoi Enveri në Amerikë Tuk Jakovën! Zbulohet shkresa për DASH

88
0

Nga prof. dr. Elmas Leci

Më 15 gusht të vitit 1945, Misioni i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, nëpërmjet një raporti, i shkruante Departamentit të Shtetit se “Regjimi i tanishëm (shqiptar) duhet të njihet nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik.

Njohja duhet të akordohet njëherësh dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, por me kushte apo shtrëngesa:

Së pari, regjimi i njohur duhet të mbajë Zgjedhje të përgjithshme…në një atmosferë me liri të plotë, ku të gjitha partitë dhe individët, qofshin pro apo kundër qeverisë, të lejohen të bëjnë fushatë pa u kërcënuar apo frikësuar jo vetëm gjatë, por edhe pas zgjedhjeve,…

Së dyti, duhet të shkëmbehen nota në të cilat autoritetet shqiptare të zotohen se do të negociojnë për Traktatet si dhe t’u garantojnë përfaqësuesve diplomatikë dhe konsullorë të tri fuqive të drejtat dhe privilegjet, që sigurohen nga ligjet ndërkombëtare”. Por, në fakt, ngjarjet dhe kërkesa bazike e SHBA për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri, me gjithë përpjekjet dhe ndihmën që dhanë misionarët amerikanë, rezultuan në të kundërtën e kërkesës amerikane. Shkuan kot të gjitha përpjekjet që u bënë për t’i hapur rrugën opozitës për zgjedhje të lira në Shqipëri, opozitë që përfaqësohej nga Shefqet Beja, Riza Dani, Gjergj Kokoshi, Selaudin Tota, Sami Qeribashi, Suat Asllani etj.

Nga ana tjetër konkludohet se Enver Hoxha “luftoi me vendosmëri që të mënjanonte opozitën nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 dhe filloi të persekutoi të gjithë demokratët shqiptarë, që përpiqeshin të krijonin një alternativë tjetër në vendin tonë pos asaj komuniste. Ai i argumentonte qëndrimet e veta në këtë mënyrë: “Nuk është e thënë se po s’pati opozitë, nuk ka demokraci. Bile kjo është demokracia e gjerë, është demokracia e shumicës”. Por deputetët e lartpërmendur reaguan e gjykonin ndryshe nga Enver Hoxha. Këtë e shfaqën kudo gjatë fushatës zgjedhore deri edhe në mbledhje të mëdha siç qe ajo, që u mbajt në kinema “Kosova” në Tiranë, për ligjin e zgjedhjeve, ku Gjergj Kokoshi kundërshtoi hapur ligjin e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe në mënyrë demonstrative doli nga Fronti e mori përsipër me guxim detyrën më të vështirë të kohës, opozitën jashtë Frontit. Fushata elektorale për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 ishte për opozitën një ferr i vërtetë. Në ato kushte opozita bëri të gjitha përpjekjet që t’i shtynte zgjedhjet, pasi ligji për to nuk ishte demokratik. Por jo vetëm që pozita nuk i shtyri zgjedhjet por ajo nuk po e lejonte opozitën të bënte as fushatë elektorale. Diktatura që ushtronte Partia Komuniste ishte e pa tolerueshme, “asgjë që kërkonte opozita nuk u mor parasysh”.

Në të njëjtën kohë që sillej në kundërshtim me kërkesat amerikane për zgjedhjet, Enver Hoxha përpiqej “të luante” sikur ishte pro amerikanëve. Tre katër muaj para zgjedhjeve dërgoi në Amerikë (më 22 gusht të vitit 1945) ministrin shqiptar pa portofol, Tuk Jakova, i cili vizitoi Departamentin amerikan të Shtetit. Thuhet, me iniciativën e tij, thuhet madje edhe për vizitë “private”! Nejse, çështje trajtimi djallëzor nga Enver Hoxha. Shpalosim ngjarjet! Në fakt, vizita e Tuk Jakovës atëherë ishte se ai kryesonte delegacionin shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara në New York, por Enver Hoxha e ngarkoi që të bënte edhe një “ta” në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai shkoi në mbledhjen e përgjithshme të OKB -s ku merrnin pjesë edhe delegacione të vendeve të tjera jo anëtare të OKB-s siç ishte Shqipëria, por me statusin e vëzhguesit. U tha se Tuk Jakova shkoi në Departamentin amerikan të Shtetit për të biseduar çështjen e Traktateve të kohës së Mbretërisë. Gjatë bisedimeve, të cilat u tha se nuk ishin zyrtare nga të dyja palët, Tuk Jakova ministri pa portofol i Enver Hoxhës, shprehu “mendimin e tij personal” se “Qeveria” e Enver Hoxhës nuk mund të ishte gati të pranonte në parim të gjitha Traktatet dhe Marrëveshjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”. Në vështrim të mendimit të ministrit të Enver Hoxhës, Departamenti amerikan i Shtetit përpiloi me shkrim një Deklaratë dhe i a dorëzoi Tuk Jakovës, rrjedhimisht për “Qeverinë” shqiptare. Megjithëse qeveria e Enver Hoxhës ende nuk ishte njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mes qëndronin Traktatet dhe Marrëveshjet, Deklarata që i u dorëzua Tuk Jakovës nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmbante këto pika:

1. Qeveria Shqiptare (duhet të shprehet se) pranon të gjitha Traktatet dhe Marrëveshjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, që kanë qenë në fuqi më 7 prill 1939.

2. Qeveria Shqiptare ruan të drejtën të propozojë ndryshime ose marrjen fund të këtyre instrumenteve mbi bazën e interesit të përbashkët dhe se çdo bisedim për to do të fillojë pas njohjes së Qeverisë Shqiptare nga Shtetet e Bashkuara dhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

3. Në pritje të ndryshimeve të mundshme mbi marrjen fund të Traktateve dhe Marrëveshjeve në fjalë, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe “Qeveria” Shqiptare do t’i vënë në zbatim nenet e instrumenteve që ekzistojnë”.

Sapo mori në dorëzim Deklaratën, Tuk Jakova në Departamentin Amerikan të Shtetit premtoi se ai, Deklaratën që i dhanë amerikanët, do t’ia paraqiste Enver Hoxhës, duke shprehur paraprakisht se ai vetë mendonte që pika e fundit e Deklaratës ishte më e fortë se ajo e shprehur më parë. Ajo përfshinte një premtim të qartë nga Qeveria Shqiptare për të zbatuar nenet e Traktateve dhe të Marrëveshjeve, derisa të vinte koha që mund të ndryshoheshin ose të merrnin fund me marrëveshje të tjera të përbashkëta. Pasi Tuk Jakova u kthye në Tiranë, për Deklaratën që çuan amerikanët, nga Enver Hoxha nuk u dha asnjë përgjigje. Edhe vizitën në Departamentin Amerikan të Shtetit, Enver Hoxha me djallëzinë që e karakterizonte e konsideroi atë krejtësisht “personale” dhe se qëndrimi zyrtar i “Qeverisë” shqiptare vazhdonte të mbetej ashtu siç ishte theksuar në letrën e 13 shkurtit të vitit 1945. Me këto dy sjellje, njërën që ministrin e dërgon vetë në Amerikë dhe e paraqet në opinion se një “vizitë private personale e Tuk Jakovës”, tjetrën që me të marrë propozimin amerikan përsëri qëndrimi i tij ndaj Marrëveshjeve e Traktateve nuk ndryshon, Enver Hoxha duket se “luan” diplomacinë e nuhatjes se deri ku mund të shkojnë, amerikanët.

Thelbin e bisedimeve të Tuk Jakovës në Departamentin Amerikan të Shtetit, me një kabllogram të datës 9 shtator të vitit 1945, Departamenti Amerikan i Shtetit ia transmetoi jo pa qëllim ministrit Byrnes, që kryesonte delegacionin e SHBA në bisedime në Konferencën e Paqës në Paris. Departamenti Amerikan i Shtetit i shprehu Brynes pikëpamjen se “Enver Hoxha edhe mund t’i tërhiqte propozimet e 13 gushtit dhe t’i zëvendësonte ato me një “letër të re, duke miratuar sigurimet që kërkojmë ne””. Por këto ishin vetëm opsione me tendencën pozitive të SHBA për marrëdhëniet me Qeverinë e Enver Hoxhës. Në këtë rast, theksohej në kabllogram, Qeveria Shqiptare duhet t’i njihte Traktatet pa shtuar kushte të reja. Mirëpo të kundërtën kërkonte nga SHBA Enver Hoxha. Ai kërkonte që SHBA të ndërmerrnin veprime vetëm të njëanshme, vetëm “ndihma dhe njohje” për “Qeverinë” dhe të “Qeverisë” shqiptare. Edhe në një intervistë të datës 19 shkurt 1945 për reporterin Peter Furst, i zyrës së Romës, për gazetën amerikane “Star and Stripes”, Stefan Peters, i cili luante rolin e përkthyesit, i raportonte Departamentit Amerikan të Shtetit se “Enver Hoxha këmbëngul që dy kërkesat e tij kryesore për SHBA-në ishin “njohja dhe ndihma” nga Amerika”. Lidhur me “njohjen”, amerikani Harri Fultz, i mirënjohur pothuaj nga mbarë shqiptarët, pasi kishte qenë Drejtor i Shkollës Amerikane të Tiranës , që ishte në atë kohë funksionar kryesor i Misionit Amerikan në Tiranë, në emër të kreut të Misionit amerikan që ndodhej në Shqipëri, Xhozef Xhekobs, më 12 nëntor 1945 i dorëzoi Enver Hoxhës një Notë të Qeverisë Amerikane, ku në të thuhej se “SHBA janë të gatshme të vendosin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë vetëm kur ajo (Shqipëria) të përmbushë një seri kushtesh lidhur edhe me zgjedhjet e ardhshme të 2 dhjetorit të vitit 1945 për në Asamblenë Kushtetuese”. Cilat ishin kushtet që parashtronin amerikanët?

1.Zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri duhet të mbahen në baza të vërteta lirie.

2.Të gjithë elementet demokratikë dhe grupet politike në Shqipëri duhet të ushtrojnë të drejtën e fjalës së lirë dhe të kenë të drejta të plota ligjore, të nxjerrin dhe të mbështesin kandidatët e tyre.

3.Të lejohen korrespondentët e huaj si dhe vëzhgimi dhe liria e komunikimit për ecurinë e zgjedhjeve dhe punimet e Asamblesë Kushtetuese.

4.Të njihen Traktatet dhe Marrëveshjet mes Shqipërisë dhe SHBA që kanë vepruar deri më 7 prill 1939 dhe Qeveria e re t’i lerë në fuqi edhe në të ardhmen.45)

Në fakt, “Qeveria” e Enver Hoxhës, po e tregonte çdo ditë se vepronte në kundërshtim me kërkesat e mësipërme amerikane, që ishin kërkesa demokratike dhe se ajo gjithnjë e më shumë po shkiste në autotarizëm. Zgjedhjet e 2 dhjetorit ishin prologu i gjithëçkaje dramatike që do të ndodhte në të ardhmen në Shqipëri.

Në një artikull, të shkruar asokohe nga një diplomat amerikan për marrëdhëniet shqiptaro – amerikane, thuhet se Enver Hoxha dhe Josif Broz Tito e larguan Shqipërinë nga SHBA-ja. “Si rrjedhim i raportit të 8 shkurtit 1946 të zotit Jacobs (përfaqësues i misionit amerikan në Tiranë), edhe më parë më 12 shkurt të vitit 1945 Departamenti i Shtetit i dërgoi një Notë të fortë Enver Hoxhës, duke iu ankuar rreth trajtimit jo të sjellshëm nga “Qeveria” shqiptare ndaj anëtarëve të misionit dhe duke kërkuar përsëri nga “Qeveria” Shqiptare të njoftonte se i njihte Traktatet dhe Marrëveshjet e mëparshme. Për të biseduar rreth Notës që përmendëm, në një takim me Enver Hoxhën më datën 27 shkurt të vitit 1945, Jakobsi bëri edhe një theksim të veçantë mbi Marrëveshjen e Kombit më të Favorizuar, mirëpo Enver Hoxha në vend që të reflektonte, në përgjigje bëri një kundra deklaratë skandaloze diplomatike ku theksonte se “detyra e parë e Qeverisë së tij, pas njohjes nga Shtetet e Bashkuara, do të jetë rishqyrtimi i Traktateve dhe i Marrëveshjeve dhe se Qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet t’i besojë qeverisë së tij lidhur me këtë çështje”. Ndërsa Jakobsi, në kabllogramin e tij të një dite më pas, të datës 28 shkurt po të vitit 1945, iu përgjigj Enver Hoxhës se “kjo nuk ishte një çështje besimi, ndërsa në vështrim të zhvillimeve të fundit (me këto fjalë duhej të kihej parasysh shtimi i influencës së jugosllavëve dhe sovjetikëve në Shqipëri), Marrëveshja e Kombit më të Favorizuar dhe Traktati i Natyralizmit, ishin për Shqipërinë më me rëndësi se kurdoherë tjetër”.46). Theksimi i Jakobsit mbi Marrëveshjen e Kombit më të Favorizuar, u bë në një kohë kur jugosllavët, që kishin atëherë në kontroll të plotë regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri, ishin duke përpiluar Traktatet e tyre me autoritetet e Tiranës për ta përfshirë ekonominë e Shqipërisë në gjirin e ekonomisë së Jugosllavisë. Një numër traktatesh për këtë qëllim, (për gllabërimin e Shqipërisë nga Jugosllavia) u nënshkruan kryesisht në pranverën e vitit 1946.

“Marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Amerikës nuk janë një realitet që i përket vitit 1922, -thuhej në korrespondencën e Departamentit amerikan të Shtetit,-kur me përfaqësuesit e Qeverisë amerikane u nënshkrua Marrëveshja për statusin e Kombit më të Favorizuar. Kjo Marrëveshje u nënshkrua në Tiranë në korrik të vitit 1922 dhe hyri në fuqi më 28 korrik të po atij viti. Ndërsa për qeverinë shqiptare, kjo marrëveshje hyri në fuqi më 28 dhjetor 1925, pas votimit në Parlamentin shqiptar dhe firmosjes nga Presidenti i Republikës Ahmet Zogu. Në vijim u nënshkruan edhe një seri marrëveshjesh të tjera si “Marrëveshja mbi shkëmbimin e notave për heqjen e taksave për vizat e zakonshme” (1 qershor 1926); “Marrëveshja monetare” (1 korrik 1933); Traktati i Arbitrimit (12 shkurt 1929); “Traktati i Natyralizimit,” që u nënshkrua në Tiranë më 5 prill 1932 dhe hyri në fuqi më 22 korrik 1935; apo “Traktati i Ekstradimit” (14 nëntor 1935). Pas Luftës së Dytë Botërore, njohja e Qeverisë së re shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kushtëzua nga njohja e këtyre Marrëveshjeve të firmosura mes palëve, Qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane deri në vitin 1939. Ndonëse plotësimi i këtij kushti nuk u arrit nga regjimi i Enver Hoxhës, përsëri SHBA më 11 prill 1945 firmosën një marrëveshje me trupat ushtarake të Shqipërisë të pas Luftës, për Ndihma Humanitare. Pikërisht kur po zhvilloheshin bisedimet e Enver Hoxhës me përfaqësuesin e Misionit Amerikan në Tiranë Jacobs (27 shkurt 1945), jugosllavët vendosën dhe diktuan që të mos pranohej versioni i Uashingtonit, gjë që e përmend në Librin e Bardhë jugosllav edhe Vladimir Dedijeri, ish biografi i Titos, i cili shkruante se sikur “Qeveria shqiptare ta kishte pranuar kushtin e Traktateve, qarqet financiare amerikane do ta kishin ndihmuar plotësisht ekonomikisht Shqipërinë. Ishte pikërisht kjo arsyeja, -thotë Dedijeri, që “miqtë e jashtëm” (lexo jugosllavët dhe sovjetikët) ndërmjetësuan tek Enver Hoxha që ai ta hidhte poshtë kushtin e Shteteve të Bashkuara”.48)

E vërteta është se me këtë vendim të marrë nga Enver Hoxha nën jugosllavët e sovjetikët, populli shqiptar e humbi nordin, e humbi Amerikën, atë Amerikë që e mbrojti kur kërcënohej me humbjen e pavarësisë dhe ekzistencës, atëherë kur në Konferencën e Paqes në Paris, Presidentit amerikan Uillson, mbështetur në doktrinën e vetëvendosjes së popujve, mbështeti fuqimisht rikonfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë, që në realitet e në ato momente ishte një pavarësi e humbur! Ishte vetoja e Uillsonit pro Shqipërisë, që shkatërroi planet ogurzeza sidomos të Serbisë, Greqisë dhe Italisë, për të eliminuar dhe fshirë nga harta shtetin shqiptar. Sa kuptimplotë është të lexosh sot, pas një shekulli, atë që Uillson e tha ato ditë në Paris: “Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë, njëlloj sikurse kapiteni i anijes që e ka për detyrë t’i përgjigjet sinjalizimit “Sos” dhe t’i afrojë ndihmë anijes tjetër që po mbytet.

Përveç kësaj mbrojtje të Presidentit Uillson, po ashtu populli shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës diplomacisë amerikane, e cila që më 22 korrik të vitit 1922, arriti të vendosë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shqipërinë dhe të nënshkruajë në vazhdim një seri Marrëveshjesh përfshi edhe atë të “Kombit më të favorizuar”, që Enver Hoxha i silurojë. Jo vetëm dhënia e statusit të “Kombit më të Favorizuar” e njohur plotësisht më 28 dhjetor 1925, jo vetëm heqja e vizave amerikane me Shqipërinë e të tjera Marrëveshje fovorizuese për Shqipërinë, si dhe ndërtimi i godinës së ambasadës amerikane në Tiranë, (me vendimin e 21 gushtit 1926) e para godinë që Departamenti i Shtetit ndërtonte jashtë SHBA -së, tregonin për vizionin e qartë e të plotë të marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë. Si vitrinë e këtyre marrëdhënieve, qëndron Marrëveshja unikale e Ekstradimit, nënshkruar në vitin 1937 nga Presidenti Franklin D. Rosevelt me mbretin Ahmet Zogu, që tregon shkallën e nivelit të lartë të atyre marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin i vetmi shtet në botë, që denoncuan pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill të vitit 1939!

Ndonëse Enver Hoxha “i përzuri amerikanët” nga Shqipëria, SHBA gjatë viteve 1945-1949 bënë disa tentativat për ta demokratizuar regjimin e Tiranës, por ishte e pamundur pasi Shqipëria ra nga duart e jugosllavëve plotësisht në duar e sovjetikëve. Përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Shtetit i theksuan verbalisht Behar Shtyllës si vëzhgues në OKB, por edhe me shkrim se pranimi në OKB kërkonte plotësimin e disa kritereve të parametrave ndërkombëtare, por edhe llogaridhënien për mos lejimin e veprimtarisë korrekte të misioneve angleze e amerikane në Shqipëri, deri te respektimi i Traktateve e Marrëveshjeve dy a më shumë palëshe të nënshkruara që në kohën e Mbretit Zog, përfshi edhe atë më të rëndësishmen për Shqipërinë, statusin e “Kombit më të Favorizuar”, të cilën Enver Hoxha përsëri e refuzoi.

Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes