Ballina Opinion Në tualetin e Ramës, masturbimi është revolta e vetme

Në tualetin e Ramës, masturbimi është revolta e vetme

157
0

Nga Reldar Dedaj 

Në adoleshencë, ai mësoi se liria ekzistonte vetëm brenda një banjoje të mbyllur. Aty ku pasqyra nuk gjykonte, ku heshtja nuk kërkonte sqarime, ku trupi çlirohej në fshehtësi dhe turpi pastrohej me letra higjienike. Masturbimi, ky akt i vetmuar dhe i padurueshëm, nuk ishte thjesht një kënaqësi kalimtare, por një gjendje ekzistenciale: një mënyrë për të jetuar dëshirën pa marrë guximin për ta përmbushur. Një përpjekje për të shpërthyer, pa pasur asnjë derë të hapur.

Ai nuk e dinte atëherë, por ky ritual do të bëhej metafora themelore e një shoqërie të tërë. Sepse Shqipëria sot është një banjo kombëtare. Një vend ku çdo qytetar mbyllet në vete, i ndaluar të flasë, i ndalur të kundërshtojë, duke shpërthyer në mënyra të padukshme, të pafuqishme, të turpshme. Një shoqëri ku masturbimi – në kuptimin më të gjerë të fjalës – është bërë forma e vetme e revoltës: vetjake, pa dialog, pa rezultat.

Jemi bërë spektatorë të vetvetes, të kthyer nga pasqyra, që vetëm na reflekton mbrapsht në heshtje. Nuk ka më përballje me pushtetin, nuk ka më thirrje për drejtësi. Ka vetëm një lloj kënaqësie të hidhur: të shohësh të vërtetën dhe të mos thuash asgjë. Kjo është ajo që kërkon pushteti sot: jo pajtim, por mospërballje. Jo dashuri, as urrejtje, vetëm dorëzim në heshtje.

Masturbimi si akt i vetmuar dhe i pafuqishëm është kthyer në metaforën më të saktë të një shoqërie që nuk flet më me askënd, as me pushtetin, as me veten. Një regjim i ndërtuar mbi heshtjen nuk ka më nevojë për dhunë klasike: ai mbijeton përmes nënshtrimit të brendshëm, të heshtur, të fshehur. Një Shqipëri e mbyllur në vetvete, ku çdo rebelim është i fshehtë dhe çdo çlirim është vetmitar. Ku pushteti i “Njëshit” nuk ka nevojë të godasë, sepse frika është bërë zakon, dhe zakoni është bërë regjim.

Në këtë Shqipërinë e Edi Ramës, pushteti është një hije që ngrihet mbi çdo mendim ndryshe. Debati është zëvendësuar nga kontrolli i plotë. Përfaqësimi ka humbur kuptimin dhe është shndërruar në një akt servilizmi ndaj liderit. Deputetët e PS-së janë vegla të verbra në duart e tij, dhe struktura e partisë, dikur shtëpi pluralizmi, është shkrirë në një aparat që ruan vetëm pushtetin e “Njëshit”.

Në këtë teatër të heshtjes, Rama nuk u tremb të fusë në Kuvend emra që lëvizin në hije të krimit të organizuar, individë me precedentë penalë që u bënë ligjvënës jo për meritë, por për shije të liderit ndaj servilizmit dhe kontrollit total. Lista e Lezhës, ku vetëm Mimi Kodheli mbeti jashtë rrjetës së dekriminalizimit, u shndërrua në simbol të degradimit politik dhe moral.

Megjithatë, asnjë zë kritik nuk u ngrit brenda PS-së. Ata që guxuan, si Ben Blushi apo Arben Malaj ose ndonjë tjetër, u dënuan me heshtje, u përjashtuan, u harruan.

Frika ka marrë formën e një pushteti të butë, por të hekurt, i cili nuk kërkon dhunë, sepse prodhon nënshtrim përmes heshtjes. Kritikë të lirë nuk ekzistojnë, pasi ata kthehen në kërcënim.

Media, institucionet dhe shoqëria civile lëvizin në fushën e minuar të vetëkontrollit, ku liria është vetëm një fjalë e tharë nga kuptimi.

Në çdo fytyrë të zbehtë, në çdo lajm të stisur, në çdo heshtje të orkestruar, shfaqet një rebelim i heshtur: si një masturbim kolektiv përballë pushtetit. Askush nuk flet, të gjithë fshijnë gjurmët, pastrojnë letrat dhe rikthehen në radhë.

Kështu lind qytetari i nënshtruar, që beson se qetësia është virtyt, se mosmarrëveshja është çmenduri, dhe se konfliktet duhen shmangur me çdo kusht. Heshtja është bërë normë, një mënyrë e re të menduari, mbi të cilën ngrihet pushteti i “Njëshit”.

Por qytetaria nuk njihet pa konflikt. Ajo lind nga përplasja e ideve, nga dasia dhe grindja e mendimeve. Si në mitet më të lashta, qyteti është pjellë e konfliktit dhe vëllavrasjes. Kaini themeloi qytetin pas vrasjes së vëllait, dhe Romuli ngriti urbs-in romak pas shuarjes së Remit.

Çdo sistem që mbyt konfliktin, që përçmon ndasinë, është një sistem që vret qytetarinë në themel. Shqipëria sot është një vend ku vrasja e mendimit të lirë ndodh pa gjak, pa plumba, por me mjete të padukshme, të heshtura, të sofistikuara.