Ballina Aktualitet Negocim pa garë: Si iu dha projekti i Bibliotekës një kompanie private

Negocim pa garë: Si iu dha projekti i Bibliotekës një kompanie private

137
0

Nga Erblin Vukaj

Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) negocionte direkt me kompaninë “X-One”, ndërkohë që thirrjet publike për ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare dështonin njëra pas tjetrës.

Në janar 2025, Korporata shpalli thirrjen për zhvillimin të Bibliotekës me partner privat. Incentiva ishte e qartë, kush merrte përsipër ndërtimin fitonte të drejtën për të ndërtuar një kullë me sipërfaqe deri në 60,000 m² te zona e ish-vilave gjermane.

Por, asnjë ofertë nuk u paraqit. Edhe thirrja e dytë, e hapur në mars, dështoi.

Ndërkohë që këto thirrje vazhdonin, dokumentet e siguruara nga Citizens.al tregojnë se Korporata kishte nisur komunikimet për negocim të drejtpërdrejtë me “X-One,” e cila njihet për faktin se jo shumë larg vendit ku pritet të ngrihet Biblioteka, do të ndërtojë tre kulla deri në 71 kate.

Më 30 korrik 2025 palët nënshkruan një kontratë, pa garë, pa konkurrencë dhe me hije favorizimi.

“Copëzat”: Mekanizmi që siguroi fshehtësinë

Kontrata e nënshkruar mes KISH dhe X-One, një kopje të së cilës Citizens.al e disponon, quhet “Copëzat,” një titull teknik që mund të të shpërqendrojë vëmendjen, por që fsheh brenda një marrëveshje me ndikim të konsiderueshëm urban.

“Copëzat” është emri i projektit me të cilin qeveria i dha Korporatës hapësirat mes pallateve në rrugën “Adem Jashari”, të pashfrytëzueshme si pasuri të veçuara, por që si duket i bënin punë kompanisë X-One.

Një pjesë të gjurmës së projektit me tre kulla “Grand Park Skyline” që X-One planifikon të ndërtojë, bie pikërisht te këto copëza dhe është e paqartë sesi kompania përfitoi lejen e zhvillimit duke mos pasur në zotërim të gjithë gjurmën e pronës.

KISH i tha Citizens.al se për këtë procedurë të drejtpërdrejtë i referohej rregullores së procedurave (e cila nuk qasej online) dhe VKM-së 137/2024, e cila sipas institutcionit parashikon se kur prona shtetërore është më e vogël se prona e partnerit privat, Korporata mund të negociojë direkt, pa procedurë konkurruese.

Citizens.al i kërkoi Korporatës kopje të rregullores së cituar, dhe një shpjegim më të hollësishëm pasi nga shqyrtimi plotë i VKM-së në fjalë krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një ri-interpretim pasi kjo qasje nuk citohet shprehimisht në akt.

Korporata saktësoi se baza ligjore që kishte përdorur ishte pika 3, gërma “k” e VKM 137/2024, ku “procedura e negocimit të drejtpërdrejtë” përkufizohet si përzgjedhje direkte e partnerit kur ekziston “raporti i posaçëm i tij me projektin e investimit apo me cilësitë e lidhura me pronën” ose kur projekti “përbën një inovacion/është risi në tregun vendas apo rrit në mënyrë të dukshme dhe të drejtpërdrejtë vlerën e pronës”.

Ajo shtoi gjithashtu duke i konsideruar si autorizime të posaçme VKM-të 12/2025 dhe 326/2025. Por nga verifikimet e Citizens.al nuk rezultoi të ketë pasur as autorizim të posaçëm nga qeveria dhe as rrethana specifike të raportuara nga KISH.

Në përgjigjen e fundit, Korporata referoi një link publik ku sipas saj gjendej “Rregullorja e Procedurave Konkurruese”, megjithëse më herët ajo nuk ishte e aksesueshme në faqen zyrtare.

Kjo është hapësira ligjore përmes së cilës u legjitimua negociimi me X-One, që drejtohet nga sipërmarrësi Ylli Ujka në ortakëri me Çesk Ivanaj dhe Ilir Trebicka.

Negocim mbi prona që nuk zotëroheshin

Korporata tha fillimisht për Citizens.al se në këtë marrëveshje kontribuoi me 12 “copëza toke shtetërore” me sipërfaqe totale prej 2,702 m²,“nga 5 deri 1,114 m² secila.” 

Por verifikimet tregojnë një problem serioz. Në momentin kur nisën negociatat me “X-One” (prill 2025), KISH nuk ishte ende pronare e të paktën 9 prej këtyre pronave: 4/112, 4/113, 4/114, 4/119, 4/443, 4/450, 4/855, 4/860 dhe 4/861.

Në përgjigjen e saj të mëvonshme, Korporata sqaroi se VKM-ja 326/2025 ka transferuar fillimisht 9 prona, por njëra prej tyre (4/119) është ndarë më pas në tre pasuri të reja (4/979; 4/980; 4/981), duke e çuar numrin në 11, ndërsa pasuria e 12-të (4/869) tha se ishte transferuar veçmas përmes VKM 12/2025.

Njëmbëdhjetë nga 12 pronat janë “bishta” parcelash toke që janë të lira mes trotuareve dhe pallateve në rrugën “Adem Jashari”. Ato iu transferuan Korporatës vetëm më 11 qershor 2025 përmes VKM-së 326/2025, teksa negociatat kishin filluar që më 22 prill.

Pra, Korporata ka hyrë në negociim për prona që nuk i kishte ende në pronësi.

Ajo e kundërshtoi këtë përfundim të Citizens.al, duke theksuar në një përgjigje të mëvonshme me shkrim se “procedura e negocimit e nisur në datën 23.04.2025 i referohet vetëm pasurisë nr. 4/869”,ndërsa për pronat e tjera negocimi ka vijuar pas transferimit me VKM 326/2025.

Sipas saj, “në asnjë rast nuk është zhvilluar negociim mbi pasuri që nuk ishin ende në pronësi të Korporatës, por vetëm veprime përgatitore dhe bashkërenduese”.

Në këmbim, Korporata pretendon se do të përfitojë 40% të sipërfaqes së ndërtimit total të kompleksit: rreth 25,963 m2, me vlerë të deklaruar prej 65.7 milionë euro.

Në përgjigjen e saj, Korporata sqaron se kjo vlerë është përllogaritur mbi bazën e sipërfaqes që përfiton nga marrëveshja dhe “çmimeve të referencës zyrtare të zonës ku do të zhvillohet projekti”, si rezultat i përfshirjes së 2,702.88 m² pronë shtetërore në projekt.

Kjo vlerë që realisht është thjesht ende imagjinare, sipas kontratës, do të përdoret për të financuar ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare nga “X-One”.

Në pamje të parë, skema duket funksionale, shteti jep tokë dhe merr në këmbim financimin e një objekti të rëndësishëm publik. Por kronologjia e zhvillimeve e përmbys këtë logjikë.

  • Më 14 shkurt 2025, “X-One” paraqet kërkesën për bashkëpunim numër protokolli 128.
  • Më 13 mars, Korporata hap thirrjen e dytë publike për partnerë privatë për Bibliotekën.
  • Më 17 mars, vetëm katër ditë më pas, Korporata i dërgon “X-One” ftesë për propozim me numër protokolli 178.
  • Më 7 prill, thirrja publike për Bibliotekën mbyllet pa oferta.
  • Më 23 prill, nis zyrtarisht negocimi me kompaninë “X-One”.
  • Më 30 korrik palët nënshkruan kontratën.

Kronologjia tregon se procesi konkurrues dhe negocimi i drejtpërdrejtë kanë ecur paralelisht. De facto, partneri duket se ishte përzgjedhur paraprakisht.

Korporata nuk ka sqaruar pse nuk hapi procedurë të re konkurruese pas prillit 2025 dhe as pse nisi korrespondencën me X-One ndërkohë që thirrja publike e dytë për bibliotekën ishte ende e hapur.

Prej janarit 2025, Citizens.al ka ndjekur me vëmendje punën e Korporatës dhe po ashtu projektet madhore të ndërtimeve në kuadër të rubrikës “Tirana Vertikale”.

Pjesë e këtij raportimi të vazhdueshëm ka qenë dhe projekti ambicioz i kompanisë X-One, Grand Park Skyline me tre kulla 40, 51 dhe 71 kate, konceptuar nga arkitekti zviceran Valerio Olgiati, të cilat pritet të ngrihen në hyrje të parkut të liqenit dhe gjurma e saj bie mbi katër pallate dhe ndërtesa private ekzistuese në rrugën “Adem Jashari”.

Nëse shqyrtojmë rrethanat me kontekstin e zhvillimeve të sotme, vëmë re se X-One e kishte marrë lejen e zhvillimit për projektin në fjalë që më 31 korrik 2024, pra plot gjashtë muaj para se të fillonte negociatat me Korporatën për “copëzat e tokave”shtetërore (2,702.88 m²) që janë pjesë e gjurmës së projektit. 

Ndaj mund të themi se kontrata me Korporatën nuk ishte parakushti i lejes së zhvillimit, por pasojë e saj.

Projekti i Bibliotekës Kombëtare, pra, nuk u shfaq si qëllim që nxiti kompaninë “X-One” të investonte, por si instrumenti për të përfituar pronën publike brenda projektit të saj tashmë të miratuar për zhvillim.

Kjo kuptohet nga fakti se pas arritjes së dakordësisë me Korporatën, “X-One” ka kërkuar marrjen e lejes së ndërtimit, kërkesë që figuron në rendin e ditës së KKTU-së për datën 29 shtator 2025.

Qeveria e paraqet marrëveshjen si rast suksesi: “X-One do të marrë përsipër koston e financimit të Bibliotekës Kombëtare.” Por procedurat e ndjekura për këtë marrëveshje janë të dyshimta dhe tregojnë edhe njëherë dinamikën se ku kanë përfunduar parimet e konkurrencës, transparencës dhe vendimmarrjes për publiken.

Çfarë mungon në kontratë?

Kontrata noteriale e 30 korrikut 2025 është një dokument i përpunuar me kujdes ligjor. Por pikërisht kujdesi i saj zbret disa pyetje të rëndësishme.

Korporata pretendon se zhvillimi i mundshëm prej 25,963 m² mbi “copëzat e tokës” që ka negociuar, vlen 65.7 milionë euro. Por kjo vlerë duhet të burojë nga “çmimi i referencës” sipas VKM-së, pra si logjikë do të duhej të ishte një çmim administrativ, jo çmim tregu.

Kontrata e firmosur nuk e tregon se kush e ka bërë vlerësimin e pavarur. Edhe në përgjigjen e fundit, dërguar në rrugë elektronike më 5 maj, Korporata nuk referoi një raport të pavarur vlerësimi, por tha se vlera është rezultat i përllogaritjes mbi parametrat e marrëveshjes dhe çmimet e referencës.

Ndërkohë, projekti i Bibliotekës mbetej në fazën konceptuale, dhe vetë Korporata e theksonte në thirrjet e bëra gjatë periudhës janar-prill 2025, se cilido nga privatët që do të shpallej fitues do të merrte përsipër edhe kostot e zhvillimit të projektit të detajuar.

Korporata argumenton se vlerësimi i kostos është bërë mbi “metodologji standarde të analizës paraprake”, duke përfshirë krahasime me projekte të ngjashme, kosto mesatare për metër katrorë dhe parametra urbanistike, dhe se ky është një vlerësim “paraprak dhe indikativ”.

Pra për Korporatën nuk kishte problem se projekti i Bibliotekës ishte ende pa pjesën e detajuar të saj. Ndërkohë kompania X-One nuk iu përgjigjën kërkesave për komente në lidhje me këto pika.

Por pjesa që ngre më shumë pikëpyetje në këtë marrëveshje është fakti se garancia e lënë përsipër është vetëm 2%.

Korporata shprehet se niveli i garancisë është përcaktuar “në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare” dhe në zbatim të rregullores së saj të brendshme.

Pra nëse X-One dështon të ndërtojë Bibliotekën, Korporata mund të ekzekutojë garancitë bankare, të barabarta me vetëm 2 përqind të vlerës totale të investimit rreth 1.5-2 milionë euro. Por në raport me rëndësinë që ka Biblioteka dhe fakti se ky projekt është zvarritur prej 5-6 vitesh, nuk ofron aspak mbrojtje.

Kompania “X-One” është e regjistruar me adresë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, me administrator Ylli Ujka nga Lezha.

Ortakë të Ujkës janë dy sipërmarrësit Çesk Ivanaj dhe Ilir Trebicka, ky i fundit me kompaninë “Trema Tech,” fitoi konkursin për zhvillimin e “Pallatit të Sportit Asllan Rusi” në një top betoni me funksione mikse tregtare dhe rezidenciale që vlerësohet të kërkojë rreth 109 milionë euro investim.

Por pikërisht kapacitetit financiar dhe aftësia reale e këtij grupi investitorësh për të investuar rreth 400 milionë euro në tre kullat e “Grand Park Skyline” dhe po kështu rreth 55 milionë euro për Bibliotekën, nuk është vlerësuar publikisht nga asnjë autoritet.

Grupi i investitorëve dhe vetë Korporata nuk iu përgjigjën kërkesave të Citizens.al për koment.

Modeli që përsëritet

Historia e projektit të Bibliotekës Kombëtare ka paralele të qarta me histori të tjera zhvillimi veprash publike në Tiranë si Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Piramida, Teatri Kombëtar etj.

Vetë teatri u shemb nën justifikimin se një investitor privat si kompania Fusha – e cila dhuronte projektin e ri të konceptuar nga arkitekti danez Bjarke Ingels, pa ia kërkuar njeri – do ta rindërtonte me financim të saj, duke fituar të drejtën për të ngritur kulla përreth, madje edhe mbi një pjesë trualli publik. 

Ai model u kritikua dhe kundërshtua ashpër. Kuvendi miratoi edhe një ligj special për ta favorizuar këtë ujdi, pavarësisht se hasi akuza për shkelje kushtetuese dhe pazare në kurriz të publikes.

Të gjithë e dimë sesi shkoi ajo histori. Teatri i ri aktualisht nuk është ndërtuar edhe pse u shemb me dhunë në mes të pandemisë më 17 maj 2020.

Biblioteka Kombëtare ndjek një rrugë të ngjashme, por me një ndryshim strukturor: nuk ka ligj special, vetëm vendime qeverie përmes së cilave ujdia arrihet dhe nënshkruhet administrativisht pa qenë nevoja për të kaluar nër Kuvend, pra pa debat parlamentar, madje edhe pa debat publik.

Ky është ndoshta ndryshimi më shqetësues, jo se modeli është fiks i njëjtë me teatrin, por sepse filtrat e transparencës dhe vendimmarrjes janë tkurrur aq shumë sa çdo gjë vendoset në prapaskenë.

Ndërkohë, zona e ish-Gardës së Republikës, ku premtimi i vitit 2018 i kryebashkiakut Erion Veliaj ishte për “park të gjelbërt, pa kulla” po kthehet me shpejtësi në një park kullash: Grand Park Skyline i X-One, Platinum Tower i Nova Construction dhe Garda Tower i Artech Group-El-Prom.

Në vitin 2020, kur arkitekti belg Xavier De Geyter prezantoi konceptin e tij për Bibliotekën e re Kombëtare, imazhet ishin frymëzuese: një ndërtesë e pastër, moderne, e vendosur pranë Liqenit Artificial, e hapur ndaj qytetit dhe qytetarëve.

Pesë vite e gjysmë më vonë, Biblioteka ekziston ende vetëm si shtojcë e një kontrate 36-faqeshe noteriale, midis dy palësh që kanë interesa shumë të ndryshme.

Nëse qëllimi ka qenë që Shqipëria të ketë një bibliotekë kombëtare të denjë, pyetja e parë dhe e thjeshtë është se pse një projekt i tillë nuk financohet nga buxheti i shtetit? 

Shqipëria shpenzon çdo vit miliarda lekë në konçesione dhe partneritete publike-private të llojeve të ndryshme. Një institucion kulture prej 60-80 milionë eurosh nuk është i pamundur të financohet drejtpërsëdrejt.

Përvoja e Teatrit Kombëtar, i nisur si PPP, dhe i përfunduar në financim direkt me para publike, na ka mësuar se kur vullneti politik ekziston, mënyrat gjenden.

Ndaj pyetja që mbetet është se cili është vullneti real në lidhje me bibliotekën dhe kujt i shërben ai? Citizens.al