Ballina Aktualitet Skandali/ Vëllai i Gjiknurit fitoi tenderin 220 mijë euro, platforma e regjistrimit...

Skandali/ Vëllai i Gjiknurit fitoi tenderin 220 mijë euro, platforma e regjistrimit në çerdhe nuk punon

0
40

Skandal në Bashkinë Tiranë: Platforma e çerdheve e firmës së vëllait të Damian Gjiknurit merr 220 mijë euro, dështon për më shumë se një muaj dhe vijon të paguhet për mirëmbajtje

Një investigim i Publik.al zbulon se Bashkia Tiranë ka paguar 22.2 milionë lekë të reja (rreth 220 mijë euro) kompanisë KREATX sh.p.k., ku ortak me 30% të kapitalit është Panajot Gjiknuri, vëllai i ish- ministrit  Damian Gjiknuri, për krijimin e platformës online të regjistrimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte.

Sipas të dhënave të publikuara në Open Spending Albania, pagesat janë kryer në 7 transaksione gjatë muajve maj–qershor 2025, për projektin dhe implementimin e platformës e-femijet.tirana.al.

Image

Por, siç provojnë pamjet dhe raportimet, sistemi ka qenë jo-funksional për mbi një muaj nga momenti i prezantimit, duke sjellë kaos dhe panik te prindërit që prisnin të regjistronin fëmijët.

Kronologjia e pagesave nga Bashkia Tiranë për KREATX:

27 Maj 2025 – 120,000 lekë

Shpenzime për mirëmbajtje platforme dhe shërbime teknike specifike.

27 Maj 2025 – 120,000 lekë

Mirëmbajtje dhe përshtatje e aplikacionit online.

28 Maj 2025 – 120,000 lekë

Shpenzime për shërbime teknike dhe përditësime të platformës.

28 Maj 2025 – 120,000 lekë

Shpenzime për mirëmbajtje të vazhdueshme të sistemit.

28 Maj 2025 – 200,000 lekë

Shpenzime për mirëmbajtje të sistemit dhe mbështetje teknike.

29 Maj 2025 – 21,620,000 lekë

Pagesa kryesore për projektin “Platforma e aplikimit online për regjistrim në çerdhe dhe kopshte”.

03 Qershor 2025 – 1,000,000 lekë

Mirëmbajtje platforme pas dorëzimit, ndonëse sistemi nuk funksionon.

Totali i paguar: 22,200,000 lekë (rreth 220 mijë euro).

Periudha e pagesave: 27 Maj 2025 – 03 Qershor 2025.

Një platformë e bllokuar me mesazhin “SSL Handshake Failed”

Image

Image

Në periudhën më kritike të regjistrimeve, faqja zyrtare e platformës jepte gabimin SSL Handshake Failed (Error Code 525), çka e bënte të pamundur hyrjen për aplikim. Prindërit u detyruan të shkonin fizikisht pranë zyrave të administratës, duke krijuar radhë të gjata dhe procedura të ngadalta.

Në vend që Bashkia të pezullonte pagesat ose të kërkonte penalitete për mosfunksionimin e shërbimit, transaksionet kanë vijuar, përfshirë edhe 1 milion lekë të tjera për mirëmbajtje, ndonëse platforma ende nuk funksionon siç duhet.

Lidhje politike dhe dyshime për klientelizëm

Image

Ekstrakti historik i QKB-së konfirmon se Panajot Gjiknuri zotëron 10,020,000 lekë kapital (30% të aksioneve) në KREATX sh.p.k. Dy ortakët e tjerë, Enor Nakuci dhe Lejdi Koçi, kanë nga 35% secili. Përfshirja e vëllait të një ministri të qeverisë në një kontratë të majme publike, të dhënë nga një bashki e drejtuar nga e njëjta forcë politike, ngre pikëpyetje serioze mbi procedurat e prokurimit dhe mundësinë e favorizimit.

Mungesë transparence dhe përgjegjësie

Bashkia Tiranë nuk ka bërë publik asnjë raport teknik për arsyet e mosfunksionimit të platformës dhe as nuk ka deklaruar nëse është kërkuar kompensim për dëmin e shkaktuar. Qytetarët kanë mbetur peng i një projekti të dështuar, që përveç parave publike ka konsumuar kohën, durimin dhe energjinë e tyre.

Ky është një shembull tipik i “kontratave miqësore”, ku shuma të mëdha paguhen për shërbime që nuk dorëzohen sipas standardeve, ndërsa mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies e bën të mundur që pagesat të vazhdojnë edhe në mes të një dështimi të hapur teknik./ Publik Media.