Ballina Kronika Vrau 14-vjeçarin në Maliq, autori i mitur lë spitalin dhe dërgohet në...

Vrau 14-vjeçarin në Maliq, autori i mitur lë spitalin dhe dërgohet në komisariat

32
0

Një ngjarje tragjike ka tronditur pasditen e 14 gushtit fshatin Pirg të Maliqit, ku një konflikt mes dy të miturve ka përfunduar në përdorimin fatal të një arme të ftohtë. Sipas Policisë së Korçës, rreth orës 17:30, në ambientet e një lokali të zonës, ka ndodhur një sherr mes dy 14-vjeçarëve, që degjeneroi në përleshje me thika.

Viktima, Erald Xhejo, nga fshati Zvirinë, u godit me thikë gjatë përplasjes dhe, pavarësisht transportimit të menjëhershëm në spital, nuk mundi t’i mbijetojë plagëve. Nga ana tjetër, autori i dyshuar, një i mitur nga fshati Leminot, ka mbetur gjithashtu i plagosur, por pa rrezik për jetën. Fillimisht ai mori mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhej nën mbikëqyrjen e efektivëve të Policisë, dhe më pas u transferua në paraburgimin e Komisariatit në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Sipas të dhënave paraprake, të dy të miturit kishin pasur një konflikt të mëparshëm dhe kishin rënë dakord të takoheshin në Pirg “për t’u sqaruar”. Megjithatë, takimi degjeneroi në një përleshje fizike, ku autori i dyshuar dyshohet se kishte shkuar i armatosur me thikë. Gjatë sherrit, të dy morën plagë, por fatkeqësisht Xhejo humbi jetën.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, të cilat rrethuan perimetrin me shirita sigurie dhe nisën menjëherë veprimet hetimore. Ekspertët e Policisë Shkencore kërkuan prova materiale në verandën e lokalit, mbi tavolina, në tokë dhe ndërmjet pemëve dekorative, me qëllim gjetjen e gjurmëve biologjike apo armës së krimit.

Policia ka shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes ose kanë dijeni mbi konfliktin. Janë sekuestruar gjithashtu telefonat e të dy të miturve, për të zbuluar biseda apo komunikime që mund të hedhin dritë mbi motivet. Paralelisht, në morgun e spitalit të Korçës po kryhen veprimet mjeko-ligjore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes së viktimës.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Korçës konfirmon se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së ngjarjes tragjike.