Ballina Aktualitet Pas makinave me qira, Policia tender 1.45 milionë euro për karrotreca dhe...

Pas makinave me qira, Policia tender 1.45 milionë euro për karrotreca dhe mjete për AMP

0
25

Pas tenderit të hapur në prill – maj të këtij viti për marrjen e makinave me qira për Policinë e Shtetit, me vlerë 450 milionë lekë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur këtë herë një tender për blerje mjetesh për Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore me një fond total limit prej rreth 141 milionë lekës pa TVSH (rreth 1.45 milionë euro).

Tenderi më i fundit është i ndarë në dy lote, ku i pari është për mjetet speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me fond limit rreth 1 milionë euro dhe kohëzgjatje 24 muaj. Automjetet përfshijnë 4 karrotrecë me platformë rrëshqitëse; 1 karrotrec me platformë pirun dhe 1 pajisje ngritëse teleskopike.

Kjo për shkak se Policia e Shtetit po përballet çdo ditë me problematikën e bllokimit të qarkullimit nga automjete të parkuara gabimisht, shpesh në mënyrë të dyfishtë, duke penguar lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve. Për të garantuar rendin dhe sigurinë në rrugë, si dhe për të ndërhyrë me efikasitet në raste emergjente, strukturave të saj u nevojiten më shumë mjete të posaçme për të liruar akset e bllokuara nga shkelësit e rregullave të parkimit.

Ndërsa Loti 2 është blerja e mjeteve të transportit për AMP, me fond limit rreth 37 milionë lekë (rreth 383.5 mijë euro) dhe kohëzgjatje 24 muaj.  Automjetet përshijnë 7 autovetura SEDAN 4 +1 vende dhe 7 fuoristrada (SUV). Afati për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është 15 shtator 2025, ora 11:00. /ekofin.al