Lufta e ashpër për tenderin 9.1 milionë euro të Radio Televizionit Shqiptar ka shënuar një kthesë të papritur. Pas përplasjes së madhe në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili gjeti të paligjshëm skualifikimin e kompanisë R&T nga gara duke urdhëruar RTSH-në që ta kualifikonte atë, Eni Vasili ka marrë vendim të anullojë fare tenderin.
Skyweb.al raportoi se RTSH ka anuluar tenderin me argumentet që Tërshana nuk ka vërtetuar se nuk ka qenë dënuar gjatë periudhës së kërkuar nga kontraktuesi si edhe nuk ka vërtetuar që ka paguar taksat në bashkitë ku operon.
Njoftimi i anullimit te tenderit nga RTSH
Tenderi me objekt: “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me fond limit 907 milionë lekë u shpall në mars të këtij viti nga drejtoresha në ikje, Aurora Polo.
Vetë shpallja e tenderit me shpejtësi, në kulmin e debateve të për zgjedhjen e drejtorit të ri të RTSH, ishte një veprim që ngrinte pikëpyetje shumë të forta. Megjithatë, pavarësisht këtyre pikëpyetjeve, gara u zhvillua në fillim të prillit dhe në të u paraqitën tre oferta.
Sipas dokumentave zyrtarë, oferta më e ulët u dha nga kompania T.B.S 96 e Artan Xhorit, e cila ofroi ta kryente shërbimin e kërkuar për çmimin 7.6 milionë euro. Kompania R&T ofroi çmimin 8 milionë euro, ndërsa oferta e tretë ishte ajo e bashkimit të kompanive Idea Tel dhe Real Com të cilat ofruan çmimin 9 milionë euro.
Por drejtoresha që e kishte shpallur tenderin e majmë nuk arriti ta përfundonte dot atë. Në datën 25 prill Aurora Polo u largua nga drejtimi i RTSH dhe në krye të këtij institucioni u emërua Eni Vasili. Tre ditë pas emërimit të Vasilit, komisioni i Tenderit në RTSH njoftoi skualifikimin e të treja ofertave të paraqitura në garë.
Ndërkohë, pak ditë më pas këtij vlerësimi, RTSH njoftoi anulimin e tenderit. Por dy nga pjesëmarrësit në garë, kompania R&T dhe bashkimi i kompanive Idea Tel & Real Com e ankimuan vendimin e skualifikimit në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Luftë në KPP
Kompania R&T e Renis Tërshanës ankimoi në Komisionin e Prokurimit Publik vetëm skualifikimin e saj dhe jo anulimin e tenderit. Gati një muaj më parë, Komisioni i Prokurimit Publik i dha të drejtë kompanisë.
Vendimi i publikuar në faqen zyrtare të KPP, urdhëron Drejtorinë e Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar që të anulojë skualifikimin e kompanisë R&T dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara duke e kualifikuar këtë operator.
Vendimi i KPP per shpalljen e kompanise R&T si fituese
Por sot RTSH e ka anulluar tenderin përfundimisht me motivacionin se kompania “R&T” nuk dorëzoi brenda afatit vërtetimin që provon se nuk është subjekt i dënuar penal, certifikatën për pagesën e detyrimeve tatimore vendore, si dhe ekstraktin e pronarit përfitues, të cilat konsiderohen dokumente detyruese për kualifikim sipas ligjit për prokurimet publike.
Në këto kushte, RTSH e konsideroi ofertën “të pavlefshme” dhe anuloi procedurën me arsyetimin se “nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme”.
Këto mangësira duket se janë përdorur si një varkë shpëtimi nga Eni Vasili për të shpëtuar nga patatja e nxehtë e tenderit të majmë, për të cilin është luftuar fort, jo vetëm në sipërfaqe, por edhe nën rrogoz, me përfshirjen e shumë aktorëve, përfshirë botën e krimit.