Ballina Europë Costa: BE dhe aleatët duhet të përshpejtojnë punën për garancitë e sigurisë...

Costa: BE dhe aleatët duhet të përshpejtojnë punën për garancitë e sigurisë për Ukrainën

15
0

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa tha se ka një vrull në rritje rreth ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën, pasi organizoi një samit virtual me udhëheqësit e BE-së – për të diskutuar bisedimet e djeshme shumëpalëshe në Uashington.

“Tani është koha për të përshpejtuar punën tonë praktike për të vendosur një garanci të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s – me angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së”, tha Costa në një deklaratë të lëshuar sot pas bisedimeve online.

Zyrtari i BE-së shtoi se më pas kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Neni 5 i traktatit të NATO-s përcakton se një sulm ndaj një shteti anëtar duhet të trajtohet si një sulm ndaj të gjithëve.

Ndërsa duket gjithnjë e më e pamundur që kërkesa e Zelensky për anëtarësimin e plotë të Ukrainës të materializohet ndonjëherë, aleatët evropianë dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se po diskutojnë mundësinë e ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën në modelin e Nenit 5.

Costa tha se udhëheqësit ushtarakë nga i ashtuquajturi Koalicion i të Gatshmëve, një grup kombesh – që kanë thënë se janë të gatshëm të kontribuojnë në garantimin e sigurisë së Ukrainës – në rast të një marrëveshjeje paqeje, do të takohen me partnerët amerikanë këtë javë për të përcaktuar detajet e garancive të mundshme të sigurisë.

Costa theksoi se nuk ishte vetëm siguria e Ukrainës, në rrezik – por edhe siguria e Evropës.