Të paktën 76 persona kanë vdekur pasi një autobus që po bartte migrantë afganë, të kthyer nga Irani, u përplas me makina të tjera në perëndim të Afganistanit, tha një zyrtar provincial.
“Shtatëdhjetë e gjashtë qytetarë të shtetit… humbën jetën e tyre në këtë incident dhe tre të tjerë janë lënduar rëndë”, tha përmes një deklarate Mohammad Yousuf Saeedi, zëdhënës i Qeverisë provinciale të Heratit.
Policia në qarkun Guzara, që gjendet në periferi të qytetit Herat ku ndodhi aksidenti mbrëmjen e së martës, tha se autobusi u përplas me një motoçikletë dhe një kamion që po bartte karburante. Si pasojë e aksidentit u shkaktua zjarr.
Autobusi po bartte afganë që së fundi ishin kthyer nga Irani në kryeqytetin afgan, Kabul.
Të paktën 1.5 milion persona janë kthyer në Afganistan nga Irani dhe Pakistani që nga fillimi i këtij viti. Këto dy shtete po synojnë që të dëbojnë migrantët që për dekada i kanë strehuar, sipas agjencisë për migrim të Kombeve të Bashkuara.
Agjencia shtetërore e lajmeve, Bakhtar, tha se aksidenti i së martës mbrëma ishte një më vdekjeprurësit që ka ndodhur në Afganistan në vitet e fundit.
Aksidentet rrugore janë të zakonshme në Afganistan, për shkak të rrugëve të dëmtuara pas dekadash konflikt, ngasjes së rrezikshme në autostrada dhe mungesës së rregulloreve për trafik.
Dhjetorin e vitit të kaluar, dy aksidente me autobusë që përfshinë një cisternë karburanti dhe një kamion në një autostradë në Afganistanin qendror lanë të vdekur të paktën 52 persona./REL