Ballina Politika “As 10 minuta nuk i janë dashur që t’i dalë kundër shtetit”/...

“As 10 minuta nuk i janë dashur që t’i dalë kundër shtetit”/ Edi Rama nuk heq inatin ndaj gjykatësit Balliu: Mori..

25
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri për çështjen e lirimit nga konfiskimi të një pallati pa leje, që do shërbente për zyrat e reja të Kadastrës në Tiranë.

Ai shprehet se gjyqtari Hazbi Balliu, për të cilin ka rëndësi vetëm fakti që te zyrat e vjetra të ASHK-it nuk ka pasur viktima deri tani, i janë dashur më pak se 10 minuta për ta marrë vendimin në favor të palës paditëse që i ishte konfiskuar.

Madje duke bërë analizë logjike, kryeministri shpjegon se ndërkohë materialet që iu vunë në dispozicion për shqyrtim magjistratit, kërkonin më shumë se 9 minuta kohë nga ajo që ka zgjatur seanca sipas regjistrimit zyrtar në sistemin e Gjykatës.

“As 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve që kanë bërë një pallat të tërë pa leje, i cili u konfiskua si i tillë e iu dha Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti, nuk ka pasur asnjë viktimë dhe kësisoj puna sipas tij mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërsa pallatin pa leje shohim e bëjmë…”, shkruan kreu i qeverisë në një reagim.

Ai e shoqëron postimin edhe me një foto të regjistrimit të të dhënave të seancës, ku bie në sy nisja e saj më 31 korrik 2025, në orën 14:30 dhe mbyllet në 14:39 e sigluar në kompjuterin e institucionit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk do të vendoset në godinën e një pallati pa leje të konfiskuar nga qeveria, pasi gjyqtari e quajti këtë zhvendosje jo të domosdoshme, sipas Ramës. Arsyetimi i vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu është publikuar nga kryeministri ditën e djeshme, teksa bëri thirrje që qeveria e gjyqësorit të zgjohet.

Edhe më herët Rama e kishte kritikuar vendimin e tij, duke e cilësuar edhe si “gjyqtar të pacipë”, teksa vë në dukje se muret dhe tavanet e Kadastrës së vjetër po rrëzohen dhe punonjësit mbahen peng të këtij vendimi, pasi nuk mund të transferohen dot.