Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka shprehur zhgënjimin pas humbjes 1:2 nga Real Madridi në “El Clasico”, duke pranuar se skuadra e tij nuk ishte në nivelin e duhur, ndërsa ka theksuar se nuk dëshiron të kërkojë justifikime për disfatën.
Barcelona pësoi humbjen e parë në La Liga këtë sezon, pas nëntë fitoreve radhazi, ndërsa kjo disfatë erdhi vetëm pak ditë pas humbjes nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve.
Flick pranoi se skuadra e tij nuk ishte në nivelin më të mirë, veçanërisht në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa vlerësoi se Barcelona u përmirësua pas barazimit, por gabimet e bëra ndikuan në rezultatin përfundimtar.
Trajneri gjerman u ndal edhe te lodhja fizike e futbollistëve, pas një periudhe me ndeshje dhe udhëtime të shumta, por theksoi se kjo nuk duhet të shërbejë si arsyetim për humbjen.
“Nuk dua të flas për këtë kur humbasim, dua të flas kur fitojmë, sepse përndryshe duket sikur po kërkon justifikime. Jo, nuk kam justifikime dhe nuk pranoj justifikime. Kjo është e vërteta: sot nuk kemi qenë të freskët dhe këtë duhet ta ndryshojmë”, ka deklaruar Flick pas ndeshjes.
Ai ka pranuar se dy humbjet brenda një jave janë një goditje për Barcelonën, por ka kërkuar që skuadra të reagojë dhe të përqendrohet te ndeshjet e ardhshme.
“Dy humbje brenda një jave janë shumë për mua dhe për tifozët e Barcelonës, veçanërisht kur humbim ndaj Real Madridit. Por ky është një rrugëtim i gjatë deri në fund të sezonit. Jo gjithçka është keq kur humbet, por është e qartë se duhet të mendojmë për gabimet dhe të bëjmë gjërat më mirë. Tani gjëja më e rëndësishme është të reagojmë siç duhet”, ka theksuar trajneri gjerman.
Një tjetër shqetësim për Flick mbetet situata në repartin defensiv, ku lëndimet kanë kufizuar alternativat në dispozicion. Për këtë arsye, tekniku i Barcelonës mund të shikojë edhe drejt ekipit të dytë dhe akademisë La Masia për të gjetur zgjidhje në ndeshjet e ardhshme.
Barcelona tashmë duhet të rikuperojë energjinë dhe të përmirësojë lojën, në një periudhë ku rezultatet e fundit kanë shtuar presionin mbi skuadrën katalunase.







