Ballina Bota India teston me sukses raketën balistike Agni-5, e aftë të godasë objektiva...

India teston me sukses raketën balistike Agni-5, e aftë të godasë objektiva në gjithë territorin e Kinës

0
20

India ka deklaruar se ka testuar me sukses raketën balistike me rreze të mesme veprimi Agni-5, e cila, sipas autoriteteve, është e aftë të mbajë një kokë bërthamore dhe të godasë objektiva në çdo pjesë të territorit të Kinës.

Testimi u krye të mërkurën në shtetin lindor të Odishës, ku raketa u lëshua me sukses dhe “vleftësoi të gjitha parametrat operacionalë dhe teknikë”, njoftoi Ministria indiane e Mbrojtjes.

Agni-5 është pjesë e një arsenali në zgjerim të raketave balistike të prodhuara në Indi, të ndërtuara për të përforcuar aftësitë mbrojtëse të vendit përballë rivalëve strategjikë, veçanërisht Kinës dhe Pakistanit.

Marrëdhëniet mes Indisë dhe Kinës mbeten të tensionuara që prej përplasjes së përgjakshme në kufi në vitin 2020. Megjithatë, kohët e fundit janë ndërmarrë disa hapa për përmirësimin e dialogut, përfshirë një takim mes kryeministrit indian Narendra Modi dhe presidentit kinez Xi Jinping, në një samit në Rusi.

India është gjithashtu pjesë e aleancës së sigurisë Quad (me SHBA-në, Japoninë dhe Australinë), një strukturë që shihet si një përpjekje për të balancuar ndikimin në rritje të Kinës në Azi.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet me SHBA-në kanë hasur sfida kohët e fundit, për shkak të presionit të Uashingtonit që India të ndalë importet e naftës nga Rusia. Në mungesë të një marrëveshjeje, SHBA ka paralajmëruar dyfishimin e tarifave të importit për mallrat indiane, duke rritur tensionet tregtare mes dy aleatëve.