Ballina Aktualitet Mes vetëzhdukjes dhe rrëmbimit mafioz/ Daniel Shima, dëshmitari që u zhduk në...

Mes vetëzhdukjes dhe rrëmbimit mafioz/ Daniel Shima, dëshmitari që u zhduk në Tiranë

38
0

Kthimi në shtëpi i Daniel Shimës dhe shpjegimi banal që dha se ishte larguar për shkak të një grindjeje me të dashurën nuk i ka zbehur dyshimet se zhdukja e ish-numrit dy të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit mund të ketë ndodhur për arsye të tjera, që lidhen me të shkuarën e tij tek AKSHI dhe konfliktin me peshat e rënda që kontrollojnë tenderat e këtij institucioni.

Së pari, dyshimet se Shima gënjen i shton mesazhi i tij i fundit “Po më arrestojnë”. Nëse ai do të ishte grindur me të dashurën, siç thotë, nuk kishte pse t’i dërgonte asaj një alarm të tillë i ndërgjegjshëm se po e orientonte drejt policisë. Mesazhi “Po më arrestojnë” ngjan më shumë me një thirrje të fundit për ndihmë, një mënyrë për të aktivizuar lëvizjen e autoriteteve.

Ashtu siç ndodhi; në mesditë, e ëma e Danielit shkoi në polici dhe rreth orës 17:00 bëri denoncim për zhdukjen e të birit. Lajmi më pas u shpërnda menjeherë në media…

Së dyti, pikëpyetje e madhe është destinacioni i tij në 10 orët që u konsiderua i zhdukur. Kamerat e sigurisë e kanë regjistruar automjetin e Shimës teksa largohej nga Qyteti Studenti dhe kalonte tunelin e rrugës Tiranë–Elbasan dhe nga aty nuk ka më gjurmë të tjera. Ai u rikthye 10 orë më pas, por ende nuk ka provase ku qëndroi për 10 orë, megjithëse në media ishte shpërndarë tashmë lajmi për zhdukjen e tij.

E çuditshme është se në këto 10 orë, edhe pse lajmi për zhdukjen e tij kishte mbushur portalet dhe televizionet, nuk pati asnjë reagim nga Shima, duke ngritur dyshime të forta për variantin që tregon ai në polici.

Së treti, shpjegimi për një sherr banal me të dashurën dhe mesazhi që e dërgoi atë në polici bëhet akoma më i pabesueshëm nëse llogarit se për Daniel Shimën kishte folur ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili kishte thënë se “Danieli është kërcënuar nga Edi Rama”.

Duke pasur një vëmëndje të tillë mbi vete, pas presioneve të shumta për shkak të punës së tij, dërgimi i familjarëve në polici për një zhdukje të mundshme të tij, duket një akt jashtë logjikës, një shaka e rrezikshme që e tejkalon një sherr banal me të dashurën e radhës.

Për kreun e PD-së, Sali Berishën nuk ka dyshime se Shima është i rrëmbyer. Pikëpyetja që ka Berisha është një tjetër. “A përfundoi Shima në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri. Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye” u shpreh ai në një konferencë për mediat.

Paralajmërimi i Ahmetajt: “Danieli u kërcënua nga drejtpërdrejt nga Edi Rama”

Por si ndodhi që Daniel Shima u gjend në konflikt me kryeministrin Edi Rama?

Emri i Daniel Shimës nuk do të kishte bërë bujë edhe për denoncimin e familjarëve të tij, sikur Arben Ahmetaj, ish-zv.kryeministri i larguar në Zvicër të mos e kishte përmendur në një nga intervistat e tij për kërcënimet direkte që kishte marrë Danieli nga kryeministri Edi Rama.

Më herët, Shima ishte shkarkuar si zv.drejtues nga AKSHI në mars 2024. Shima nuk konsiderohej një figurë publike dhe lëvizja e një zv.drejtori në administratë përgjithësisht nuk përbën lajm.

Por fakti që firma e shkarkimit të tij nga puna u hodh në 19 mars 2024 ditën që Mirlinda Karçanaj u mor në pyetje nga SPAK është një detaj që nuk mund të anashkalohet, pasi konfirmon përplasjen e brendshme mes tij dhe Karçanajt për një çështje korrupsionin nën hetim.

Pikërisht korrupsioni tek AKSHI dhe dëshmia e Shimës në SPAK janë arsyet e kërcënimit nga Rama, sipas Arben Ahmetajt.

“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha… Po, drejt për së drejti. Ta thashë edhe njëherë, le të dalë me batuta. Ky i kërkuari, ky derri në pyll, ky pa atdhe” deklaroi atëherë Ahmetaj.