Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në majën Pik Pobeda, në kufirin mes Kirgistanit dhe Kinës. Alpinisti italian, Luca Sinigaglia, 49 vjeç, nga Milano, ka humbur jetën teksa po merrte pjesë në një mision shpëtimi për të ndihmuar kolegen e tij ruse, Natalia Nagovitsyna, 47 vjeçe, e cila ishte e bllokuar në lartësinë 7200 metra që prej 12 gushtit për shkak të një frakture në këmbë.
Sinigaglia, i njohur si një ekspert i zonës, ishte ngjitur së bashku me një koleg gjerman për t’i çuar Nagovitsyna-s materiale jetike për mbijetesë: një thes gjumi, një furnelë, ushqime dhe një bombol gazi.
Por gjatë zbritjes, në lartësinë 6900 metra, ai u përfshi nga një stuhi bore dhe pësoi një edemë cerebrale nga lartësia e madhe, e përkeqësuar nga hipotermia dhe ngrirja.
Këto kushte rezultuan fatale për alpinistin italian, trupi i të cilit ndodhet ende në një shpellë, në pritje të rikuperimit. Ambasada e Italisë në Astana, së bashku me Konsullin e Nderit në Bishkek, po ndjekin nga afër situatën, duke qëndruar në kontakt me autoritetet vendase dhe familjarët.
Megjithatë, moti i keq po pengon edhe ndërhyrjen për të shpëtuar Nagovitsyna-n. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Kirgistanit ka evakuuar 62 persona, mes tyre alpinistë, turistë dhe shpëtimtarë nga zona e Pobeda-s dhe mali fqinj Khan Tengri, për shkak të kushteve ekstreme atmosferike.