Loti i fundit i rrugës Qukës – Qafë Plloçë, me gjatësi 9.3 km, është drejt përfundimit. Inxhinierët e kompanisë “2T” kanë bërë me dije për Bashkinë Pogradec se këtë fundjavë do të asfaltohen edhe 400 metrat e fundit, duke e bërë të aksesueshëm për automjetet, të gjithë aksin, raporti televizioni Scan. Ndërkohë që, pas përfundimit të sinjalistikës horizontale e vertikale, pritet njoftimi zyrtar për hapjen e të gjithë rrugës.
Rruga që pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit drejt juglindjes së vendit është një prej projekteve infrastrukturore, që ka kërkuar shumë vite për t’u përfunduar. Aksi u projektua në vitin 2009, teksa kredia e parë për financimin e kësaj vepre u firmos në shkurt të vitit 2013.
Huaja midis Ministrisë së Financave në emër të Qeverisë Shqiptare dhe dy institucioneve financiare, Bankës Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim, kapte një vlerë totale prej 150 milion dollarë.
Punimet për ndërtimin nisën zyrtarisht në korrik të vitit 2015, ndërsa parashikimi ishte që rruga të përfundonte në 2019-ën. Por në shtator të vitit 2020, u deklarua se nevojiteshin edhe 105.8 mln USD, prej të cilëve 56.8 mln USD për lotin I dhe II dhe 49 mln USD për lotin III. Nevoja për fonde shtesë u argumentua me problemet e trashëguara të projektit.
Deri në fund të vitit 2022 kostoja e rrugës arrinte në vlerën e 273 milionë USD. Ky projekt ndërkohë parashikohej të përfundonte me kosto prej 150 milione USD. Pra deri në fund të 2022-t kostoja është gati dyfish. Deri në përfundimin e saj kostoja do të arrijë në vlerën e 400 milionë USD. Pra pothuajse e katërfishuar nga çfarë u parashikua në fillim.
Aksi rrugor Qukës – Qafë Plloçë ka një gjatësi totale prej 43.8 km dhe do të jetë një rrugë e kategorisë C1 ku shpejtësia e lejuar do të jetë 80 – 90 km/orë./ kapitali