Ballina Opinion Gangsterët e foristradave të zeza

Gangsterët e foristradave të zeza

183
0

Nga Gezim Llojdia

Gjithë llumi është derdhur në jug. Llumi në këtë rast nënkupton: “gangësterët e foristradave të zeza”.Ata kanë marrë të “korrat nga droga, apo tenderat” dhe kanë ikur me pushime në jug. Të lodhur nga zhvatja, të djersitur nga droga, të përgjumur pas tenderave, ata kanë zbritur në bregdet. Jo për të pushuar se ata nuk lodhen kurrë, por për të shfaqur pushtetin. Për të bërë paradën e forcës. Në çdo kthesë të jugut, në çdo grykë mali, në çdo vijë bregdetare, ndjen zhurmën e motorëve të rëndë, ndjen aromën e parave të pashpjegueshme. Foristradat e zeza të njëjtat që kurrë nuk ndalen , që kurrë nuk kontrollohen nga askush tani janë bërë simboli i një pushteti që nuk njeh ligj, as rrugë,dhe as njerëz. …Tashmë, rrugët janë të tyre. Asfaltet përkulen nën rrotat e rënda, fshatrat nën zhurmën e muzikës së tyre, njerëzit nën frikën dhe neverinë e tyre.

…Nëse ti, qytetari i zakonshëm, je në rrugën e tyre ndalo! Një dritë e fortë në pasqyrën tënde do të të paralajmërojë. Një herë. Dy herë. Të tretën. Gjej një cep,futu në anë të rrugës dhe lëri të kalojnë. Mos guxo të shohësh në sy, mos guxo të kuptosh kush janë. Sepse ata nuk janë “thjesht dikush”.

– E di kush janë ata?

– Jo.

– Epo, mësoje.

-Janë :”gangsterët e foristradave të zeza”.

…Ata që nuk pyesin për ligj,për turp, për shoqëri.

Ata që i kemi lejuar të rriten mes nesh si bar i keq që nuk e këput dot më. Ata, që i kanë kthyer rrugët në pasarelë të një pushteti kriminal,ku makinat janë uniforma, ora të shtrenjta janë dekoratat, e frika jonë është medalja e tyre më e madhe.

-Ku ka polic që del përpara këtyre?!

-Eh, të shkretët policët fshihen diku pas ndonjë qosheje.-Keni parë ndonjë polic këtë verë? Askund.

Edhe nëse keni parë, do ta keni dalluar menjëherë. Në ndonjë makinë rrangallë, me dritare që nuk mbyllet, me kondicioner që s’punon.

Ata “bëjnë detyrën”… në mënyrën më të pafuqishme, që ekziston.

Dhe…

Epo, kush mund ta ndalojë këtë llum, që lëviz lirshëm, që e ka rrugën e shtruar, që merr jetë përditë?Kush mund t’i ndalë? Askush. Sepse kur drejtësia struket, padrejtësia del xhiro.Sepse kur policët bëhen spektatorë, makinat e zeza bëhen:” sundimtarë”.

E dini kush janë ata?Kapot e drogës… dhe ushtarët e tyre të bindur.

-Janë pushtetarët e korruptuar.

-Janë hajdutët e tenderave, që sfilojnë të paçfaqur.

-Janë vajzat e showbizit që zbresin me makinë luksi si të zbrisnin nga skena.

-Janë sekretaret lozonjare të ministrive, që kanë më shumë pushtet se vetë ministrat.

-Janë djemtë e oligarkëve, që s’kanë punuar asnjë ditë, por i njohin të gjitha rrugët e parasë.

-Janë vetë oligarkët, që nuk flasin por vetëm drejtojnë me gisht.

-Janë edhe ca birbo të tjerë që s’kanë emër, por kanë gjithçka tjetër.

…Kur kalojnë ata, hapni rrugën.Jo nga respekti,por nga frika.

Jo sepse duhen nderuar, por sepse ata janë gjithcka.

E morët vesh?

Vjet isha në plazh dhe parkova afër një foristrade të zezë.

Aty nga dreka po ktheheshim nga plazhi. Afër makinës time dhe foristradës shikoj një burrë rreth 65 vjeç. Në kokë mbante një shami. Dikur në kohën e shkuar e mbanin “bekçinjtë e bostanit”.Pantallonat i kishte ngritur sikur kishte qenë në vaditje. Dukej i mjeruar i shkreti. Ma bëri me shenjë familja gjynah, dmth i thuaj mos do të vijë deri te stacioni i Autobuzët.

-Zotëri mos doni të vini me ne deri te stacioni i autobusit, a më tej?

Pa njëherë majtas ,djathtas dhe pastaj mu drejtua .

-Kujt i thua?

-Juve- i thash. Ai ngriti supet dhe dorën në shenjë pakënaqësie.

Pastaj nga ana e plazhit erdhi një grua, që xarrisej ngadalë. Me flokët si ato fotot e viteve ‘80,Revista Shqiptarja e re.E shëndoshë me një kapele meksikane.

-Përse se hap makinën- i foli ashpër.

Burri nxori çelësat dhe i drejtoi nga foristrada e zezë.

-Ç’pate që bëtë llafe me këta ju drejtua atij

-Jo- tha ,këta më thanë të më merrnin deri në qytet.

-Po gjithë kjo arush,që na e ka sjell djali nga Belgjika përse e kemi.

-Përse nuk u thua mos duan ata të vijnë te makina jonë…

Dhe kishte të drejtë makina e tyre ishte mbi 60 mijë euro…dhe dihej që ishin para droge.

Por ky nuk ishte një nga gangesterët e foristradave të zeza. Ai thjeshtë përdorte foristradën e zezë blerë me parat e gangsterave të drogës.

Transballkanikja. Një rrugë e vogël, jo më shumë se 3 apo 5 kilometra. Por sot, ajo ndjehet si një autostradë ndërkombëtare. Një rrugë që dikur shënohej si 30 km/orë sot përshkohet nga foristradat e zeza me 70, 80, ndonjëherë edhe më shumë. Dhe ka burrë nëne t’i ndalojë?

Jo. Sepse dritat e tyre verbuese nuk ndalen për askënd. Sepse frika u ka dhënë përparësi mbi çdo rregull, mbi çdo jetë. Edhe rruga “100-vjetori i Pavarësisë” është kthyer në pistë gare për egon dhe çmendurinë.

-Këta, ore vëlla, të shtypin edhe mbi vijat e bardha…

Jo nga pakujdesia, por nga përbuzja. Mbi katër aksidente vetëm këtë verë dhe vetëm në këtë qytet dhe vetëm mbi vijat e bardha. Ju prisni të ndalen, të ulin shpejtësinë? Gaboheni. Po ata kanë punë!Kushedi çfarë “pune” i pret… Ata nuk udhëtojnë ata sundojnë. Rrugët i kanë kthyer në Formula 1, qytetet në pista, dhe ne të tjerët pengesa. Ku ka polici që i ndal?Ku pyesin ata për qytetarë, për të moshuar që mezi lëvizin,që ndalen para vijave të bardha e presin me durim një mëshirë që nuk vjen kurrë?Ku pyesin ata për këmbësorët, për fëmijët, për jetët?Sepse ata janë perandorë. Të pakontrolluar, të pandëshkuar, të paprekshëm. Dhe… e dini çfarë kronika japin mediat e qytetit? “Ndodhi një aksident. Policia po heton shkaqet.” Formula e njohur. E turpshme. Por të gjitha aksidentet ndodhin nga një arsye: shpejtësia. Dhe për shpejtësinë askush nuk merr masa. Askush. Asnjë ligj. Asnjë polic. Asnjë përgjegjësi. Në vendet fqinje, nëse shkakton një aksident, paguan qimet e kokës. Po pse jo këtu?Pse këtu jetët janë të lira, rrugët të shtrenjta, dhimbjet të përbashkëta? Po bëni një ligj!Një ligj që thotë: “Çdo aksident kushton 1 milion euro.” Shikoni pastaj, a ka më aksidente!

…Vunë drita në rrugën e plazhit të Zvërnecit.

E dini çfarë ndodhi?Disa shtylla prej hekuri u shkulën nga rrënjët, të përplasura nga foristradat e zeza.

Vunë hekura mbrojtës në Transballkanike edhe ato u goditën nga foristradat e zeza. Kush i goditi?Gangsterët. Kush i paguan?Qytetarët. Nga taksat e tyre. Nga xhepat e tyre. Por më keq. Edhe jetët që ata marrin…i paguajnë po qytetarët. Me dhimbjen e tyre. Me humbjen. Me heshtjen. Dhe kështu ecim…Nëpër rrugë që nuk janë më tonat,nën drita që nuk ndriçojnë më për ne dhe mbi asfalt që mban gjurmët e frikës, jo të hapave tanë. Çdo makinë e zezë që kalon, është si një kambanë që bie për një tjetër rrezi Dhe për një tjetër jetë të humbur. Dhe për një tjetër heshtje që ngjitet në qiell dhe nuk dëgjohet nga askush…