Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ishte i shkëputur nga bota, ashtu si edhe pjesa tjetër e këtij vendi ballkanik, për dekada nën regjimin komunist. Turizmi sapo ka filluar të zhvillohet në këtë qytet gjithnjë e më kozmopolit gjatë dekadave të fundit, dhe për pasojë, vizitorët për herë të parë kanë përpara disa përvoja kulturore magjepsëse, shkruan Laura Millar për revistën “Lonely Planet”.
Shumë nga ato që mund të shihni dhe bëni në Tiranë lidhen me historinë e saj, si të lashtë ashtu edhe të re, me monumente të spikatura dhe art e arkitekturë avangarde, pjesa më e madhe e të cilave lidhet me ish-udhëheqësin e Shqipërisë, Enver Hoxha.
Gjithashtu është e lehtë të largohesh nga qendra e zhurmshme e qytetit, pasi parqet e mëdha dhe kodrinat përreth gjenden vetëm një udhëtim me autobus larg. Këtu janë 20 nga përvojat më interesante brenda dhe rreth Tiranës:
- Admiro Xhaminë e Namazgjasë në stil osman
Me një sipërfaqe mbresëlënëse prej 10,000 m², kjo është xhamia më e madhe në Ballkan, që ngrihet krenare në Bulevardin “Zhan d’Ark”. E frymëzuar nga arkitektura klasike osmane dhe e ngjashme me Xhaminë Blu të Stambollit, ajo ka katër minare që ngrihen deri në 50 m dhe një kupolë qendrore që arrin 30 m. Pas rënies së komunizmit, u pa si e domosdoshme ndërtimi i saj, pasi besimtarët myslimanë nuk kishin një xhami qendrore. Punimet nisën më 2015 dhe xhamia u hap në 2024; ajo mund të presë 10,000 besimtarë. - Shëtit rreth sheshit kryesor
Sheshi Skënderbej, sheshi kryesor i gurtë dhe i gjerë i Tiranës, shtrihet në mbi 3700 m². Është një vend i popullarizuar për takime miqsh e familjesh, për shëtitje dhe biseda. Rrethohet nga disa ndërtesa me rëndësi, shumë prej tyre të periudhës komuniste. Mban emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, komandant i shek. XV që udhëhoqi kryengritjen kundër Perandorisë Osmane. - Mrekullohu me afresket e Xhamisë së Et’hem Beut
Xhamia e vogël dhe e hijshme e shek. XVIII në Sheshin Skënderbej është e zbukuruar me afreske shumëngjyrëshe që duken të freskëta edhe sot. Afresket paraqesin pemë, ujëvara, ura e peizazhe. Një mbishkrim thotë: “Xhamia i ka dhënë bukuri të përjetshme qytetit, ashtu si Hagia Sophia i ka dhënë Stambollit”. E mbyllur gjatë periudhës së Hoxhës, ajo sot është sërish vend lutjeje. - Kthehu pas në kohë te Kalaja e Tiranës
E njohur si Kalaja e Justinianit, kjo ndërtesë bizantine e shek. XIII dikur ndodhej në zemër të qytetit. Megjithëse kanë mbetur vetëm disa mure e themele, brenda ka një bazar të vogël me punishte artizanale dhe restorante tradicionale. - Shiko orën te Kulla e Sahatit
Ndërtuar mes viteve 1822–1830 nga Haxhi Et’hem Beu, kjo kullë 35 m e lartë ishte më e larta në Tiranë deri në vitet ’70. Ka 90 shkallë spirale që të ngjitin në majë për një pamje të shkëlqyer mbi Sheshin Skënderbej. - Eksploro muzeun më të madh të Shqipërisë. Gjëja e parë që do t’ju tërheqë vëmendjen te Muzeu Historik Kombëtar është mozaiku i madh mbi hyrje, vepër e pesë artistëve vendas. “Shqiptarët” paraqet figura nga e gjithë historia e vendit – ushtarë që luftojnë kundër Perandorisë Osmane, një punëtor komunist dhe një përfaqësim të Nënës Shqipëri në veshje kombëtare – të gjitha të realizuara në stilin e realizmit socialist.
- Piknik në Parkun e Liqenit të Tiranës
Një hapësirë e gjelbër gjigante në jug të qytetit me liqenin artificial, e mbushur me shëtitës, vrapues dhe familje. Brenda parkut gjenden Kisha e Shën Prokopit, Pallati i Presidentit, kopsht zoologjik, kopsht botanik dhe një amfiteatër ku zhvillohen aktivitete verore. - Shijo pamjet nga Parku Kombëtar i Dajtit
Rreth 25 km në lindje të Tiranës, parku ofron shtigje pyjore me pisha e ah dhe udhëtimin emocionues me teleferikun “Dajti Ekspres”, që në 15 minuta të çon në majë me pamje spektakolare drejt Tiranës dhe Detit Adriatik. Lart ndodhet një restorant tradicional dhe aktivitete rekreative. - Fotografo statujën e Skënderbeut
Statuja prej bronzi e Skënderbeut mbi kalë, me shpatë në dorë, u vendos në Sheshin Skënderbej në vitin 1968 dhe është një simbol krenarie e qëndrese kombëtare. - Zhyty në historinë e komunizmit te Bunk’Art
Një bunker i madh i ndërtuar në vitet ’70 për elitën politike. Tani është muze që përzien historinë e periudhës komuniste me art bashkëkohor. - Eksploro Bunk’Art 2
Një bunker tjetër në qendër, me ekspozita për rolin e Sigurimit, policisë sekrete të Hoxhës, dhe hapësira të errëta e labirintike që tregojnë për përndjekjen e qytetarëve. - Ndjek një shfaqje në Pallatin e Kulturës
Qendra më e rëndësishme kulturore e Tiranës, ku gjenden Muzeu Historik Kombëtar, Galeria e Arteve, Biblioteka Kombëtare dhe Teatri i Operas e Baletit. - Shih Katedralen Ortodokse të Ringjalljes së Krishtit
Një ndërthurje e arkitekturës bizantine me elementë modernë, e hapur më 2014, me disa nga mozaikët ortodoksë më të mëdhenj në Ballkan. - Piramida e Tiranës
E projektuar nga vajza e Hoxhës më 1988 si muze për të, pas viteve ’90 ka shërbyer si qendër konferencash, bazë e NATO-s dhe tani është qendër inovacioni (TUMO). - Vizito Vilën 31, shtëpinë e Hoxhës
Rezidenca e tij në Bllok, sot funksionon si hapësirë arti. Dikur kishte pishinë, tunele sekrete dhe kopshte tropikale. - Një natë elegante në Bllok
Nga zonë e ndaluar për qytetarët gjatë komunizmit, është shndërruar në lagjen më trendi me bare, kafene dhe restorante moderne. - Zbulo thesaret te Muzeu Arkeologjik Kombëtar
Me mbi 2000 objekte nga koha parahistorike deri në periudhën moderne: bizhuteri, statuja romake, mozaikë e monedha. - Bli produkte vendase në Pazarin e Ri
Një treg i mbuluar plot me produkte tradicionale: mjaltë, ajvar, raki, artizanate e ushqime të freskëta. - Zbulo sekretet e survejimit te Shtëpia e Gjetheve
Ish-selia e Sigurimit, ku sot ekspozohen pajisje përgjimi dhe metoda kontrolli të regjimit, duke sjellë në kujtesë persekutimin politik. - Kalo mbi Urën e Tabakëve
Një urë guri e shek. XVIII mbi lumin Lana, e përdorur nga zejtarët tabakë e tregtarët, një nga strukturat osmane të pakta ende të mbijetuara në Tiranë./Përshtati nga Lonely Planet, ekofin.al







