Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët, u ndal te dosja hetimore “McGonigal”, duke akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.
Sipas tij, opozita e ka dorëzuar me kohë padinë, por Dumani e ka mbajtur në sirtar duke mbrojtur Ramën.
Berisha tha se ish-agjenti i FBI-së, McGonigal, ka pasur lidhje të ngushta me Dorian Duçkën dhe se informacionet përfundonin në duart e kompanive kineze dhe ruse. Ai akuzoi Ramën për udhëtime me avionë privatë të kompanisë CEFC në Kinë dhe Hong Kong. Më tej Berisha e quajti Dumanin “peng të Edi Ramës” dhe “bashkëfajtor në fshehjen e krimeve të kryeministrit”.
FJALA E BERISHËS:
Pra, McGonigal nuk është aspak më shumë fajtor se sa Ramaduro i Tiranës, i cili mbrohet me fanatizëm nga Altin Troplini.
Dosjen e McGonigal opozita e ka dorëzuar me kohë në Skrapin e partisë.
Por në pafytyrësi dhe në bashkëfajësinë e tyre, Altin Troplini e ka mbajtur atë në sirtar.
Në një kohë kur mjafton të kërkosh zyrtarisht dosjen e gjykatës së SHBA dhe gjithçka e ke të provuar dhe faktuar mbi aktivitetin kriminal të Edi Ramës.
Por ai, si skllav, si mercenar i pakarakter, i inkriminuar gjer në palcë, njëlloj siç fsheh mandatin e arrestit për Pojën e Troplinëve, fsheh padinë e opozitës për krimet e shëmtuara të Edi Ramës.
Cilido që lexon këtë dosje del se Dorian Duçka ishte aq intim me McGonigalin, sikur të ishin burrë dhe grua. Por nuk kemi të bëjmë me rastin e gruas së Bilalit, por ishte një agjent i shpërfytyruar që çonte të gjitha bisedat te kompania që e paguante 50 mijë këshilltarin privat të shkëlqyer të Edi Ramës.
Lexojeni, agjenti i paregjistruar kinez McGonigal i dërgonte të gjitha të dhënat e hetimeve Patrick Ho, që ishte presidenti i fondacionit të CEFC, dhe presidentit të CEFC Kina, që ishte konglomerati energjetik kinez.
Ky ishte ndërlidhësi, ky është ndërlidhësi kryesor i Edi Ramës me këtë agjent të paregjistruar kinez dhe agjent rus.
Mos harroni udhëtimet e Edi Ramës me avion personal në Hong Kong me Dorian Duçkën.
Udhëtimet e Edi Ramës me avion personal të kompanisë CEFC në Kinë.
Këto nuk mund të hetohen nga Altin Troplini.
Këto nuk mund të hetohet sepse ky është një peng i neveritshëm i kreut të organizatës kriminale shqiptare, Edi Rama dhe bashkëkreut të organizatës Ramaduro, McGonigal.