Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se të hënën do i paraqesë SPAK-ut të dhëna të reja për dosjen McGonigal.
Përmes një njoftimi, Bardhi bën të ditur se të dhënat që do i dërgohen Prokurorisë së Posaçme, janë bërë publike nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Bardhi shtoi gjithashtu se askush në Shqipëri nuk mund të trajtohet si i paprekshëm dhe mbi ligjin, teksa shpresonte që SPAK të mos ia ndalonte me vendim publikimin e informacionit.
Reagimi i Bardhit:
Publikimi i dosjes me të dhëna të reja për aferën Rama-McGonigal nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, është më së shumti një këmbanë alarmi për Prokurorinë e Posaçme se kjo çështje nuk do mund të lihet kurrë në harresë.
Si kallëzues i kësaj afere në SPAK, të hënën do t’i paraqes zyrtarisht prokurorëve të posaçëm të dhënat e reja të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, me shpresën se ky zhvillim i ri atje do të heq pluhurin nga dosja penale në Shqipëri.
Gjithashtu, në përputhje me të drejtat që më njeh ligji procedural penal, do të rikërkoj informacion mbi hetimin e kësaj çështje dhe veprimeve hetimore që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe, duke shpresuar se këtë herë SPAK nuk do të më ndalojë me vendim publikimin e informacionit. Qytetarët kanë të drejtë të kenë transparencë të plotë mbi këtë hetim dhe ecurinë e tij. Askush nuk mund të trajtohet si i paprekshëm dhe mbi ligjin.