Fëmijët e pavaksinuar nuk do të pranohen në çerdhe, kopësht apo shkollë siç edhe parashikon ligji I sëmundjeve infektive. Prindërit mund të informohen përmes sistemit E-Albania për vaksinat që kanë aplikuar fëmijët e tyre duke shkarkuar elekronikisht kartelën me vulë nga ministria e shëndetësisë.
“Nëse në fund të kartelës del një shënim ku fëmija juaj nuk ka aplikuar të gjitha vaksinat, duhet të paraqitet pranë QSH për të aplikuar vaksinën që nuk ka aplikuar, ndryshe ai nuk rregjistrohet . Kjo vlen edhe për fëmijët më të rritur, ata që janë në klasa të para , të dyta apo të treta, për të cilët do të ketë kontrolle nga stafet e mjekëve në shkolla për të parë a i kanë të gjithë vaksinat e moshës përkatësë”, thotë Rovena Daja, përgjegjëse e Programit Kombëtar të vaksinimit.
Por vaksina që diku refuzohet e diku më shumë shtyhet në kohë, është ajo e MMR-së, ose e Fruth-Rubeola dhe Shyta për shkak të lidhjes së hamendësuar me autizmin. Sot vetem 81% e 1 vjeçarve janë të vaksinuar në kohë, pjesa tjetër e kanë shtyrë derisa fëmijë të fillojë të flasë.
”Nuk duhet shtyrë vaksina sepse në momentin që një fëmijë është 1 vjeç imuniteti natyral nga nëna ka rënë dhe është zero dhe nëse bie në kontakt me fruthin, ai infektohet dhe pasojat shkojnë deri në vdekje. Jo vetëm që mund të shtrohet në spital e mund ta kalojë shumë rëndë por mund të humbasë edhe vdekjen. Prandaj fëmija duhet të vaksinohet në kohë”, apelon ajo.
Aktualisht në vendin tonë nuk ka asnjë rast me fruth. Nëpër konsultore këto ditë është rritur fluksi I vaksinimeve por:
“Megjithatë mbulesa vaksinale me dy dozat e vaksinës MMR është 92% ndërkohë që kjo mbulesë duhet të jetë mbi 95% për të qenë të qetë për imunitetin e tufës. Kjo pasi ka edhe fëmijë që nuk mundtë vaksinohen për arsye shëndetësore dhe ata mbetet të rrezikuar nëse kjo mbulesë bie”, nënvizon Daja.
Kalendari i vaksinimi mbron fëmijët nga 13 sëmundje infektime. Vaksina e MMR kryhet në moshat 1 dhe 5 vjeç.