Ballina Kuriozitete Pas tetorit më të ngrohtë në histori, 2026-ta ka gjasa të kalojë...

Pas tetorit më të ngrohtë në histori, 2026-ta ka gjasa të kalojë pragun mbi nivelin para-industrial

93
0

Bota përjetoi tetorin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë dhe është pothuajse e sigurt se viti 2026 do të bëhet viti i dytë kalendarik pas vitit 2024 që e kalon pragun prej 1,5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, njoftoi sot shërbimi klimatik i BE-së Copernicus.

“Tetori i vitit 2026 ishte tetori më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global, me një temperaturë mesatare të ajrit në sipërfaqen e Tokës prej 1,75 gradë Celsius mbi nivelin para-industrial,” deklaroi “Copernicus” në një njoftim.

Të dhënat e tetorit shënojnë muajin e tretë radhazi mbi pragun prej 1,5 gradë Celsius, bëri të ditur Copernicus, ndërsa kushtet e fenomenit El Nino intensifikohen në Paqësor.  Gjithashtu, mesatarja katërvjeçare nga viti 2023 deri në vitin 2026 pritet ta kalojë këtë kufi.

Sipas Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, vendet ranë dakord të përpiqen ta kufizojnë ngrohjen globale në 1,5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Megjithatë, ky objektiv i referohet një mesatareje afatgjatë, ndaj fakti që një vit i vetëm e kalon këtë kufi nuk do të thotë se ai është shkelur.

Shkencëtarët theksojnë se ngrohja përtej 1,5 gradë Celsius rrit ndjeshëm rrezikun e valëve të rënda të të nxehtit, thatësisë, përmbytjeve dhe ndikimeve të tjera klimatike.

Copernicus gjithashtu bëri të ditur se 2026 ka shumë gjasa të jetë viti i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, me një mundësi prej rreth 20% për të barazuar ose tejkaluar vitin 2024, i cili aktualisht mban rekordin si viti më i ngrohtë.

Në tetor, temperatura mesatare e sipërfaqes së detit jashtë rajoneve polare arriti në 20,95 gradë Celsius duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të tetorit, të vendosur në vitin 2023.