Ballina Aktualitet Shkollat e Tiranës e nisin mësimin me turne, godinat ende jo gati...

Shkollat e Tiranës e nisin mësimin me turne, godinat ende jo gati për të pritur nxënësit

21
0

Pavarësisht udhëzimeve të reja hallet e arsimit mbeten të vjetra. Kryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Alma Lama  tha se shkollat e kryeqyteti këtë vit as nuk janë lyer për të pritur nxënësit.

“Problematika të mbartura në sistemin arsimor ne vazhdojmë të kemi. Këtë vit në fakt shkollat nuk morën vëmendjen e duhur nga bashkia në lidhje me parapërgatitjen me lyerjen apo me një higjienë të domosdoshme për fillimin e vitit të ri shkollor.”

Ky vit i ri shkollor do ti gjej sërish një pjesë të madhe të institucioneve arsimore me mësim me dy turne kjo për shkak të mungesës së investimeve në zonat periferike.

“Janë dy shkolla në Fresk që nuk i mbulojnë nevojat e komunitetit. Nga ana tjetër po ashtu Astiri është një zonë që atje që të investohet në shkollë.”

Ndërkohë që sa i përket udhëzimit për ndalimin e telefonave, ekspertja e arsimit thotë se ky nuk është problemi kryesor i shkollave.

“Patjetër që telefonat në procesin arsimor nuk duhet që të përdoren. Në fakt këto janë probleme minore në arsim dhe nuk e di se përse po trajtohen me kaq zhurmë dhe bujë. Në shkolla në kemi problematika shumë më të rëndësishme, se sa diskutimi për telefonin, e cila është një problematikë e përditshme, e njohur dhe e ezauruar.”

Nga ana tjetër Lama tha se për gati 12 mijë mësues në sistemin arsimor vijojnë të kenë problemin e pagës së grupit, e cila ju është ulur me 2 mijë lekë. Duke paralajmëruar se ky demotivim po reflektohet edhe te studentët që zgjedhin degët e mësuesisë.

“Çmimet janë jashtëzakonisht të larta dhe pagat janë të pamjaftueshme. Dyfishimi i rrogës do të ishte një motivim për mësuesit dhe një motivim për të zgjedhur degët e mësuesisë nga studentët. Kemi problematika të mëdha lidhur me regjistrimet në degët e mësuesisë. Pas katër vitesh ne nuk do të kemi mësues matematike, nuk do të kemi mësues shkencash dhe mësues cikli.”

Ministri e Arsimit ka bërë të ditur se për një siguri më të madhe në shkolla ka shtuar numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla, duke arritur në 390, por sërish kjo shifër mbulon vetëm  30% të shkollave në mbarë vendin.