Klubi i Futbollit Tirana në pak orë ka bërë një revolucion të plotë në drejtim. Pas shkarkimit të trajnerit Vangjel Mile pas vetëm dy javësh në stol dhe emërimit në vendin e tij të Roberto Bordin (me ndihmës Marco Veronese), roli i Drejtorit Sportiv i është besuar Omer Bunjakut.
Shqiptari nga Maqedonia e Veriut ka një përvojë të pasur si Drejtor Sportiv te FC Shkupi për gjashtë vite (nga 2017-2023) duke fituar një titull kampion, si edhe ka mbajtur të njëjtin post te FC Ballkani në Kosovë nga 2023-2025 duke fituar titullin kampion, Kupën dhe Superkupën.
“Klubi i Futbollit Tirana prezanton drejtorin e ri sportiv, Omer Bunjaku. Me një përvojë të gjatë në menaxhimin e klubeve jashtë vendit, Bunjaku ka qenë pjesë e disa projekteve të rëndësishme në futboll. Ai ka mbajtur role drejtuese dhe është angazhuar në ndërtimin e strukturave sportive që kanë sjellë sukses të qëndrueshëm si në fushë, ashtu edhe jashtë saj”, njofton KF Tirana.
Me Bunjakun në ‘regji’ dhe italianët Bordin dhe Veronese në stol, KF Tirana kërkon të lërë pas sezonin e fundit zhgënjyes.