Një ngjarje e pazakontë, por me përfundim të lumtur, ka ndodhur gjatë një fluturimi nga Tirana drejt Londrës. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të përkushtuar të mjekut shqiptar Dr. Kristo Papa, u arrit të stabilizohej gjendja e një pasagjeri që pësoi shenja serioze shqetësimi shëndetësor në bord.
Pasagjeri filloi të shfaqte simptoma të rënda, mes tyre lipotimi, marrje mendsh, të vjella, diarre, dhimbje abdominale, dobësi të përgjithshme dhe dhimbje koke. Situata krijoi tension dhe shqetësim mes udhëtarëve, por reagimi i menjëhershëm i Dr. Kristo Papës shmangu përkeqësimin.
Mjeku, me profesionalizëm dhe qetësi, organizoi dhënien e ndihmës së parë në bashkëpunim me stjuardesat e avionit dhe pasagjerë të tjerë. Për më shumë se tre orë udhëtim ajror, ai monitoroi dhe u kujdes për pacientin, duke siguruar stabilizimin e tij deri në uljen e avionit në aeroportin Luton të Londrës, ku pacienti iu dorëzua ekipit mjekësor spitalor për trajtim të mëtejshëm.
Ky akt human dhe profesionalizmi i treguar nga Dr. Papa tregon edhe një herë rolin e pazëvendësueshëm të mjekëve, të cilët edhe jashtë mjediseve spitalore bëhen garanci për jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Pasagjerët dhe ekuipazhi e vlerësuan lart ndërhyrjen e tij, duke e cilësuar si një shembull të mjekut shqiptar që nderon profesionin kudo që ndodhet.