Ballina Opinion Për publikun që zgjedh të ketë mendim kritik

Për publikun që zgjedh të ketë mendim kritik

26
0

Nga Adi Krasta 

Tashmë është e dallueshme se transformimi shtrembërues i bërje-marrjes së informacionit është kryer plotësisht. Nuk ka më tema të mëdha e të vogla. Ndoshta mund të duket e tepruar, por duket sikur nuk ka më as publik.

Në përpjekje për të mos sterilizuar misionin që disa nga ne, me kokëfortësi, mendojnë se ende e kanë, i kthehemi një mësimi me peshë të mendimtarit të medias Josef Pulitzer, i cili, kur kuptonte se kishte zënë fillin e një lajmi të rëndësishëm – në dukje jo bombastik – thjesht e trajtonte atë në mënyrë të përsëritur, pa u lodhur, madje pa ndonjë pretendim të veçantë, si në një kryqëzatë informimi që, në fund, krejt në fund, pasi kishte zgjatur me muaj apo me vite, shkaktonte çmontimin e vetë ngjarjes apo të personazheve të përfshirë në të.

Pra, përballë vijës globaliste të të bërit informacion – ose dezinformacion – gazetari të vërtetë apo të shitur, ku gjithkush di gjithçka apo asgjë, në këtë llogoren tonë, pa lodhje, me kujdesin e gjithmonshëm, do të vazhdojmë të flasim për ngjarjet në dukje të pandriçuara mirë, e të ndërlidhura prej pushtetit dhe mediave të tij me teori konspiracioni apo thashetheme banale.

Tanimë gjithkush e di se rëniet e mëdha spektakolare, me të shara ambasadoriale dhe fjalime autohumbëse, zhdukjet në anonimat apo me gjyqe të fuqisë së Nurembergut, nuk ka pse të ndodhin domosdoshmërisht siç e regjisërojmë ne në filmin tonë perfekt.

Duke e marrë të mirëqenë se, pas zhurmës, sundimit të sektit të së keqes – me apo pa licencë manjatesh të ekstremeve ideologjike të kontrollit politik, qeverisjes, ç’qeverisjes – lind dhe maturohet një grup i madh punonjësish partie të quajtur patronazhistë, vjen gjithsesi ndryshimi, ose në mungesë të tij, vetëshpërbërja e vendit.

Është kuptuar se kryqëzata e informimit, e palodhshme, jopretenduese, është jo vetëm punë e përditshme, por edhe e domosdoshme, dhe një përgjigje e asaj që quhet Shqipëria e Sotme.

Pra, McGonigal dhe pse-ja e interesimit të tij për reformën në drejtësi; Soros dhe licenca eksperimentale e një pushteti të patrazuar e të pacënuar nga vota e ndershme; inceneratorët dhe destinacioni i parave të tyre; shitja dhe blerja e medias, individëve të saj, e TV kombëtar, por sidomos vandalizimi dhe banaliteti i qëllimshëm i tyre; drejtësia si armë për të ruajtur pushtetin politik; emra të përveçëm gjyqtarësh kamikazë që nuk tërhiqen në shërbimin ndaj pushtetit; emra të përveçëm të pushtetit që vjedhin; emra të përveçëm të parlamentit që votojnë ligje që pushteti të vjedhë dhe të tjetërsojë pronën publike me ligj; emra të përveçëm të arsimit, shëndetësisë, tenderave të kulturës, infrastrukturës, turizmit – që në pushtet vazhdojnë të ushtrojnë forcë okulte që prokuroritë të mos guxojnë t’i hetojnë.

Këto janë temat që nuk mund të anashkalohen.

Gazetarët që do ta vazhdojnë kryqëzatën e informimit nuk do të jenë as të famshëm, as të favorizuar. Ata janë “cancelled” që në krye. Sulmet ndaj tyre do të bëhen më të hidhura. Agresiviteti delegjitimues, më i madh.

Dhe në këtë panoramë distopike, vijmë pikërisht te ai entitet për të cilin thamë se pothuaj nuk ekziston më – publiku.

Nuk ekziston në formën që e kemi njohur dikur. Ka funksionuar një normë shumë e ashpër gjatë 130 viteve të fundit, ku publiku nuk prekej. Nazëmadh, i gjerë, i gjithëfuqishëm, gjykues, vendimtar – ai nuk analizohej kurrë, nuk prekej kurrë. Njerëzit e medias bënin harakiri, vetëm e vetëm që publiku të ishte i paprekur në atë marrëdhënie aq të pabarabartë.

Sot ai, i mpirë e i mpakur, nuk e ka më fuqinë e dikurshme për të përcaktuar fatet e individëve apo të vlerave.

Por unë dua të besoj ende që nuk i drejtohemi një audience bosh, së cilës nuk i intereson kur zgjedhjet vidhen.

Besoj ende që nuk kemi përballë një publik që gëzohet kur shteti, në 4:35 të mëngjesit, në pandemi, prish në mënyrë hitleriane teatrin e vetëm të kryeqytetit.

Çfarë mund të ketë ndodhur kur një publik jeton çdo ditë në plehra, hedh plehra, prodhon plehra, dhe nuk është i shqetësuar që inceneratorët janë vjedhur dhe mbetjet janë bërë emergjencë kombëtare?

Çfarë mund të ketë ndodhur me një publik që dashuron e jeton për telenovelat e vendeve ish-perandorake, duke u entuziazmuar për gjuhë e norma që të kujtojnë një realitet të para 120 vjetëve?

Apo një publik që, kur jeton jashtë shtetit, tenton të sillet si vendasit, por sapo shkel në Shqipëri, përshtat menjëherë gjithçka me rrokopujën e atdheut, nga ku me vrap e potere është larguar dikur?

Dua të besoj që nuk kam përballë një publik që zgjedh të mos mendojë si kritik i qeverisjes, por si qeverisësi i tij. Një publik që nuk di apo nuk do ta pranojë se qeverisësi, pikërisht këtë publik nuk e merr në konsideratë.

Një marrëdhënie e çuditshme sado-mazo, kjo, që e ka historinë të gjatë e të dhimbshme në këtë vend.

Ka, megjithatë, ishuj të shëndetshëm.

Janë të shpërndarë, pa ndriçim, pa zë, pa emër, pa fuqi, pa nerv, apo të mundur – por janë ishuj të mirë të këtij publiku, dhe janë arsyeja e vetme pse nuk e kemi braktisur këtë pozicion.

Ndërkohë ne, pavarësisht gjithçkaje, le të mbetemi me kokëfortësi tek lajmet e penguara të jetës suaj të përditshme.