Sot në Tiranë, në zonën e Paskuqanit, një 29-vjeçar, pas një konflikti me dy vëllezërit e tij, i ka qëlluar me thikë, duke i lënë të plagosur.
Në njoftimin e saj, policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur këtë të mërkurë, rreth orës 11:00, në rrugën e Paskuqanit, ku paraprakisht dyshohet se, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi E. M., 29 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) vëllezërit e tij, shtetasit Z. M., 27 vjeç, dhe A. M., 20 vjeç.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku, si rezultat i veprimeve të shpejta, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit E. M., dhe shoqërimin e tij në komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale.
Dy shtetasit e dëmtuar ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.