Gazmend Bardhi ka zgjedhur të reagojë përmes këshilltarit të tij, Marash Logu, në lidhje me lajmin e VNA ku konstatoi se shkresa e dërguar në SPAK ishte pa vulë dhe në emër të një grupi parlmentar që ende nuk ekziston.
Por këshilltari Logu, duke vrapuar për t’i dalë në krah duket se ka dalë vetë bllof. Për ta zbutur gafën e mikut, Logu gjeti një letër të Niko Peleshit nga viti 2024, kur ky, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të PS, propozonte emra për komisionet parlamentare. Edhe shkresa e Peleshit ishte vetëm me firmë, pa vulë. Madje, këshilltari i Bardhit nuk kursen dhe ironinë me gjasë për t’iu përgjigjjur mediave që e publikuan, “Po ky Niko ku e ka vulën apo ia mbajnë të fshehur Rama dhe Klosi?”
Por nga dëshira e tepruar për t’u hedhur në zjarr për çdo hall të Bardhit, Logu kësaj here i hyri një krahasimi që nuk qëndron.
E para, shkresa e Peleshit mban datën 5 nëntor 2024, periudhë kur Kuvendi kishte nisur punën që në 2 shtator 2024 dhe ai ishte zgjedhur zyrtarisht kryetar i grupit parlamentar të PS. Pra, edhe pse pa vulë, Peleshit i takonte ligjërisht roli që përfaqësonte.
Ndërkohë, Bardhi i dërgon SPAK-ut një dokument pa vulë, duke folur në emër të një grupi parlamentar që… nuk dihet cili është, pasi Parlamenti i ri nuk është konstituuar ende, grupet s’janë regjistruar dhe kryetarët nuk janë zgjedhur. Aq më tepër që as nuk dihet nëse Bardhi do të jetë sërish kryetar grupi, gjë që është kthyer edhe në temë diskutimi brenda PD-së për shkak të konkurrencës së madhe.
E dyta, nëse këshilltari Logu e udhëzon mikun e tij të imitojë kundërshtarin, pa parë se çfarë thotë ligji, atëherë të dy bashkë vetëm sa rrëzojnë edhe atë pak seriozitet që mund t’u ketë mbetur.
Prandaj, këshilla e vetme për këshilltarin Logu është e thjeshtë, herën tjetër, para se të nxjerrë letra për të shpëtuar Gazin, le t’i shohë edhe datat. Përndryshe, rrezikon të bëhet po aq qesharak sa deputeti i tij i preferuar, që ende nuk është betuar./vna