Kombëtarja e Serbisë rrezikon një dënim të ashpër nga FIFA, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë ndeshjes me Anglinë në Beograd, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Në aspektin sportiv, Serbia pësoi një humbje të rëndë 0:5 përballë anglezëve, me golat e Harry Kane, Noni Madueke, Ezri Konsa, Marc Guehi dhe Marcus Rashford (nga penalltia).
Por më problematike për Federatën Serbe të Futbollit janë incidentet e ndodhura në tribuna.
Sipas mediave britanike, veçanërisht portalit “Sportbible”, sjellja e tifozëve serbë mund t’i kushtojë Serbisë sanksione të rënda.
Në stadium u shfaq një banderolë me mesazhin “Kosova është zemra e Serbisë”, ndërsa u dëgjuan edhe kore mbi Kosovën dhe Metohinë.
Këto veprime kanë nxitur reagime nga autoritetet në Kosovë, të cilët kërkuan nga FIFA dhe UEFA masa të menjëhershme.
Ndeshja u ndërpre për pak minuta pasi një lazer u drejtua në fytyrën e mbrojtësit anglez Ezri Konsa, ndërsa spikeri i stadiumit u detyrua të paralajmëronte publikun për ndalimin e përdorimit të lazerëve dhe piroteknikës.
Gjithashtu, raportohen raste ku tifozët përdorën fishkëllima artificiale për të hutuar lojtarët në fushë.
Problemet nuk munguan as në tribuna, ku policia ndërhyri për të qetësuar grupime tifozësh që nisën të këndonin këngë kundër qeverisë serbe.
FIFA dhe UEFA ende nuk kanë dalë me një komunikatë zyrtare, por pritet që Serbia të përballet me gjoba të majme dhe mbyllje të stadiumit për ndeshjet e ardhshme.