Ballina Ekonomia Bypass-i i Tiranës, lidhet kontrata e dytë – Ndërtimi i 8.5 km...

Bypass-i i Tiranës, lidhet kontrata e dytë – Ndërtimi i 8.5 km nga Kashari në Vaqarr do kushtojë 5.9 mld lekë

20
0

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka firmosur kontratën për lotin II të bypass-it të Tiranës, duke i hapur rrugë nisjes të punimeve. Marrëveshja është nënshkruar me bashkimin e operatorëve “Elmazaj Konstruksion” & “INC S.p.A.”, me një vlerë prej 2.73 mld lekë, me TVSH dhe parashikon ndërtimin e një segmenti rreth 4 km.

Për lotin I të këtij projekti, ARRSH nënshkroi pak ditë më parë kontratën me kompaninë “4 A-M”, me vlerë 3.15 mld lekë, me TVSH. Dy lotet së bashku kanë një gjatësi prej 8.5 km që mbulojnë segmentin Kashar–Vaqarr, një pjesë kyçe e bypass-it, ndërsa kosto për ndërtimin e tyre shkon në rreth 5.9 mld lekë.

Bypass-i i Tiranës ka një gjatësi totale prej 21.6 km dhe konsiderohet ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, pasi do të lidhë direkt autostradën Durrës–Tiranë me Tiranë–Elbasan, duke shmangur hyrjen e trafikut tranzit në kryeqytet.

Edhe pse përmbyllja e plotë kërkon tenderimin e pjesëve të mbetura, ndërtimi i Kashar–Vaqarr (lotet I dhe II), së bashku me lotin Kashar–Lekaj të Autostradës Milot – Fier, i cili përfshin 7 nga 8.5 km e tenderuara të bypass-it, pritet të mbyllë të gjitha hallkat e korridorit Adriatiko–Jonian.

Përveç lehtësimit të qarkullimit, projekti pritet të sjellë përfitime mjedisore dhe urbane: devijimi i trafikut të rëndë jashtë Tiranës do të reduktojë ndotjen e ajrit, ngarkesën në rrugët brenda qytetit dhe rrezikun e aksidenteve.