Ballina Kulturë “U rrit me dy etër e me dy nëna”/ Kabo profil për...

“U rrit me dy etër e me dy nëna”/ Kabo profil për Reshat Arbanën: Nderi ynë mbarëkombëtar në 85-vjetorin e lindjes…

18
0

Nga Prof. Dr. Përparim Kabo

Kur shkruan për një artist të skenës dhe të ekranit të përmasave të Reshat Arbanës, natyrshëm pyet veten: “Përse njeriu Reshat Arbana u bë artist? Cila është udha që e çoi te suksesi? Çfarë ka ndodhur, që ai është i tillë, me përmasa mbarëkombëtare?”

Nuk gjen shqiptar, kudo në botë, që nuk e njeh Isa Buletinin, te filmi “Nëntori i dytë”, i regjisorit Viktor Gjika, sjellë mjeshtërisht nga Reshat Arbana. Ajo përkulja epike e tij, me palën e flamurit kuq e zi dhe puthja aq njerëzore, që edhe me heshtje duket se thotë se cilët jemi ne shqiptarët, edhe pse historia jonë ka pasur kaq shumë tragjizëm!

Nuk ka shqiptar që, kur dëgjon Reshat Arbanën, të recitojë Gjergj Fishtën, Ali Asllanin, Mitrush Kutelin apo Kiplinkun, të mos i thotë frymës së tij: “Ndalu një hop, të lutem! Dua që këtë zë që jehon si i ardhur nga honet e maleve apo nga bjeshkët epike, që gurgullon si ata lumenjtë e harbuar, këtë zë që ngjan me oshëtimin e ortekëve, ta fus në dejet e mia. Me këtë kushtrim( kush a trim), gjaku do të më rrjedhi vrullshëm, i frymëzuar nga ky shpirt shqiptari, i cili tallazon ,si të ishte një det, që nuk di të ndalet në asnjë stinë historike.”

Nuk është e vështirë të bësh një kronikë të jetës së tij me rastin e 85- vjetorit të lindjes (15 shtator 1940). Është e rëndësishme të kuptosh se si ky njeri, djali i një shitësi perimesh, (bakall, siç quheshin aso kohe, në vitet ‘30-‘40 të shekullit të kaluar), që më vonë këtë punë ia la të vëllait dhe vetë u bë qeleshepunues, të bëhej aktor me një karrierë, gati 60- vjeçare, dhe që sot përfaqëson nderin tonë mbarëkombëtar.

Fjala e tij artistike trondit, edhe kur shpërthen, dhe kur flet qetë, heshtja e tij mendon si një rrjedhë e butë e një lumi të lodhur nga jeta dhe ngjarjet e saj, jo gjithnjë të gëzuara. Karakteri i njeriut formohet me tiparet embrionale, qysh në fëmijëri. Atje, në atë moshë njomëcake, janë të gjitha, fshehur si nebuloza që presin një ditë të shpërthejnë.

Reshati lindi në luftë dhe përjetoi gjithçka prej saj. Pa të vrarë dhe të plagosur, ushtarë të huaj dhe njerëz të rezitencës antifashiste, të varfër dhe të pasur; dëgjoi krisma pushkësh, por dhe vaje nënash dhe pa me dhimbje varrime civilësh të pafajshëm. Lufta është e tillë, që, me ngarkesën e ngjarjeve dhe me afrimin fatal të jetës me vdekjen, e vë njeriun në prova të mëdha. Gjurmët e saj mbeten brenda njeriut që jeton përgjatë saj. Lufta një ditë mbaron dhe paqja vjen me entuziazmin që ajo bart.

Por, nëse gjatë saj ke shpënë në botën tjetër pjesëtarin e familjes, kjo nuk harrohet. Ishte viti 1943, kur një skuadrilje e aviacionit anglez kishte marrë misionin për të bombarduar fushën e aviacionit italian në Tiranë. Nuk u mor vesh përse, por si të ishin të dehur, ata mitraluan edhe të gjithë rrugën e Kavajës, duke vrarë 100 civilë të pafajshëm.

Në asnjë kohë dhe në asnjë sistem, kjo ngjarje, kjo masakër, nuk u trajtua siç e meriton. Askund nuk ka një pllakë përkujtimore apo një dokumentim muzeal. Së paku, një listë me emrat e tyre.

Ibrahimi, vëllai i Reshatit, 5 vjet më i madh se ai, ndodhej në dyqanin e të atit, aty në një rrugicë. I ati i dha diçka dhe i tha të shkonte në shtëpi. Mu përballë kishës Katolike, një ushtar italian, që e kuptoi bombardimin e tërhoqi dhe e mbështolli me trupin e tij, për t’u futur në një dyqan. Fati nuk qe më ta. Predha ra mbi ta. Trupi i njomë i vëllait u bë copa- copa. E ëma e mblodhi me një batanije. Çfarë tmerri për atë nënë!

Lotët e saj,- kujton Reshati,- kurrë nuk u ndalën, deri sa një ditë u thanë. Nëna pati edhe fëmijë të tjerë, por ajo tragjedi la gjurmë të Reshati, si kur ishte fëmijë, por edhe më vonë, sa herë kujtohej i vëllai.

Në strehën e familjes ‘Arbana’, jetonin dy vëllezër: xhaxhai i tij dhe i ati, të cilët ishin martuar me dy motra. Nën atë kulm, Reshati u rrit nga xhaxhai i cili nuk pati fëmijë. Me dy etër e më dy nëna, në një shtëpi, ky lloj kujdesi u ngulit thellë te Reshat Arbana, me shenjtërinë se ç ‘është familja, ç’është prindi, ç’është kujdesi për fëmijën, edhe kur s’e ke “prej mishit dhe kockës tënde”, por e ke prej gjakut tënd.

Ja përse, vite më vonë, filmat më të bukur, ku ai ka shkëlqyer në role prindërore, janë aq të besueshëm, aq të natyrshëm! Babai, te filmi “Binarët”, i regjisorit Muharrem Fejzo, Babai që rrit djalin e vëllait, te filmi me titull; “Flutura në kabinën time”, të regjisorit Vladimir Prifti.

Kujtoja gjithnjë xhaxha Shaqirin, që më rriti si birin e vet. Njerku, te filmi “Dora e ngrohtë”, i regjisorit Kujtim Çashku, një njeri i drejtë, i pastër, por shumë i sertë. Babai, te filmi me titull: “Hijet që mbeten pas”, të regjisorit Esat Mysliu.

Pra, kur lufta mbaroi dhe jeta ishte e lirë, por shumë e vështirë, me reformat klasore, me shtetëzimet, ndjekjet dhe arrestimet, të gjitha këto ngjarje, të cilat shkaktonin ulje-ngritje emocionale, e goditën shpirtin e djalit të vogël zeshkan, shtatlartë dhe hollak, por me një dritë të brendshme, që fekste te bebet e syve dhe me një zë që dukej sikur, parakohe, e kishte lënë pas fëmijërinë.

Në një punim ë titulluar; “The Impact of War on Art: How Conflict Shapes Creativity and Culture”.(Ndikimi i luftës në art: Si konflikti formon krijimtarinë dhe kulturën), studiuesi Gavin Coates, shkruan, e citoj: “Arti dhe lufta kanë ndarë një histori të thellë dhe të ndërthurur. Ndërsa lufta sjell shkatërrim, ajo ka shërbyer gjithashtu si një burim i fuqishëm frymëzimi, duke transformuar shprehjen artistike, në mënyra të thella… lufta ndikon në krijimin artistik, te temat, në trashëgiminë kulturore dhe rimëkëmbjen pas luftës, duke theksuar rezistencën e kreativitetit njerëzor, edhe në mes të fatkeqësive”.

Nëse do ishim të kënaqur vetëm me formulimin’ vuajtje psikologjike’, të cilën e provojnë fëmijët e luftës, është me rëndësi të vëmë në pah se çfarë ndodh me ta. Fëmijët janë të ekspozuar ndaj situatave të terrorit dhe tmerrit gjatë luftës , përvoja që mund të lënë pasoja. Humbjet dhe ndërprerjet e rënda në jetën e tyre ,çojnë në shkallë të lartë të tronditjeve dhe ankthit tek fëmijët e prekur nga lufta.

Mund të ndodhi që fëmijët që përjetojnë luftën, të kërkojnë ndihmë për të dalë nga trauma, përmes artistëve dhe artit të tyre, por ndodh që vetë ata, në të ardhmen e tyre të zgjedhin si mënyrë jetese dhe profesion ,artin.

Ky është rasti i artistit Reshat Arbana. Në një farë kuptimi, lufta dhe pasojat që ajo lë, siç janë: shkatërrimet, gjendja e mjeruar, por edhe përpjekjet për të dalë prej tyre, ushqejnë te fëmijët një tërësi ndjenjash, që, në ndërgjegjen dhe në nënvetëdijen e tyre, krijojnë një pasuri të tillë, që i dallon ata nga breza fëmijësh, të cilët rriten në paqe dhe në kushtet e një prosperiteti të kënaqshëm.

Ka studime të adresuara, që gjykojnë se: “Vuajtja mund të nxisë një shpirt artistik, duke i bërë individët më të prekshëm, duke rritur empatinë e tyre dhe duke siguruar një burim të thellë emocionesh të papërpunuara, për t’i shprehur përmes artit të tyre. Vuajtja, duke mënjanuar të sipërfaqshmen, të detyron, por edhe të frymëzon të kryesh një shqyrtim të thellë të gjendjes njerëzore Vuajtja të ofron rrugëdalje katarsike për dhimbjen, duke i transformuar vështirësitë në një katalizator të fuqishëm krijues për lidhje dhe vetëkuptim më të thellë të gjithçkaje që të rrethon”.

Ky lloj përroi i brendshëm, rridhte te vetëdija dhe nënvetëdija e tornitorit Reshat Arbana, që punonte në “Parkun e kamionave”. Reshati edhe sot shprehet sinqerisht, se ai shkoi të konkuronte për shkollën e aktorëve, sepse nuk donte të shkonte ushtar dhe, si me biografi të mirë që ishte, mund ta shpinin në marinë, 4 vjet.

Po e pranojmë këtë argument të tij. Por te konkursi në oborrin e “Teatrit Popullor”, nuk e shpunë thjesht këmbët. Unë mendoj se një zë i brendshëm, që shprehte ato të panjohura, do t’i nxirrte në dritë skena dhe ekrani. Ndryshe, nuk ka si të shpjegohet që kryetarja e jurisë, ose si thirrej në atë kohë, kryeregjisorja, Nina Çefranova, të vendoste që ai të pranohej në shkollën e lartë për aktor.

Ajo as e njihte dhe as e kishte parë ndonjëherë. Atë ditë ajo e dëgjoi të recitonte një rapsodi të veriut epik shqiptar. I pëlqeu zëri i thellë, kumbues me jehona vibruese dhe me një lloj eposi natyror brenda tij. Edhe pamja e tij, që bëhej njësh me gjendjen e shkaktuar nga përjetimi i vargjeve, e goditi emocionalisht. Nuk ndodhi e njëjta gjë me anëtarët e tjerë të jurisë, të cilët ishin shqiptarë.

Çefranova spikati zotërimin e ndjenjës dhe kombinimin e fjalëve me përjetimin. Ky djalosh i ri dukej sikur ishte stërvitur herët, krejt natyrshëm në vatra familjare ,ku këndohej monodia e veriut. Ajo nuk dinte gjë se si ishte vetëpërgatitur Reshati ynë. Rreth viteve 1954-1955, shumë njerëz shisnin librat e vjetër te dyqani i të atit, për të fituar ndonjë lekë.

Ne i merrnim,- kujton Reshati-, dhe me faqet e librave bënim letra qese, për të futur në to mallrat që shiste baba. Dikush, nuk e di se për cilat arsye, kishte sjellë librat e At Gjergj Fishtës. Ndoshta nga frika se mos ia gjenin në shtëpi. At Gjergji kishte ndërruar jetë 3 muaj pasi kishte lindur Reshati, më 30 dhjetor 1940.

Duke parë faqet e këtij libri, Reshati 14-15 vjeçar, lexoi këto vargje:
“Sa të kem frymë me ligjërue,
e sa gjallë në jetë unë jam,
kurrë Shqypni s’kam me t’harrue
edhe në varr me të përmend unë kam…”

I lexonte dhe nuk ngopej, deri sa erdhi një moment që këto vargje të Fishtës ishin brenda tij si një imanencë e atdhetarisë. Shqypnia u bë kredua e adoleshentit Reshat Arbana. Strukej atje në qoshen e tij dhe lexonte këto xhevahire fishtiane. Si ka pohuar me zë të lartë, e madhja Tinka Kurti, as edhe një verior, ushqy me gegenishten qysh në djep, nuk mundet me e recitu Fishtën, ma bukur se Reshat Arbana!

Të ushtruarit autodidakt ka një të mirë, gjithçka ndërtohet në mënyrë organike. Mbetesh kështu për fat, jashtë steriotipeve që shpesh nuk është se mbështeten tek parime didaktike apo doktrinare, por më shumë te mënyra individuale e atij që merr përsipër të të ushtrojë.

Në fakt, mësuesi i parë dhe i fundit, sepse nuk mund të zëvendësohej, më të mirë se ai nuk kishte, qe për Reshatin, vetë autori i vargjeve, At Gjergj Fishta. Prej mushtit fishtian, Reshati djalosh mësoi melodicitetin e gegnishtes, ritmin e brendshëm të shpërthimit, që lind si një shkrepje dhe ndez një zjarr, që vjen si puhizë nga thellësia e vetëdijes dhe ngrihet si një stuhi që do të shpaguajë mbi padrejtësitë.

Ky lloj edukimi, bashkuar me edukatën familjare, ngjizi te Reshat Arbana dashurinë për drejtësinë, urrejtjen për gënjeshtrën. Pikërisht gjendja shpirtërore dhe emocionale përballë këtyre fenomeneve, më bën të sertë, e dua të vërtetën ,- pohon Reshat Arbana,- edhe në këtë moshë të thyer, e dua ashtu të hapur, të drejtpërdrejtë.

Njerëzit që bëjnë dredha, që flasin me maska, më shkaktojnë një revoltë të brendshme, e cila mblidhet e mblidhet dhe do që të shpërthejë. Këtë lloj tipari krejt të natyrshëm, e gjejmë në artin e tij skenik teatror dhe në atë filmik.

Ka një detaj shumë interesant gjatë konkurimit. Regjisorja sovjetike ,e pyeti: “Ku punoni, çfarë profesioni keni? Jam tornitor, -ishte gjegjur Reshati,- në parkun e kamionëve. Në rregull, shoku Reshat, tani ti do bëhesh drejtori i ndërmarrjes dhe në një mbledhje kolektivi, do flasësh para tij: “Shokë, jemi keq me planin, ndaj ne duhet të mobilizohemi, që të arrijmë objektivat, etj etj’…”

Reshati e pa ngultas në sy dhe ashtu drejtpërsëdrejti, i tha: Nuk e bëj dot! Provoje, nguli këmbë kryeregjisorja. Po ti provoje, ngulën këmbë dhe anëtarët e tjerë të jurisë. Jo,- u tha prerazi Reshati,- nuk e bëj dot!. Një gjë që nuk e bëj, nuk e bëj.

Tek shqiptoi ato fjalë, diçka iu shkëput përbrenda qenies. Mendoi se kjo ëndërr atë çast kishte marrë fund. Ai do të rrëzohej në konkurim dhe nuk do të pranohej në “Shkollën e Lartë për Aktorë”.

Solli në mendje se, kur ishte duke shkuar tek Teatri për konkurim, diku aty në fund të rrugës së Kavajës, ku ndodhej “Dhoma e Tregtisë”, në trotuar, ndeshi me një burrë të shkolluar në Itali për teatër, Mustafa Budini quhej. Ai e pyeti Reshatin dhe shokun e tij Aristotel Josifi, i cili kishte një pasion të çmendur për teatrin. -Ku po shkoni kështu? Po shkojmë të konkurojmë, për t’u regjstruar në Shkollën e Aktorëve.

Zoti Budini kishte buzëqeshur me qesëndi, kishte bërë një hop pa folur, dhe mandej u kishte thënë: Shkoni, shkoni, ti Reshat do të fitosh! Dhe kështu ndodhi. Kur doli lista e fituesve, Reshati kishte fituar, ndërsa Aristoteli jo. Ishte hedhur hapi i parë, rruga ishte e gjatë dhe me shumë të panjohura, befasi, sfida dhe enigma.

Të udhëtosh me artin nuk është ndonjë gjë e çuditshme, shumë i hyjnë kësaj aventure dhe arrijnë deri diku. Ka që mbahen mend, ka që mezi kujtohen, ka, madje ,që edhe lihen në harresë. Për t’u bërë një artist i suksesshëm i teatrit dhe kinemasë, nevojitet një ndërkallje e karakteristikave natyrore dhe aftësive të zhvilluara, duke përfshirë një shpirt të fortë krijues, thellësi emocionale, vetëbesim, disiplinë dhe qëndrueshmëri.

Tiparet kryesore përfshijnë aftësi të shkëlqyera komunikimi, një qëndrim bashkëpunues, epueshmëri, aftësi për të interpretuar skenarë dhe një kujtesë të mirë për replikat dhe sinjalet që merr dhe jep gjatë aktrimit.

Gjithashtu duhet një shkallë e lartë përkushtimi dhe qëndrueshmërie për të përballuar role të vështira dhe orë të gjata pune. Artisti vuan vetë për të sjellë në art vuajtjet e të gjithë njerëzimit. Sa jetë dhe vdekje prej historisë, sjell skena dhe ekrani, falë aktrimit, sa të pasur janë artistët!

Skenat e jetës dhe jeta në skenë…

Reshat Arbana është biri i një familjeje të thjeshtë tiranase, me origjinë nga fshati Arbanë. Pa ndonjë traditë në fushën e artit dhe të kulturës. Ja pra, që një bir i saj, Reshati, iu fut artit të skenës dhe të ekranit. Ata e panë si me habi këtë zgjedhje të tij, por as e penguan, dhe as e paragjykuan.

Xhaxhai i tij, Shaqiri, që e birësoi, e kishte pikë të dobët, por edhe Reshati e adhuronte. Ishte 19 shkurt duke gdhirë 20 shkurti i vitit 1951. Familja po flinte. Kur dëgjohen goditje në portën e madhe të shtëpisë. – Hapeni derën!!! Të gjithë u zgjuan si të lebetitur. Çfarë kishte ndodhur?

Kur hapën portën, një grup policësh të armatosur dhe disa civilë.” Këtu banon Shaqir Arbana? – Po,- tha xhaja,- unë jam! -Do vish me ne.” Ai u vesh dhe duke dalë nga dera, iu tha njerëzve të shtëpisë, të cilët po shihnin si të tmerruar. “Mos u bëni merak, nuk kam hangër hudhra kund”. Në krye të shkallëve, Reshati 11- vjeçar kishte mbetur si i ngrirë.

Kjo ishte një nga ato drama jete, që nuk iu shkul kurrë nga kujtesa. Një natë më parë një bombë artizanale ishte hedhur në një cep të largët të oborrit të Ambasadës Sovjetike. U arrestuan 300 persona, 22 prej të cilëve u pushkatuan pa gjyq, pas 5-6 ditësh.

Xhaja,- kujton Reshati, -kishte qenë i lidhur me Nacional-Çlirimtaren dhe kishte ndihmuar çetën e Pezës. Por ishin kohë të vështira. Gjithë natën e kishin tmerruar me aludime, pyetje dhe provokime, sidomos për tregtarë të vegjël, që kishin dyqanet e tyre në atë zonë, ku lidhej rruga e Kavajës me rrugën e Durrësit. Po, ky, po ky, po ai? Shaqir bej siç e thërrsnin, me ndershmëri dhe me naivitet, bënte be rrufe, se i njihte si njerëz të ndershëm.

Kur erdhi në mëngjes në shtëpi, ishte zbardhur në fytyrë dhe dukej si mehitë. Brenda shpirtit të Reshatit fëmijë, u regjistruan ndjenjat e rënda dhe tronditëse se ç’është pushteti autoritar dhe sa i brishtë është njeriu i pambrojtur, por edhe sa rëndësi ka të jesh në jetë i ndershëm!

Kur po largohej nga kjo jetë, xhaxhai që iu bë babë, e thirri dhe i tha: “Nigjo këtuna biri babës, vjen dita që jeta maro, eh, si në fund të fjalisë, duhet me vu pikën. Mesa duket paska ardhur dekika. Te lutmi xhaja, shpin’ maje hap, për miq ene për shokë, dhe asnjëherë nuk ke për të pasur keq”.

Edhe vdekja e gjyshes dhe varrosja te Varri Bamit, transporti me një karrocë të zakonshme, rrugëve më pluhur, dhe Reshati i njomë, që i hipi karrocës nga pas dhe udhëtonte bashkë me kufomën e gjyshes; të gjitha këto skena jete, lanë mbresa të thella te Reshat Arbana i ardhshëm.

Jeta,- thotë Reshati,- i ka të gjitha ndjenjat: pasionet, dhimbjet, kënaqësitë dhe dëshpërimet, enigmat dhe dilemat, trishtimin dhe pritjen, durimin dhe ankthet, besën dhe pabesinë. Të gjitha këto ndjenja nuk t’i mëson dot shkolla, qoftë edhe nëse ke mësuesit më të mirë. Skenat e jetës janë ato që të formojnë, ndërsa pjesëmarrja në ngjarjet dhe episode, të vënë në provë dhe në sprovë, si njeri dhe si karakter.

Fytyra dallohet në dritë, karakteri shihet në errësirë. Bota e brendshme është thesari i një artisti të skenës dhe të filmit. Nëse ajo është e varfër, nuk ke gjë në terezi! Po qe se këtë ansambël ndenjash nuk e ke brenda vetes, nuk ndërton dot tipologji personazhi. Mund të ngresh një figure, deri diku estetike, por jo të gjallë, jo të besueshme.

Nuk mund të strehohet artisti te personazhi, personazhi duhet të gjejë veten te tërësia e ndjenjave dhe përjetimeve, te veprimet dhe zëri skenik i artistit-njeri. Teatri i refuzon teatralizmat.

Viktor Hugo kishte të drejtë, kur thoshte se teatri është arti më popullor. Ndaj, kur mbaronte shfaqja e veprës së tij, ai i priste spektatorët t’u jepte dorën dhe falenderimet, çka zgjaste deri në të zbardhur të ditës. Kritika ka rolin e saj të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm, po kështu media e specializuar. Por artisti jeton me publikun, prej publikut dhe për publikun. Nëse je i ftohtë, i largët apo i papërfillur nga publiku, atehere nuk je artist; arti yt nuk ka transmetuar pulsin e jetës. Shumë, shumë, ai ka krijuar një situatë emocionale të përkohshme.

Gëzimi, hareja apo momentet e lumturisë familjare dhe shoqërore, e ushqejnë artistin, por ajo që e mëkon, është dhimbja njerëzore, përpjekjet për të fituar mbi sfidat dhe, nëse këto nuk i ke provuar në jetë si njeri, sado që të përpiqesh në skenë apo në ekran, që të krijosh gjendje të tilla, arti mbetet një komunikim që nuk trondit. Aktori në skenë dhe në sheshin e xhirimit, pasi lexon dramën apo skenarin, nuk duhet të nxitohet e të thotë: “Po, jam dakord të vij në grupin teatror apo atë të filmit!”

Arti nuk është kostum që vishet në garderobë. Arti është shpirti njerëzor, që vesh skenën dhe ekranin. Ndaj, në çdo ofertë apo propozim, duhet të flasë shpirti yt si njeri, e mandej zëri si artist. Që të përjetosh se ç’është vdekja në skenë apo rënkimi sfilitës, kur jeta lufton me vdekjen, duhet ta kesh përjetuar. Përndryshe, ti si artist, improvizon, por nuk përjeton.

Kur ma plagosën djalin ,në krye të detyrës si punonjës i Gardës së Republikës, – flet dëshpërimisht Reshati dhe mallëngjehet,- kujtoj se çfarë kemi hequr bashkë me gruan. 93 ditë ke koka e krevatit të tij, me ankthin, ikën apo mbetet në jetë! Eh, kjo dhimbje është ende brenda meje. Ajo më lëviz dejeve të artit, sa herë që kam qenë në situata të tilla, të ngjashme apo të përafërta artistike.

“Frika, trazirat dhe dhimbja shpesh janë burime frymëzimi për shumë artistë, të cilët i përdorin këto emocione të lindura dhe evokuese, për të nxitur procesin e tyre krijues dhe për të informuar përmes artit që krijojnë. “Ky është një përfundim që vjen nga studimet antropo-artistike”!

Reshat Arbana iu fal në fillim filmit dhe më vonë skenës së teatrit. Më tej, erdhi një kohë ku, si artist i afirmuar, ai punonte paralelisht edhe në Teatër, dhe në xhirimin e filmave. Ishte ende student, kur e thirrën regjisorët Dhimitër Anagnosti dhe Viktor Gjika, te filmi i tyre “Komisari i Dritës”. Personazhi negativ, që ai do lunate, quhej Nikoll Mustaqexhiu, ose këlyshi i Dodës. Kineasti dhe kritiku Endri Keko, shkroi në atë kohë: “Pamë një aktor të ri, që na siguron për të ardhmen”.

Ishte fakt që dy bashkëregjisorët nuk provuan aktor tjetër. Ata, pa hezitim, vendosën për Reshatin. Roli ngjiti aq shumë saqë në universitet, me shaka e thërrisnin: “këlyshi i Dodës”. Aso kohe të gjithë prireshin të luanin role pozitive. Unë as e mendova dy herë,- pohon Reshati edhe sot. Le të ishte rol negativ, për mua ishte fat që të luaja në film, përkrah aktorëve të shquar, si: Loro Kovaçi, Preng Lëkunda, Ndrek Luca, Ndrek Prela, Rikard Ljarja.

Në vitin 1966-1967, një tjetër rol në film, me regjisor Dhimitër Anagnostin, “Dueli i heshtur”. Fillimisht menduan të më jepnin rolin e Dritan Shkabës, pra, rolin kryesor pozitiv. Por regjisori nguli këmbë për rolin negativ të Islam Kallullit.

Po në vitin 1965 Reshati mbylli studimet. Tema e diplomës, kryevepra e Shakespearet, “Romeo dhe Zhuljeta”. Reshatit iu besua roli i Tibaltit. Në tragjedi, Tibalti që hiqet si një mbrojtës i nderit dhe një njeri sqimëtar dhe elegant, në fakt është një njeri i papërmbajtur dhe nxitës i konfliktit, që e shpie dashurinë e Romeos dhe Zhuljetës në tragjedi.

Është vendi të risjellim në kujtesë se si zhvillohet ngjarja, me qëllim që të kuptojmë, përse ky rol iu besua Reshat Arbanës. Tybalt Capulet është kushëriri i Zhulietës. Ai është jashtëzakonisht i egër dhe e shijon konfliktin midis Montagëve dhe familjes së tij. Një tip me vullnet të fortë, argumentues, pasionant dhe besnik. Të gjitha këto karakteristika demonstrohen kur ai zbulon se Romeo ka hyrë me forcë në një grup Kapuletësh, duke e ditur se Montagët nuk janë të mirëpritur. Tybalt reagon keq, duke shkaktuar ,pothuajse një sherr në familjen e Kapuletëve. Lord Capulet ndërhyn shpejt dhe i thotë Tybalt të mos luftojë me Romeon. Tybalt bindet, por me ngurim. Veçse Tybalt nuk përmbahet, ai kërkon hakmarrje duke luftuar me Romeon. Kur Romeo refuzon të luftojë, ai vret mikun më të mirë të Romeos, Mercutio-n. Kjo e bën Romeon të hakmerret për vdekjen e mikut të tij më të mirë.

Puna e diplomës la gjurmë te ky aktor i ri. Pasi mbaroi studimet e larta, nuk u emërua në Teatër, por në Radio Tirana, ku punoi mbi 10 vjet. Gjatë viteve studentore ai kishte ngritur ëndrrën e skenës. Nuk linte shfaqje pa ndjekur, shpesh dhe disa herë. Ishte diçka tejet frymëzuese dhe didaktike, kur, profesorin që të jepte mësim paradite, e shikoje në darkë në skenë.

Pothuaj çdo natë shkoja të shihja pjesët që luheshin, jo vetëm unë por të gjithë studentët, – kujton Reshati. Ndiqja, “Orët e Kremlinit” dhe nuk kisha të ngopur me profesorin tim, Kadri Roshin. Kënaqesha me Pjetër Gjokën dhe Drita Pelinkun. Ë Kënaqesha me komedinë “Prefekti”, por më tronditi shumë në atë kohë pjesa me titull;”Letër e humbur”, -sjell në bisedë, me shumë ndjeshmëri edhe sot në këtë moshë të thellë, zotnia i skenës, Reshat Arbana.

Te “Letër e humbur”, më magjepsi i foluri skenik i Prokop Mimës, mënyra sesi mbante në ekuilibër fjalën me emocionin, intonimi i zërit, në përputhje me dramacitetin e ngjarjeve, ecurinë e tyre dhe dialogimi logjik me partnerët. Theksimi i frazave pa sforco, por me një natyrshmëri elegante, shumë joshëse. A do vij ajo ditë, kur të jem dhe unë atje te ato dërrasa që kërcasin vërtet në skenë, por që kanë shpirt, zemër dhe psherëtima arti skenik?

Ishte viti 1974, kur Reshat Arbana u ngjit në skenë në rolin e Selimit, te “Familja e Peshkatarit”, e autorit Sulejman Pitarka. Më parë atë rol e kishte luajtur Naim Frashëri dhe rolin e plakut Jonuz Bruga, e kishte luajtur Kadri Roshi. Tani plakun e luan Naim Frashëri ndërsa Selimin, Reshati.

Një shfaqje tronditëse, e shoqëruar me duartrokitje frenetike. Për Naimin ajo ishte pjesa e fundit që vuri në skenë, sepse pas fare pak kohe, ai ndërroi jetë. Atë natë Reshat Arbana afirmoi vetën si një artist skene. Kur Kadri Roshi, pas shfaqjes hypi në skenë, për të uruar aktorët, iu drejtuar Reshatit me “nofkën” që ai përdorte: “Të lumtë sqap, ja dole më së miri!”

Po atë vit, në prag të festës së Vitit të Ri, një tjetër mjeshtër i skenës dhe ekranit, Nikolin Xhoja, i dërgoi një kartolinë urimi, me shënimin: “Selimit më realist që ka parë skena shqiptare”.

Pas eksperiencës në Radio-Televizon, më në fund Reshat Arbana kalon në Teatrin Popullor, si aktor. 20 vite punë, përvojë, emocione, suksese, duartrokitje, lodhje, brenga dhe shqetësime. Të punoje me Pirro Manin, me Drita Agollin, Fatos Haxhirajn, si regjisorë, ishte fat dhe përgjegjësi e madhe. Dhe vijnë rolet si: Pilo Shpiragu, te “Lumi i Vdekur”, regjisore Drita Agolli, një grua me autoritet, që kujdesej deri në detaje për rolin dhe sjelljen e aktorit. Vizatonte aq bukur ndjenjat njerëzore! Disiplina e saj ishte shembull, deri në tejskashmëri. Në orën 9 mbyllej dera dhe, një minutë të vije me vonesë, nuk hyje në prova.

Te “Intrigë e dashuri”, manifesti i dinjitetit njerëzor, Reshat Arbana luan rolin e Presidentit. “Intrigë dhe dashuri” është një dramë me pesë akte, e shkruar nga dramaturgu gjerman, Friedrich Schiller (1759–1805). Ishte drama e tij e tretë dhe tregon se si intrigat shkatërrojnë dashurinë midis Ferdinand von Walter, djalit të një fisniku, dhe Luise Miller, vajzës së një muzikanti të klasës së mesme. Më herët, në vitin 1956, atë pjesë e kishte vënë në skenë si punë diplome, regjisori i shquar Mihal Luarasi, i cili studionte në atë kohë në Hungari. Rivënia e Drita Agollit tingëlloi shumë e ndjerë.

Por për Reshatin, edhe sot e kësaj dite, vënia skenike që e tronditi më shumë, ishte pjesa me titull: “Vdekja e një komisioneri” e Artur Millerit, me regji të Fatos Haxhiraj. Turpërimi përpara të birit, humbja e dinjitetit dhe kthimi i vetvetes në diçka të vjetër, të përdorur, ashtu si rrobat që ai shiste, humbja e të drejtës morale, për të parë njerëzit e dashur në sy, ishte një dramë e thellë, tejet tronditëse.

Ai është roli im më i dashur,- pohon artisti Arbana. Fatos Haxhiraj kishte shumë imagjinatë,- nënvizon Reshati. Pëlqeja te ai punën skrupuloze, për realizmin e lidhjes organike mes aktorit dhe tipologjisë së personazhit.

Një tjetër kulm është drama tronditëse, “Arturo Ui” e Bertolt Brecht. Ajo u vu në skenë nga i madhi Pirro Mani. Ishte fat të punoje me të. Ai përcillte energji frymëzuese, punonte shumë për ngjizjen e figures dhe ishte mjeshër si ai, për shndërrimin e veprës letrare në vepër skenike.

Janë shumë vënie skenike, por një majë është dhe pjesa e Ruzhdi Pulahës, “Streha e të harruarve”. Rolin kryesor e kishte Kadri Roshi, i cili gjatë provave, u sëmur. Kështu, regjisori Mihal Luarasi, ia besoi rolin Reshatit. Ngjarjet zhvillohen në një azil pleqsh dhe ne njihemi me fatet njerëzore të nëpërkëmbura. Shpërthimi i tij në fund, kur i drejtohet politikanit, i cili do kujtohej për të, vetëm kur ai të vdiste, dhe atëhere ai do vinte në varrim, për të mbajur një fjalim hipokrizie, e shkundi skenën dhe tronditi publikun.

Shfaqja u dha premierë, me rastin 60- vjetorit të krijimit të Teatrit Popullor. Salla ishte plot e përplot, të pranishëm dhe Presidenti i Republikës dhe Kryeministri i vendit në atë kohë, këtu e 20 vite të shkuara. Kur mbërriti pika kulmore e shpërthimit të Reshatit, salla u elektrizua.

Pjesa e fundit në skënë, me regji të regjisorit të njohur, Spiro Duni, titullohej: “Babai”, i autorit Florian Zeller dhe u luajt për 12 netë rresht, në Teatrin “Skampa”, të qytetit të Elbasanit. Florian Zeller është shkrimtar, dramaturg, regjisor teatri dhe filmi, me kombësi franceze. Sipas gazetës “Times”, Zeller çmohet si “dramaturgu më emocionues i kohës sonë”. Ai ka shkruar më shumë se 10 drama, të cilat janë vënë në skenë në më shumë se 45 vende të botës. Drama e tij, e konsideruar si një komedi e zezë, titulluar “Babai”, është një nga hitet e shquara të viteve të fundit. Kjo histori është realizuar edhe film, dhe ka tronditur spektatorin anembanë botës.

Aktorët më të famshëm, që kanë luajtur rolin kryesor në filmin e Florian Zeller, “The Father”, janë Sir Anthony Hopkins, në adaptimin filmik të vitit 2020, për të cilin ai fitoi një Oscar dhe Kenneth Cranham, në shfaqjen origjinale të vitit 2014. Frank Langella dhe Alfred Molina, gjithashtu, luajtën në mënyrë të spikatur rolin në skenë në SHBA, me Langella, që fitoi një çmim ‘Tony’ për performancën e tij.

Listës së emrave të këtyre artistëve të mëdhenj të castingut botëror, i shtohet dhe Reshat Arbana ynë. Loja e tij me atë zë të thellë dhe të qetë, ashtu si një diell në perëndim, me përdëllime dhe nuanca ndjenjësore, të udhëtimeve të brendshme, që nisnin nga e tashmja dhe humbasin kohë pa kohë, biseda me infermieren dhe shtegtimet e çarta, tutje kujtimeve të thella, për të mbërritur te nëna, te sytë e saj, e habitën publikun. Ai shtangu, si të harronte të merrte frymë. Salla nuk pipëtinte. Gjithçka ishte bërë grimca zëri, që hynin në shpirtin e spektatorit. Humbja e orientimit në hapësirë dhe në kohë, pyetjet e shpenguara, si një erë që ngre gjithçka për të fluturuar, tek Babai.

Reshati, e pyeste infermieren: “Kush je ti? Çfarë bën ti këtu? -Infermierja: Të shërbej ty”. Dhe më tej vinin jo fjalë, por një det me ndjenja, – kur Reshati vijonte, sigurisht në rol: “Po nënën time, e ke njohur?”, dhe humbiste mandej në kujtime dhe udhëtime, në një realitet sa të prekshëm, po aq edhe imagjinar, sytë e saj të bukur, dua të shkoj te nëna! Qielli i shpirtit aktorial ndriçohej nga drita e bubullimave të largëta.

Në rol,- më pohonte Reshati gjatë një bisede,- më dilnin përpara sytë e nënës sime, aq të bukur, dhe kur qante për vëllain. Kujtoja nënën time, kokulur dhe dinjitoze. Vuaja gjatë rolit që, kurrë nuk mbërritën, bashkë me babain tim, të më shihnin një herë në skenë. Diçka krejt ndryshe po ndodhte me mua. Ai rol po përmbyste diçka të thellë. Po provoja një dallgëzim të brendshëm ndjenjësor dhe emocional, pa e ngritur zërin. Përkundrazi, duke e ulur atë në tingëllime minore.

Kur mbërrita në shtëpi, i thashë Afërditës, gruas sime të shtrenjtë, tashmë prej 2 vitesh, ëngjëll: “Pse kemi bërtitur në skenë, madje në plot raste, kemi bërtitur shumë, me zë të lartë. Sesi më duket ky rol, më ka hyrë thellë në shpirt! Qenka një botë ndryshe kjo e zërit të ulët, ku e jashtmja bëhet njësh me të brendshmen! U dashurova me atë rol, aq sa Reshati i tha Reshatit të brendshëm: “Mjaft më, deri këtu!”

Ky rol është një kurorë e bukur e gjithë karrierës sime në skenën e teatrit. Ndoshta gjëja më e bukur në jetë, në familje ishte roli i babait, dhë këtë rol Reshat Arbana e përmbylli me babain e Zellerit. Do isha shumë kurioz që, nëse e shihte autori ose artisti i madh me famë botërore, Anthony Hopkins, çfarë do thoshte? Ndoshta unë kërkoj shumë, por ja që e ndjej!

Dy boshtet e artit të Reshat Arbanës, pavarësisht nga natyra dhe fizionomia e rolit, kanë qenë: Atdheu dhe Familja. Rastësia apo një zë i brendshëm, e ndërtoi hap pas hapi artin e tij në këta dimensione?! Artisti me pjekuri dhe vetëkontroll, nuk merr role kuturu. Ndaj mendoj se, për Reshat Arbanën, ka qenë një klithmë nga nënvetëdija e tij. Figurat që ai ka krijuar janë aq të besueshme dhe të adhuruara nga publiku mbarëkombëtar! Ndryshe nuk ka si shpjegohet që, pothuaj të gjithë regjisorët shqiptarë të filmit, e kërkonin Reshat Arbanën. Dhe ai ua shpërbleu atyre dhe spektatorit.

Edhe sot ai flet me nderim për ta, duke pohuar se Dhimitër Anagnosti kishte thellësi mendimi dhe gjithçka që do realizohej në sheshin e xhirimit, e kishte në kokë dhe në skicë veprimi. Ai kurrë nuk improvizonte. Ishte tip burrëror dhe i qetë në komunikim, kishte aftësi të zgjidhte çdo situatë të ndërlikuar. Kishte një mprehtësi të spikatur dhe e kuptonte, kur aktori ishte organik dhe kur ai sforcohej. Viktor Gjika qe mjeshtër për të realizuar skenat masive. Mjafton të kujtoni skenën në fund të fimit” Gjeneral Gramafoni”.

Muharrem Fejzo, duke qenë dhe piktor, e vendoste syrin në kamera mjeshtërisht. Ibrahim Muço dhe Kristaq Mitro, dy regjisorë të rinj me shumë kurajo, për të ndërtuar një film, si: “Liri a Vdekje!” me aq shumë personazhe.

Sajmir Kumbaro, regjisor tejet guximtar, që tejkalonte skematizmin. Ndërsa Vladimir Prifti ishte shumë logjik dhe përtej deklamimit, zbulonte jetën reale dhe njeriun “e pa bojatisur”. Ai ndërtonte përtej propagandës.

Pengjet…

A ke pengje Reshat?,- e pyeta. – S’ka jetë pa pengje, i dashur. Do doja të kisha vënë në skenë, psh: “Një tragjedi amerikane”, “Tre shokët”, “Makbethin”, por më afër e shoh veten me “Mbretin Lir”. “Odisea”, e Bekim Fehmiut më mrekullon, por nuk e fsheh, do doja ta kisha luajtur atë rol. Do doja të luaja Faik Konicën, më pëlqen ironia e tij e hollë dhe therrëse.

Do doja të kisha dhënë më shumë me recitime. Njerëzit nuk i njohin veprat e autorëve tanë. Gjithashtu leximi individual dhe recitimi artistik kanë ndryshim të madh. E nisa në prag të viteve 1990. Aso kohe minatorët e Trepçes në Kosovën-Dardane ishin ngujuar në zemër të dheut. Shikoja RTK dhe nga shpirti më shpërtheu një fragment nga “Mrizi Zanave”, i Gjergj Fishtës. Dhe nis e ta reciton dhe sot Reshati ynë i Madh!

Çka bëjnë shqiptarët ,
hanë fiq e kastraveca
e pijnë mastic e qesin
petulla në ujë,
e kqyrin udhës ushtarët e huaj
……
Po jo me luftu me malazestë.

Çfarë do doje të ndodhte sërish nga jeta jote?- e pyeta Reshatin. Ai ra në mendime, humbi thellë diku. Pastaj nisi qetësisht të fliste, por me një zë disi të përmalluar. Do doja të ndodhte dhe një herë ajo ditë. Isha ende student dhe shkoja në” Radio Tirana”, ku regjistronim pjesë teatrore, për emisionin shumë të dashur aso kohe, që titullohej: “Teatri në mikrofon”. Nga ana tjetër e xhamit ishin paisjet e regjistrimit.

Unë para mikrofonit, po prisja shenjën e mjeshtrit Xhafer Zavalani. Si zakonisht të jepte shenjë me dorë: “Fillo!” Por, kur ngrita sytë, me dorë më dha shenjë një vajzë e re, jo e bukur, por e ndritshme. Zemra më rrahu fort. Nuk e di se si kam lexuar tekstin atë ditë, por isha trullosur. Ajo quhej Afërdita, dhe ndjeva se isha pushtuar nga një femër me emër ylli, apo nga një yll femër. Kur dola nga studio, iu prezantova: Reshat Arbana. Ajo, paqësisht më tha: Afërdita. Do bëhemi shokë, -ia prita, duke e parë në sy. Ajo m’u gjegj, pa ndonjë emocion të veçantë. Unë kam shumë shokë dhe shoqe, dhe përmendi: Alfons Gurashin, Dhimitër Pecanin dhe disa të tjerë, me të cilët kishte qenë shokë shkolle në gjimnazin”Petro Nini Luarasi”, në Tiranë. Po shok si unë nuk ke, -ia prita.

M’u desh shumë kohë që dashuria jonë të triumfonte. U lodha, miku im, Përparim, por ja që yjet nuk përqafohen lehtë. Ikja e saj më ka dërmuar. Kam shumë mall! Boshllëku dhe heshtja qenkan sfida sfilitëse! Kam qenë me fat që pata grua atë zonjë që më zbukuroi çdo skutë të shpirtit, me mirësinë dhe përkushtimin e saj.

E pres urimin nga qielli, në këtë 85- vjetor timin. Ajo nuk e harron ditëlindjen time…!