Vetëm tre ditë pasi u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe u vetëshpall deputete e pavarur, Marjana Koçeku i është përgjigjur kritikëve brenda mazhorancës që i kërkojnë të dorëzojë mandatin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku ka deklaruar se mandati nuk i përket Partisë Socialiste, por asaj dhe votuesve që e mbështetën. “Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet”, shkruan ajo. Deputetja sfidon gjithashtu socialistët që, nëse janë të bindur se ajo nuk fiton pa PS-në, të shpërndajnë parlamentin dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Me ironi, Koçeku thotë se kësaj radhe do të kandidojë në Tiranë “me kecin tim të shtrenjtë dhe kmesën e mprehtë”, duke shtuar se para se të vijë në kryeqytet do të kërkojë leje nga malësorët e saj për të folur gjuhën standarde.







