Ballina Opinion Në Parlamentin e ri, ishte përsëri PD e vjetër

Në Parlamentin e ri, ishte përsëri PD e vjetër

20
0

Nga Denis Dyrnjaja

Stina e re politike vjeshtore këtë vit përkoi me nisjen e Legjislaturës së XI-të, të Kuvendit të Shqipërisë. Parlamenti ishte në përbërje i ri, por i vjetër në mendësi. Të njëjtat sjellje, qëndrime e deklarime. Pritshmëritë e mëdha janë te opozita dhe qasja e saj, por sinjalet që vijnë prej andej janë të vakëta dhe konfuze.

Partia Demokratike, forca më e madhe në opozitë duket se nuk është më një organizatë politike. Është një hartë fragmentesh njerëzore, ku secili rri aty për çdo arsye, por jo për interesat e PD dhe zgjedhësve të opozitës.

Nëse sheh përbërjen e saj në sallën e Kuvendit vëren se ka njerëz që janë aty vetëm për Berishën. Jo për një program, jo për një ideal, por për të mbrojtur simbolikën e liderit që i dha emër partisë dhe që sot kërkon t’i japë mbijetesë vetes përmes partisë. Janë gati të digjen me të, por jo të rrojnë pa të.

Ka njerëz që janë aty vetëm për veten. Kanë gjetur një skenë për të folur, për t’u shfaqur, për të marrë një mikrofon edhe pse nuk përfaqësojnë askënd përveç egos së tyre të fryrë. Disa e shohin PD si trampolinë për pazare, ndërsa të tjerë si dekor për të bërë opozitë nga studio televizive.

Ka një kategori edhe më të trishtueshme, ata që nuk e dinë pse janë aty, por ndihen sikur gjithmonë duhet të jenë aty. Janë të ndodhur, jo të bindur. Duken më shumë si roje turni që presin që dikush t’u japë udhëzime. As nuk guxojnë të ikin, as nuk dinë pse qëndrojnë.

Pra nëse sheh me realizëm PD sot, kupton se ajo nuk është më një parti. Është një grumbull përkatësish të ndryshme, të cilat mbahen bashkë vetëm nga inercia dhe frika nga zbrazëtia që vjen pas saj.

Partia Demokratike nuk ka nevojë për njerëz që e përdorin atë. Ka nevojë për njerëz që i ka lidhur natyrshëm përkatësia e kundërt politike me të majtën dhe PS, që e kuptojnë dhe që duan ta rikthejnë në jetë me shkëlqimin e ngjyrës blu te saj te dikurshme.

Përndryshe, ajo do mbetet një parti që njerëzit s’e duan, por s’largohen dot prej saj. Dhe kjo është forma më e keqe e vdekjes politike kur as varrosesh, as ringjallesh, por thjesht kalbesh në agoni.