Ballina Kulturë Edicioni i 17-të i “PriFest”, Prishtina sërish shndërrohet në kryeqytet të filmit

Edicioni i 17-të i “PriFest”, Prishtina sërish shndërrohet në kryeqytet të filmit

17
0

Prishtina edhe këtë vit është shndërruar në kryeqytetin e filmit. Me qindra vizitorë nga vendi, rajoni e më gjerë janë bashkuar për të ndjekur premierat e edicionit të 17-të festivalit të filmit “PriFest”. Në ngjarjen më të rëndësishme të industrisë së filmit në Kosovë do të shfaqet 20 filma të metrazheve të ndryshme, nga të cilat katër janë premiera rajonale, një premierë evropiane dhe dy premiera botërore.

Nga e marta Prishtina sërish është bërë pikëtakim të rëndësishëm kulturor dhe artistik në rajon.

Ky është edicioni i katërt pa Vjosën, e cila ishte bashkë-themeluese dhe drejtoreshë e festivalit të filmit “PriFest”.

Drejtori i festivalit “PriFest”, Fatos Berisha tha se këtë vit ka numër më të madh të vizitorëve krahasuar me edicionet e kaluara.

Berisha: 20 filma do të shfaqen këtë vit të metrazheve të ndryshme

“Numri i vizitorëve nuk e di saktë, por salla brenda i ka 300 ulëse, nëse e marrim atë si referencë çdo natë prej orës 17:00, prej 19:30 pastaj ka njerëz që vijnë direkt në aftër party për shkak të muzikës që ka artistë çdo natë ose dj, ose bende. Kështu që numri është i madh edhe besoj që i ka kaluar vitet e kaluara [me numër të vizitorëve], me mesatare….20 filma në total që do të shfaqen sivjet, të metrazheve të ndryshme, filma të metrazhit të gjatë, të metrazhit të mesëm edhe të metrazhit të shkurt me disa projeksione të mesme”, tha ai.

Teksa foli për suksesin e “PriFest” në suksesin e kinematografisë vendore, ai tha se “një gur të vogël e kemi vendosur në mozaikun e madh”.

Berisha: Mision e kemi pasur që të kontribuojmë në industrinë filmike vendore

“Prej kur kemi filluar ja kemi dhënë vetës një mision që përveç t’i sjellim audiencës, publikut tonë, filma artistik të rinj evropianë sidomos ata që nuk mund t’i shohin as në kinema as diku tjetër, të sjellim njerëzit e nivelit shumë të lartë të kinematografisë, që ja kemi arritur nga edicioni i parë. Dhe e fundit por më e rëndësishmja është që t’i kontribuojmë industrisë filmike vendore. Ne kemi përveç shfaqjes së filmave edhe gjithë kësaj feste që po e shihni kemi edhe eventin që quhet ‘Prishtina Film Forum’, që është diçka që nuk shihet fort prej opinionit që i ndihmon direkt industrisë së filmit të Kosovës. Gjitha filmat e Kosovës që janë të suksesshëm, që janë prodhuar më vonë kanë kaluar përmes forumit tonë”, shtoi Berisha.

Të dielën do të ndahen çmimet për filmat e artistët më të mirë, për cka Berisha tha se juria do të përfaqohet nga kryetari i Akademisë Evropiane të Filmit.

Berisha: Juria do të jetë fantastike, është sikur Oscar për Prishtinë

“E kemi një juri fantastike e metrazhit të gjatë, në krye me Mike Doëney, i cili është kryetar i Akademisë Evropiane të Filmit. Për ta bërë shumë shkurt të qartë, është sikur Oscar që është për Amerikën, Akademia Evropiane e Filmit është për Evropën. Është një person jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është kryetar i jurisë ka ardhur këtu në Prishtinë dhe sot e kemi pasur edhe promovimin e librit të tij që e ka shkruar dhe ne e kemi ndihmuar në përkthimin e atij libri”, përfundoi ai.

Festivali ka nisur më 9 shtator dhe do të përfundojë më datën 14.

Festivali i filmit “PriFest” është hapur me premierën botërore të filmit “Ngryk” nga regjisori Ilirjan Himaj, prodhim mes Kosovës dhe Shqipërisë.