Një ditë para përfundimit të afatit të merkatos verore, Newcastle bëri një lëvizje surprizuese duke transferuar Nick Woltemade nga Stuttgart për 90 milionë euro bashkë me bonuset.
Sulmuesi gjerman është transferimi më i shtrenjtë në historinë e “Qymyrxhinjve”.
Woltemade ka zbritur në fushë nga minuta e parë në sfidën që Newcastle po luan tani në shtëpi ndaj Wolves, e vlefshme për javën e katërt të Premier League. 23-vjeçarit gjerman i kanë mjaftuar më pak se 30 minuta për të gjetur golin e parë me ekipin e ri dhe duke fituar kështu direkt dashurinë e tifozëve.
Një krosim perfekt i Jacob Murphy dhe Woltemade dërgon me kokë topin në rrjetë.
Kujtojmë se Woltemade ka qenë një nga personazhet kryesore të merkatos verore, ku u përfol shumë për një transferim të mundshëm të tij te Bayern, por oferta maksimale e bavarezëve 60 milionë euro nuk u pranua nga Stuttgart, që sigurisht nuk mund të refuzonte ofertën e Newcastle, rreth 90 milionë euro.