Apple, kompania që shpesh udhëheq trendet në industrinë e telefonave inteligjentë, ka bërë një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes digjitale. Modeli më i ri i saj, iPhone Air, do të lançohet pa një vend për kartë SIM fizike, një ndryshim që ka ngritur pikëpyetje për rolin e kësaj karte plastike në vitet që vijnë.
Përdoruesit janë mësuar prej kohësh me futjen e kartave të vogla SIM në telefonat e tyre për t’i lidhur me rrjetin. Por me iPhone Air, kjo praktikë do të mbetet pjesë e së kaluarës. Telefoni do të funksionojë vetëm me eSIM një teknologji digjitale që i lejon përdoruesit të kalojnë nga një rrjet në tjetrin pa pasur nevojë për të futur fizikisht një kartë.
Sipas analistit Kester Mann nga CCS Insight, vendimi i Apple “shënon fillimin e fundit të kartës SIM fizike”, një zhvillim që mund të ketë pasoja të gjera në industrinë mobile.
Por sa kohë do të kalojë para se kartat plastike me çip të zhduken plotësisht nga telefoni ynë? Dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo në përdorimin e përditshëm të pajisjeve mobile?
SIM është shkurtimi i “Subscriber Identity Module”, një komponent thelbësor që i mundëson telefonit të lidhet me rrjetin, të bëjë thirrje, të dërgojë mesazhe dhe të përdorë internetin. Vitet e fundit, alternativa digjitale eSIM është bërë gjithnjë e më e pranishme, duke u ofruar përdoruesve zgjedhjen mes kartës tradicionale dhe asaj virtuale.
Tani, me prezantimin e iPhone Air, Apple ka konfirmuar se ky model do të jetë i pari që do të përdorë ekskluzivisht eSIM në mbarë botën pa asnjë vend fizik për SIM.
Ndërkohë, përdoruesit në SHBA kanë qenë të njohur me këtë qasje që nga viti 2022, kur Apple nisi të shesë iPhone vetëm me eSIM. Megjithatë, kompania nuk po heq dorë plotësisht në shumë modele të iPhone do të vazhdojnë të kenë një vend për SIM tradicionale.