Partia Demokratike ka ngritur sot alarmin për një tjetër rast të shpërdorimit të fondeve publike, këtë herë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, akuzoi qeverinë se ka kthyer tenderat shtetërorë në instrument për pasurimin e familjarëve dhe klientëve të Partisë Socialiste.
Objekt i denoncimit është një procedurë e kufizuar tenderimi e zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga ministri Pirro Vëngu, për projektin: “Ndërtimi i rrethimit të jashtëm pjesor, sistemi i vëzhgimit me kamera, rrjeti i ndriçimit perimetral, ndërtimi i portave hyrëse dhe vendqëndrimi i rojeve në pronën nr. 318 dhe 319, Mengël, Elbasan”.
Deklaratë e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Partia Demokratike denoncon një tjetër rast ku edhe tenderat në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë po kthehen në biznes për familjarët e pushtetit.
Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga Pirro Vëngu, ka zhvilluar një procedurë të kufizuar për objektin: ‘Ndërtim i rrethimit të jashtëm pjesor, sistemin e vëzhgimit me kamera, rrjetin e ndriçimit perimetral, ndërtimin e portave hyrëse dhe vendqëndrimit të rojeve në pronën nr. 318 dhe nr. 319, Mengël, Elbasan’.
Për këtë tender u të kufizuar u paraqit vetëm një ofertë, dhe pikërisht kjo ofertë u shpall fituese, me vlerën 460 mijë euro – 98% të fondit limit.
Bashkimi i operatorëve fitues përbëhet nga dy kompani të lidhura ngushtë me pushtetin lokal të Partisë Socialiste:
Kompania ‘G & M CONSTRUCTION 07’ sh.p.k. në pronësi të Maliq Zotkaj , djali i kryebashkiakut të Poliçanit dhe Oligert Dyrmishi i cili ka mbajtur detyrën e Drejtorit të ndërtimit për ndërtesa dhe punime publike pranë së njëjtës bashki ;
Kompania tjetër ‘ASI-2A CO’ sh.p.k. është në pronësi të bashkëshortit dhe kunatit të ish-zv/kryetares së Bashkisë Fier, aktualisht këshilltare për çështjet ekonomike pranë së njëjtës bashki znj.Eleni Gjikondaj.
Ky skandal tregon qartë se klientelizmi ka zëvendësuar konkurrencën e ndershme dhe interesin publik, madje edhe në sektorë që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe mbrojtjen.
Partia Demokratike i bën thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë menjëherë këtë procedurë dhe kërkon që praktika të tilla të marrin fund.
Çdo procedurë tenderimi të zhvillohet me konkurrencë të vërtetë dhe në shërbim të interesit publik, mbrojtjes dhe sigurisë, duke ndaluar përdorimin e taksave të qytetarëve shqiptarë për klientët e pushtetit.