Ballina Opinion Shteti qesharak i Edi Ramës

Shteti qesharak i Edi Ramës

37
0

Nga Agim Nesho

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i rezolutës “Mbështetja e Deklaratës së Nju Jorkut për zgjidhjen paqësore të çështjes së Palestinës dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete”, ku Shqipëria abstenoi, nuk është ndonjë surprizë e madhe. Rama politikën e jashtme jo vetëm e ka personalizuar, por edhe vepron me shijet e një diktatori klientelist që “gjuan” avantazhet e politikës së ditës.

Pas vitit 1992, Shqipëria e dalë nga transformimi demokratik i lëvizjes së 90-ës, përshtati politikën e jashtme me atë të demokracive perëndimore. Kështu në qëndrimet e shtetit Shqiptar për problematikën kryesore ndërkombëtare, Shqipëria i bashkohej me votë vendeve të BE-së, ku ajo kërkonte të integrohej. Në qoftë se vendet e BE-së kishin qëndrime të kundërta, ajo përpiqej të merrte në konsideratë qëndrimin amerikan. Kjo strategji u përpunua dhe u vu në zbatim me mirëkuptimin e diplomatëve të Uashingtonit dhe Brukselit. Pas një çerek shekulli të zbatimit të kësaj linje diplomatike, shikoni sa qesharak është qëndrimi i Shqipërisë sot për çështjen Palestineze, nga intensiteti i ndryshimit të qëndrimeve.  Në vitin 2015, diplomacia Shqiptare voton pro Palestinës për njohjen e simboleve të saj në OKB, duke reflektuar dashurinë dhe nënshtrimin e Ramës ndaj një shtetari si Erdogani. Ajo mbështeti rezolutën e Konferencës së Bashkëpunimit Islamik kundër pozicionit amerikan dhe shumicës së vendeve të tjera perëndimore që insistuan për mos heqjen e vëmendjes nga zgjidhja themelore e konfliktit Izrael-Palestinë.

Dy vite më vonë kur Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Trump kërkuan votën për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, Shqipëria votoi kundër. Rama në këtë kohë kishte qenë në shërbim të demokratëve amerikanë, të cilët i siguruan protagonizmin si një lider global që e quajti Trump “turp i civilizimit” në shtypin botëror. I frikësuar nga pasojat dhe nevoja që kishin së bashku me Vuçiç që të diskutonin në Uashington projektin e ndryshimit të kufijve ballkanikë, Rama loboi të fliste në AIPAC 2018, një nga organizatat e fuqishme të lobit hebre në SHBA. Por lavdërimet dhe “furçat” për popullin hebre, nuk i dhanë mundësi për një takim. Zv. Presidenti Pence refuzoi takimin me të, pavarësisht se ishte i vetmi kryeministër në një aktivitet në një organizatë jo qeveritare.

Ardhja e Presidentit Trump përsëri në pushtet e detyroi Ramën të merrte masat me kohë. Me demokratët kishte si garant Sorosin dhe bëri gati promovimin e librit të zv. presidentes Harris disa ditë para zgjedhjeve, ndërsa me republikanët mori parasysh sugjerimin e Vucic dhe këshilltarit-lobist të tij për të bashkëpunuar në pasuri të patundshme dhe koncesione për turizmin, me njerëz afër administratës.

Po shkapërdredhja e Ramës me investitorët arabë duke dhënë pasuritë e popullit për tu pasuruar së bashku me ta, i mësuan kryeministrit Rama se krijimi i marrëdhënieve preferenciale me Izraelin ishin të domosdoshme. Dekorimi i Ramës nga presidenti i Izraelit tregoi se ai nuk ishte një klient i zakonshëm. Asgjë nuk dihet se çfarë ka pranuar Rama, por dihet sjellja e tij servile me Melonin, kryeministrin Britanik, me Erdoganin, etj., që e bën figurën e tij një plastelinë klienteliste. Ajo që dihet deri tani në marrëdhëniet klienteliste me Izraelin është ndryshimi i qëndrimit në votim në OKB dhe shpallja prej tij e shtetit bektashi në shtetin Shqiptar, projekti i të cilit akoma nuk njihet.

Përkrahësit e Ramës që mezi presin ndonjë kockë nga pushteti i tij i fuqishëm që ndërton grataçela me para në dorë, që e ka lulëzuar Shqipërinë me kanabis dhe kokainë, që harxhon me miliona për PR dhe Giro d’Italia, që ka sfiduar diplomacinë botërore herë me atletet e tij, brekushet e gjera e deri në “dirigjimin” e liderëve botërorë gjatë ceremonisë së fotove zyrtare, besojnë se ky është një lider global i jashtëzakonshëm. Për fat të keq Shqipëria është bërë një vend klientelist me një politikë të jashtme qesharake. Një vend që punon me nacionalistin serb Vucic, duke promovuar Ballkanin e Hapur dhe sakrifikuar interesat e Kosovës; një vend që pretendon integrimin europian por i thotë perëndimit që mos insistoni shumë në standarde europiane të vlerave se ato janë të papranueshme për kulturën e vendit. Një politikë e jashtme që sillet në mbrojtje të Ukrainës, por konsumohet në mbrojtje të Serbisë që nuk njeh sanksionet ndaj Rusisë; një politikë e jashtme që nuk mbron interesat e sovranitetit të vendit por i bën favore personale Melonit duke shkelur edhe Kushtetutën; një politikë e jashtme që një ditë thotë do ta bëj Shqipërinë Europën e Ballkanit dhe ditën tjetër që Shqipëria duhet të jetë urë lidhëse me Lindjen e Mesme dhe autokracitë arabe, të cilat nuk e njohin as transparencën, as llogaridhënien dhe korrupsionin vetëm interesat e pushteteve të tyre mbretërore.

Por ky shtet qesharak i Edi Ramës në sy të komunitetit ndërkombëtar po bëhet një realitet i një pushteti absolut që bën dhe realizon cdo gjë për interesat e pushtetit të tij në Shqipëri. Ai manipulon zgjedhjet, kap institucionet dhe mediat dhe ka asfiksuar demokracinë në Shqipëri.

Po të mos lëvizim tani, nuk na mbetet gjë tjetër vecse të thurim këngë për shtetin qesharak të Ramës dhe udhëheqësin global që e ka deklaruar që do të rrimë në pushtet deri në 2050.