Ballina Sport ​Gjiganti evropian po e shqyrton mundësinë e shkarkimit të trajnerit

​Gjiganti evropian po e shqyrton mundësinë e shkarkimit të trajnerit

20
0

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, po përballet me presion të madh pas humbjes së rëndë 3:0 në derbin kundër Manchester City, zhvilluar të dielën. Portugezi, i cili e mori drejtimin e klubit në nëntor të vitit 2024 duke zëvendësuar Erik ten Hag, kishte vendosur një ultimatum dyvjeçar për të dëshmuar se është njeriu i duhur për “Djajtë e Kuq”, por tashmë pozita e tij është në pikëpyetje më pak se një vit pas emërimit.

Që prej marrjes së drejtimit, Amorim ka grumbulluar vetëm 31 pikë në 31 ndeshje, ndërsa këtë sezon ekipi ka arritur vetëm katër pikë nga katër takime. Edhe pse klubi investoi rreth 200 milionë paund në merkato për të afruar lojtarë si Matheus Cunha, Bryan Mbeumo dhe Benjamin Sesko, United vazhdon të zhgënjejë në fushë.

Portugezi theksoi se nuk do të heqë dorë nga filozofia e tij e lojës, duke u shprehur se nëse klubi kërkon të ndryshojë stilin, atëherë duhet të emërojë një trajner tjetër. “Kur të dua të ndryshoj filozofinë time, do ta bëj vetë. Nëse jo, atëherë duhet të ndryshoni trajnerin. Unë besoj në mënyrën time të lojës dhe do të vazhdoj kështu derisa të vendos ndryshe,” tha Amorim pas ndeshjes në “Etihad”.

Trajneri portugez kujtoi gjithashtu se kur mori drejtimin e United kishte kërkuar kohë për të ndryshuar aspektin fizik dhe organizimin e ekipit, duke theksuar se Premier League është një kampionat shumë i vështirë. Në sezonin e kaluar, suksesi më i madh i tij ishte arritja deri në finalen e Ligës së Evropës, ku United u mposht në Bilbao, duke mbetur kështu pa garat evropiane këtë vit.

“Unë po vuaj më shumë se tifozët. Do të jap gjithçka për klubin derisa të jem këtu, por vendimi për të ardhmen nuk është i imi,” shtoi Amorim.

Humbja ndaj Manchester City ka shtuar dyshimet mbi të ardhmen e tij në “Old Trafford”, ndërsa bordi i klubit pritet të marrë së shpejti një vendim për fatin e stolit.