Ballina Aktualitet Sharra injoron Sakon, anulohet tenderi 6.5 mln euro i plehrave, s’ka oferta...

Sharra injoron Sakon, anulohet tenderi 6.5 mln euro i plehrave, s’ka oferta për depozitimin e mbetjeve

80
0

Bashkia e Durrësit ka anuluar një tender, tërësisht sekret, me fond limit 6.5 milionë euro, për depozitimin e mbetjeve të qytetit. Njoftimi për anulimin është publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike të kësaj të Hëne. Sipas këtij informacioni, tenderi “sekret”, me procedurë të negocimit pa shpallje paraprake” është shpallur në 25 Gusht 2025. Bazuar në këtë procedurë specifike, tenderi nuk është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Gjithsesi, përtej sekretit të tepruar të kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako, procedura është anuluar për shkak të mungesës së ofertave. Praktikisht, tenderi është refuzuar nga shoqëria koncensionare e landfillit të Sharrës në Tiranë, “Integrated Energy bv”, e cila administrohet prej dy vitesh nga institucionet shtetërore. Tenderi për depozitimin e mbetjeve urbane të Durrësit është tërësisht një formalitet, pasi aktet qeveritare e detyrojnë bashkinë e qytetit bregdetar që të dorëzojë mbeturinat e qytetit pranë landfillit privat të kryeqytetit.

Në vitin 2021, Bashkia e Durrësit u detyrua nga qeveria që të nënshkruante një kontratë 4-vjeçare me “Integrated Energy bv”, e cila në atë kohë drejtohej nga dyshja e biznesmenëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, tashmë të shpallur në kërkim. Kontrata e vitit 2021 kishte fond limit rreth 1.1 miliardë lekë të reja ose mbi 10 milionë euro. Në përfundim të asaj kontrate, Bashkia e Durrësit shpall sërish procedurën për depozitimin e mbeturinave në landfillin e Tiranës.

Kësaj radhe, fondi ishte 6.5 milionë euro ose rreth 3.5 milionë euro se kontrata e mëparshme. Duket se ulja e fondit ka nxitur kompania koncesionare që të mos shprehë asnjë interes për këtë tender. Gjithçka ngjan me një lojë nervash mes Bashkisë dhe koncesionarit, ku, me shumë mundësi, i fituar do të dalë kompania private dhe Emiriana Sako e stafi i saj do të detyrohen të rrisin fondin, i cili u bie në kurriz taksapaguesve durrsakë.