Një raport i ri i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Spanjës (FGE) ka zbuluar detaje mbi aktivitetin e grupeve mafioze që kanë shndërruar vendin në epiqendër të krimit të organizuar transnacional.
Sipas raportit vjetor të vitit 2024, disa nga organizatat më të rrezikshme në botë janë vendosur në Andaluzí, duke e kthyer Malagën dhe veçanërisht Marbellën në qendra të mafias globale.
Mes tyre, një vend të veçantë zë mafia shqiptare, e cila, sipas autoriteteve spanjolle, është bërë një nga organizatat më të fuqishme të drogës në vend.
Raporti thekson se bandat shqiptare dominojnë kultivimin e marijuanës në ambiente të mbyllura në Granada, duke lënë pas klanet tradicionale lokale, ndërsa kontrollojnë gjithashtu rrugët e kontrabandës përmes portit të Valencias.
Një element i ri i theksuar në raport është bashkëpunimi i shqiptarëve me mafian kineze. Dy grupet punojnë së bashku në Malaga dhe Marbella, duke menaxhuar operacione të mëdha kokaine dhe skema të sofistikuara pastrimi parash.
Vetëm vitin e kaluar, një operacion i madh i policisë spanjolle në Costa del Sol çoi në arrestimin e 30 personave, mes tyre edhe një shqiptar, dhe sekuestrimin e 3.2 tonëve kokainë të ardhur nga Ekuadori.
Në korrik 2025, autoritetet arrestuan gjithashtu Juxhin Drazhin, të konsideruar si një nga bosët më të mëdhenj të mafias shqiptare dhe një nga kriminelët më të kërkuar të drogës në Evropë, teksa tentonte të largohej nga vila e tij luksoze në Almuñecar, Granada.
Raporti vjen në një kohë kur Spanja përballet me rritje të dhunës dhe infiltrimit të bandave ndërkombëtare, duke e bërë Costa del Sol një nga zonat më të nxehta të krimit të organizuar në Europë.