Ballina Opinion Të grabisësh gjininë

Të grabisësh gjininë

24
0

Nga Luçiano Boçi

Edi Rama nuk heq dorë as nga Sorosi e agjenda e tij dhe as nga sulmi ndaj familjes.

Ndonëse këmbanat e përtej oqeanit dëgjohen fort, ai po nxiton.

Po nxiton të kryejë misionin për të cilin u mbështet, për të cilin e sollën në pushtet dhe në të cilin rri sot nën efektin e inercisë.

Tentativa e tij e dytë për të kaluar në parlament nenet e koncepteve përçudnuese, “prindi 1” dhe “prindi 2” në vend të “nënë” dhe “baba” tanimë të fshehur, duke zhdukur diferencën gjinore “burrë” e “grua”, duket se është ndër ato detyrimet pa kushte, që ai duhet t’i përmbyllë para se të ikë me rrokopujë.

Rama kërkon “t’i rrëmbejë”shoqërisë gjininë.

Ky është projekt absurd që kërkon të fshijë konceptet më të shenjta të jetës sonë, prej të cilave burojnë kuptimet dhe përjetimet tona për botën.

Pas kanabizimit, kriminalizimit, dehumanizimit të shoqërisë, rrëzimit të shtyllave të sistemit demokratik, goditja e identitetit gjinor dhe familjar ngjan me mision të fundit të sharlatanit të fundit të kombit.

Kësaj here tentativa e tij është me dinake dhe hileqare, sepse poshtërsinë e tij e ndërkall në një ligj më kompleks, i cili brenda vetes ha dhe shumë debate të tjera.

E gjitha kjo është një sulm i hapur ndaj vlerave thelbësore dhe atyre parime të shenjta që qëndrojnë në themel të etnisë sonë, shoqërisë sonë e njerëzimit në tërësi.

Është sulm ndaj atij shkaku themelor që ruajti e trashëgoi ndër shekuj genin dhe arkitekturën tonë shpirtërore e emocionale.

Një sulm i tillë është një sulm ndaj ADN-së psiko-fiziologjike të thelbit dhe domethënies të vetë njeriut e identitetit gjinor.

Burrë e grua, nuk pranojnë relativizim dhe burokraci djallëzore.

Janë rrënjë gjaku, janë kujtesë e brendshme, janë lidhje shpirtërore që nuk shuhen.

Asnjë “reformë” e pështirë, asnjë modë politike e veshur pink, asnjë agjendë ndërkombëtare me Woke-izma, nuk mund të na diktojë që ne të harrojmë se kush jemi e as të harrojmë Zotin.

Familja shqiptare ka qëndruar e fortë, sepse gjithmonë ka pasur qartësinë gjinore dhe çdo gjë që ngrihet mbi te duke filluar nga nëna, babai, vëllai, motra, burri, gruaja e gjithçka që përfshin familjen.

Kjo nuk është një lojë fjalësh. Është një betejë për domethënien e njeriut, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për vetë qenien tonë si komb.

Nëse ne relativizojmë burrë e grua, atëherë kemi hapur portat e ferrit për fëmijët e shoqërinë tonë.

Mos mendoni se Apokalipsi midis nesh do të vij me kalorësit e hipur mbi kuajt mitikë të ngjyrosur siç e përshkruan Zanafilla.

Ata sot shfaqen hipur mbi ligje, formularë, reforma dhe fjalorë të sterilizuar.

E mos mendoni se kjo është vetëm luftë e opozitës.

Votat ajo sot nuk i ka, jo për fajin e vet.

Këtu do duket forca njëzore e një shoqërie që se paku nuk lejon të deformohet as në thelb e as në besim.