Botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka miratuar transferimin e pronave shtetërore te Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) për realizimin e projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.
Sipas vendimit, Pallati i Kongreseve do të kalojë në administrim të Korporatës me qëllim modernizimin, mirëadministrimin dhe zhvillimin e godinës si një qendër funksionale, duke duke ruajtur njëkohësisht statusin e saj si monument kulture i kategorisë II.
AIC autorizohet të ndërmarrë procedurat e nevojshme ligjore e financiare për zhvillimin e pronave të transferuara, negocimin me subjekte private dhe publike për realizimin e investimeve, rivitalizimin e objekteve sipas një konceptidee arkitekturore që do të zgjidhet përmes një konkursi ndërkombëtar.
Në këtë proces, do të përfshihet edhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Instituti i Ndërtimit, të cilët do të ndihmojnë në hartimin e termave të referencës për restaurimin dhe përshtatjen e godinës. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të asistojë për kriteret e kualifikimit dhe vlerësimit të projektideve arkitekturore.
Vendimi përcakton që institucionet shtetërore si Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Kadastra, AKPT dhe KISH do të ndjekin dhe zbatojnë të gjitha procedurat për përmbushjen e projektit, duke garantuar zhvillimin në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore dhe planifikimin e territorit.
Projekti synon jo vetëm rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve si një qendër moderne për aktivitete kulturore, artistike dhe shtetërore, por edhe zhvillimin urban e ekonomik të zonës përreth, duke kombinuar interesin publik me potencialin e investimeve private. /ekofin.al