Shpërthimet e salmonelës pritet të bëhen më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një studimi të ri. Ngrohja globale po rrit rrezikun e përhapjes së këtij bakteri të stomakut potencialisht vdekjeprurës, thonë shkencëtarët.
Studimi, i udhëhequr nga studiues të Shkollës së Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Surrey, hetoi ndikimin e faktorëve të ndryshëm të motit në transmetimin e salmonelës, një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve ushqimore në Europë, që përbën gati një në tri epidemi të tilla.
Salmonela është një lloj bakteri që mund të shkaktojë helmim nga ushqimi. Ajo gjendet në zorrët e kafshëve dhe njerëzve dhe mund të kontaminojë ushqimin nëse nuk gatuhet ose nuk trajtohet siç duhet. Salmonela mund të shkaktojë diarre, temperaturë dhe dhimbje barku, dhe është më e përhapur në zona me higjienë dhe kushte sanitare të dobëta.
Ekipi i studiuesve krahasoi të dhënat e Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) për rastet e konfirmuara të salmonelës në Angli dhe Uells gjatë periudhës 2000–2016 me të dhënat e Met Office për motin, duke u fokusuar në 14 faktorë të ndryshëm të motit.
Studiuesit shpjeguan se ky krahasim ofroi një kuptim më të plotë, duke marrë parasysh efektin e kombinuar të shumë faktorëve të motit mbi incidencën e salmonelës, gjë që çoi në një përshkrim të hollësishëm të rrezikut të salmonelozës kur njihet moti lokal gjatë ditëve të mëparshme.
Temperaturat më të ngrohta mbi 10 gradë Celsius, lagështia relative, temperatura e pikës së vesës midis 7°C dhe 10°C, dhe orët më të gjata të ditës u identifikuan si faktorë “kyç” të motit të lidhur me rritjen e rasteve të salmonelës, pavarësisht nga vendndodhja gjeografike.
Gjetjet, të botuara në revistën Journal of Infection, u verifikuan gjithashtu duke analizuar të dhëna nga Holanda.
Dr. Gianni Lo Iacono, pedagog në biostatistikë dhe epidemiologji në Universitetin e Surrey-t, tha: “Modeli që përdorëm për të analizuar të dhënat është premtues, pasi gjetjet u përsëritën në Angli, Uells dhe, në mënyrë të pavarur, në Holandë, duke sugjeruar një potencial për aplikim më të gjerë në vende të tjera europiane dhe me të ardhura të larta, për të fituar njohuri të reja mbi incidencën e salmonelës.
Do të ishte interesante të hetohej kjo në rajone me karakteristika shumë të ndryshme mjedisore dhe socio-ekonomike, si vendet tropikale.”
Autorja e parë e studimit, dr. Laura Gonzalez Villeta, shtoi: “Studimi nxjerr në pah se si moti luan një rol të rëndësishëm në shpërthimet e salmonelës dhe ofron një mjet të vlefshëm për parashikimin e rreziqeve të ardhshme dhe përshtatjen e ndërhyrjeve, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve klimatike.”







