Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi këtë të mërkurë garën për të zgjedhur pasardhësin e Altin Dumanit në krye të SPAK, por i njëjti institucion duket se po harron, me qëllim, zgjedhjen e kryeprokurorit të Tiranës, një vend ku ndërthuren shumë konflikte dhe interesa. Kryeprokurorit aktual të Tiranës, Arens Çelës, i mbaron mandati shumë kohë përpara atij të SPAK-ut, këtë fund shtatori, por KLP deri më tani e ka kaluar në heshtje këtë ngjarje.
Në fakt, kjo nuk është një praktikë e re për një institucion të politizuar si KLP-ja që vepron krejtësisht në kundërshtim me frymën për të cilën u bë reforma në drejtësi. Në shumë rrethe të vendit janë lënë kryeprokurorë të komanduar. Kështu është zgjidhur problemi në prokurori si Shkodra, Elbasani, Vlora, Durrësi, Berati, Lezha, Saranda, Kukësi, ndërkohe që zgjedhje e regullt është bërë vetëm për Dibrën, Fierin, Korçën, Gjirokastrën, që kanë drejtues me mandat të rregullt.
I njëjti truk me komandim duket se po projektohet edhe për Tiranën. “Përpjekja e KLP për ta paraqitur situatën si “dinamike, dhe normale proceduriale” është thjesht justifikim, por i pagëlltitshëm. Fakti që KLP si në një tender bashkie periferike, hap një konkurs e shpall, e rishpall, e mbyll pa kandidat procesin dhe pastaj, e rihapet sërish dhe përsëri kreu mbetet bosh, tregon dështim sistematik. Reforma nuk u bë që të prodhojë “drejtues tё përkohshëm”, por për të sjellë standarde të reja, bashkë me drejtësinë e re” tha një burim i brendëshëm për Lapsi.al.
Në fakt në letër, ligji është i qartë: kur një drejtues prokurorie përfundon mandatin, ashtu sikurse është rasti i Arens Çelës në Tiranë, ai mund të rikandidojë, por vetëm pasi të kalojë edhe njëherë nga e para një verifikim të plotë të pasurisë, figurës dhe performancës. Por në praktikë po ndiqet një rregull i pashkruar që ruan të njëjtën kastë të pa shqetësuar në drejtim. Ky rregull është : nëse rikandidon drejtuesi aktual konkursi nuk hapet më, nuk ka garë, nuk ka konkurencë, atëherë, transparenca sakrifikohet në emër të Status Quos-ë së korrupsionit.
Ndonëse kur Arens Çela u zgjodh tre vite më parë, u hap një garë, ajo ishte e paplotë dhe me hije dyshimi. Ai vetë kishte qëndruar i komanduar për gjashtë muaj pasi pararadhësia e tij Elisabeta Ymeri u dogj në prill 2022 nga vettingu. Por edhe pasi procedura u hap, garë nuk pati, pasi ai qe kandidati i vetëm për të kryesuar prokurorinë e Tiranës. Atëhere KLP e justifikoi këtë duke e thënë se e dogji rivalin tjetër sipas rregullit se konkurenti duhet të ishte pjesë e prokuroricë për të cilën bëhej fjalë. Sot, tre vite më pas duket se konkurentët nuk mungojnë, por KLP-së i intereson me sa duket më shumë emri sesa procedura.
“Kështu e gjithë fryma e ligjit – garë e hapur, meritokraci, besim i publikut – shuhet brenda një procedure që “zgjatet në kohë” dhe që në fund të fundit mban prokuroritë pa drejtues të rregullt për muaj e vite” tha burimi i Lapsi.al duke komentuar praktikën tashmë të kthyer në rregull, për të zhdukur garat në emër të drejtuesve të komanduar të prokurorive ashtu siç po tenton të bëhet edhe në kryeqytet./lapsi.al