“Rrëfime në prag dimri” është libri më i ri nga shkrimtari Petro Lati. Ky libër trajton marrëdhëniet dhe ngjarjet brenda familjes, si në Shqipëri, ashtu edhe në shtetin e largët Amerikën ku autori ka jetuar dhe përjetuar nga afër këto ndjesi.
Ai tregon se, pavarësisht distancës dhe kulturave të ndryshme, sfidat, emocionet dhe lidhjet brenda familjes janë të njëjta kudo. Por mbi të gjitha autori thotë së ky është një libër që fton lexuesin të reflektojë mbi marrëdhëniet personale, kujtimet dhe lidhjet që na bëjnë të ndihemi pjesë e një historie më të madhe.
“Janë gjëra që unë i kam jetuar dhe ajo që më ka shqetësuar është familja dhe si ndërtohen marrëdhëniet. Ndërsa në Amerikë ku unë kam jetuar problemet janë të njëjta por shfaqen në mënyrë tjetër”, u shpreh Lati.
Rrëfime në prag dimri është libri i 4 që shkrimtari sjell për lexuesin e gjerë, por Petro Lati është gjithashtu një emër i njohur edhe në fushën e gazetarisë me një kontribut të madh në televizion. Lati njihet për dokumentarët e tij televizivë dhe botimet e rëndësishme që ruajnë histori kombëtare dhe portrete të figurave të shquara të artit dhe letërsisë.
Ai ka filluar karrierën në Radiotelevizionin Shqiptar që në vitin 1969 dhe është autor i ciklit televiziv “Vite pa fund”, si dhe i serive dokumentare “Familjet e mëdha” (2005-2009) dhe “Shqipëria në fokus” (2009-2011). Për veprimtarinë e tij është nderuar me medaljen dhe urdhrin “Naim Frashëri”, “Antena e artë”, çmimin KULT dhe “Margaritari i Himarës”, si dhe me titullin “Gazetari më i mirë” në fushën e dokumentarit. – RTSH-







