Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, (ILDKPKI), ka gjobitur me 3 mijë euro ish ministren e Bujqësisë Frida Krifca. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Gjykatës Administrative të Tiranës, ku është kërkuar ekzekutimi i gjobës.
Sipas njoftimit të çështjes, gjoba është vendosur në 12 qershor të këtij viti dhe arsyet e saj lidhen me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

Njoftimi nuk zbulon specifikisht se për çfarë konflikti interesi bëhet fjalë për ish ministren e Bujqësisë, që tashmë punon si këshilltare në kryeministri.
Por opozita ka akuzuar publikisht Krifcën si përfituese e fondeve publike, përmes një prej kompanive të bashkëshortit të saj, Erti Lutaj. Sipas një denoncimi publik, të Partisë Demokratike, kompania Lucom Projects e Lutajt ka përfituar mbi 120 mijë euro nga Bashkia e Tiranës.
Nuk dihet nëse është kjo arsyeja se pse ILDKPKI e ka gjobitur ish ministren, apo ndonjë tjetër rast konflikti interesi i lidhur me vendimarrjen e saj gjatë kohës që mbante funksionin e ministres.
Zonja Krifca u largua nga detyra e ministres së Bujqësisë pas shpërthimit të skandalit me fondet e Bashkimit Europian për Bujqësinë. Komisioni Europian vendosi të ndërpresë grantet për Shqipërinë për shkak të korrupsionin në shpërndarjen e tyre, gjatë kohës që zonja Krifca ishte në krye të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural./kapitali
            






